Kryeministri Rama shpall paketën e parë elektorale 2017, për biznesin e vogël

511
Qeveria e “Rilindjes” ishte në këto muajt e vjeshtës në “luftë” të hapur me biznesin, e sidomos me biznesin e vogël. Qeveria përballë dështimit sistematik të të ardhura në buxhetin e shtetit, sidomos në tatime dhe dogana, gjatë muajve të fundit, aq sa u detyrua edhe të rishikojë buxhetin, e frikësuar nga presioni i FMN për ndërprerjen e kësteve të borxhit të radhës, pa bërë aspak analizën e shkaqeve të dështimit të të ardhurave, fenomeni i korrupsionit është mbizotërues, e pa të arsyeshme, që arkën e shtetit ta mbushte me gjoba dhe taksa ndaj biznesit. Qeveria, në emër të zbatimit të ligjit, ashpërsoi Kodin Penal, duke quajtur krim penal çdo kundravajtje penale, që më para dënohej me gjobë, tani e cilësoi vepër penale, duke e penalizuar me vite burg, dhjetëfishoi të gjitha gjobat për çdo shkelje administrative, aq sa çdo gjobë për biznesin tashmë është e barabartë me faturën e falimentimit. 
Pasojat e reprezaljes të taksidarëve ndaj biznesit
Pasojat e dukshme të kësaj “lufte” të qeverisë ndaj biznesit të vogël ishin 70.000 vende pune që humbën vetëm në muajt shtator- tetor, plus sekuestrime të shumta që bënë taksidarët e shtetit ndaj kujtdo “biznesmeni” që shiste qoftë edhe disa kokrra vezë, një sheleg, një arkë mollë, pa NIPT, apo edhe pa kasë fiskale, por edhe mijëra të tjerë që u burgosën, në emër të ligjit. Biznesi, duke mos pasur masa mbrojtëse, ngaqë qeveria nuk zbatoi politika informuese, u hodh në protesta me moton “Mbyll qepenat”. Protestat e biznesit, të para të këtij lloji në kohëqeverisjen e “Rilindjes”, u përhapën dhe u përditësuan. Por, edhe faktorët ndërkombëtarë, haptazi pohuan, që në Shqipëri nuk ka klimë të të bërit biznes dhe se korrupsioni mbyt çdo investim të huaj, politikat jo të qëndrueshme fiskale, të cilat nuk janë të konkurueshme në rajon, por edhe sjellin pasiguri te investitorët e huaj, treguan plagën e vërtetë dhe gishtin e dëftuan në politikat e gabuara ekonomike të qeverisë, të ndërmarra deri tani.
Qeveria e frikësuar, shpall paketa elektorale
Protestat e fuqishme dhe të përditshme të biznesit të vogël në mbarë vendin, mbyllja masive e qepenave të biznesit si edhe 70.000 vendet e punës që u humbën vetëm në 2 muajt e fundit, por, mbi të gjitha, këto masa represive të taksidarëve nuk dhanë ndonjë efekt as në të ardhurat e arkës së shtetit, të cilat, sërish nuk u realizuan në pritshmërinë e qeverisë, detyruan dje kryeministrin Rama, që të pranonte dështimin e reformave të mëparshme që ndërmori kundër biznesit. Kryeministri Rama, dje, shpalli papritur, një sërë masash lehtësuese ndaj biznesit të vogël, për të zbutur jo vetëm klimën e të bërit biznes, por më tepër, ato ngjallin me paketën e parë elektorale për zgjedhjet parlamentare, që edhe mund të jenë të parakohshme. Që kryeministri Rama, dje pranoi me masat e reja ekonomike që ndërmori për biznesin e vogël, që as ashpërsimi që i bëri Kodit Penal ndaj gjobave kundër biznesit nuk ishin reformë, siç e predikoi, por thjesht një veprim taksidar i shtetit për të mbushur arkën e tij, duke i shtrënguar lakun biznesit dhe as masat e djeshme nuk janë reformë e re ekonomike e një qeverie serioze, por thjesht një truk elektoral, pasi ato nuk janë as në programin elektoral të 2013 dhe as nuk janë pjesë e strategjisë së zhvillimit ekonomik të programit qeverisës. 
Paketa elektorale e Ramës për biznesin e vogël:
-Ulet tatimi mbi fitimin
Të gjitha bizneset midis 5 dhe 8, sepse ju e dini që 8 milionë të reja apo 80 milionë lekë të vjetra është kufiri për t’u konsideruar biznes i vogël, por nëse sot fasha nga 5 në 8 ishte subjekt i TVSH-së, mbetet subjekt i TVSH-së, por për këto biznese do të ulim tatimin mbi fitimin nga 7,5% në 5%.
– Bizneset nga 0-50 milionë nuk do të gjobiten më për mosdeklarim për punonjësit e papaguar të familjes. 
– Të gjitha bizneset me xhiro nga zero në 50 milionë lekë të vjetra do të duhet të dorëzojnë një herë në vit, një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre vjetore, s’ do të kenë më historirat që kishin deri më sot.
– Ne do t’i tërheqim inspektorët e tatimeve, duke filluar nga janari, një proces që ne parashikojmë të zgjasë 6 muaj.

Flet për gazetën “Telegraf”
Prof. Sherefedin Shehu, specialist i ekonomisë, deputet: Rama nuk e di si funksionon sistemi fiskal, ndaj mbajti fjalim
Në fakt Rama mbajti fjalim, por nuk pamë paketë ekonomike, sepse paketa shkruhet dhe vjen në formën e një ligji, gjë që nuk e kemi parë akoma. Por Rama mbajti një fjalim në kundërpërgjigje të platformës së PD, i trembur nga fakti që njerëzit tashmë mund të braktisin Ramën dhe t’i bashkohen PD, e cila po parashtron platformën për qeverisjen e re. Rama tregoi disa modifikime, por nuk tregoi sesi do t’i realizojë ato, sepse vetëm fakti që thotë që do të ruajmë TVSH, por do ta kompensojmë me uljen e tatim-fitimit, tregon që ai nuk e kupton fare sesi funksionon sistemi fiskal, sepse tatimi mbi fitimin është fitim direkt, kurse tatimi mbi vlerën e shtuar është tatim indirekt dhe këtë nuk e paguan tregtari, por e paguan konsumatori. Pra nuk është argument dhe nuk ka lidhje ulje e tatimit mbi fitimin me mbajtjen e lartë, apo futjen në skemë të tatimit të vlerës së shtuar. Rama ishte konfuz në çfarë tha, sepse nuk dha platformën, e cila dëfton veprimet që do ndërmerren dhe mekanizmat, sesi do t’i bëjnë të realizueshme këto veprime. 

Lulzim Basha: Rama kërkon të blejë kohë nga frika e protestave dhe revolta në vend.
Edi Rama dhe skota e tij vjedhin ditë për ditë paratë e fermerëve, banorëve të qyteteve e të fshatrave, të punësuar, pensionistë, të rinj, vjedhin taksat, vjedhin doganat, vjedhin tatimet. Para 10 ditësh kopjoi propozimin tonë për pullën fiskale dhe sot propozimet tona për detaksimin e biznesit të vogël. Në këtë rast deri në 50 milionë lekë se deri aty arriti ta shikonte kopjen që po bënte. A zgjidhje problem i krizës ekonomike së shqiptarëve duke kopjuar nga një kryeministër që është kryekëput përgjegjësi për situatën ekonomike ku është vendi ?! 73 mijë të papunë vetëm në Shtator-Tetor. Janë shpunësuar si rezultat i masave represive, i kërbaçit të gjobave, i represionit selektiv dhe antiligjor të bandës së tij të tatimeve. 100 mijë shqiptarë të larguar për një vit. 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për t’u larguar në Amerikë. Mijëra e mijëra të burgosur, të paraburgosur, e të dënuar për një kupon tatimor. Në këtë klimë represiviteti, dhune, brutaliteti, ekonomia jo vetëm është tkurrur, por është në hemorragji. Bie kreditimi, bie konsumi, bie punësimi, mbyllen qepenat, falimentojnë bizneset. Pse?! Sepse Edi Rama me politikën e tij të mbrapshtë të rritjes së taksave, me të vetmin model të propagandës me regji qendrore, nuk ofron asnjë zgjidhje. Kjo krizë nuk na vjen nga Zoti, kjo krizë nuk është fatalitet, por është produkt i Edi Ramës dhe politikave të tij në këto dy vite.
Petrit Vasili: Të krijojmë klimë më të qetë për biznesin
Unë dhe LSI, të gjithë së bashku, kemi qenë të bindur se kjo fushatë e madhe në terren do të krijonte mundësinë për të pasur edhe të dhëna të qarta dhe kjo do të ndihmojë për të reflektuar në paketën fiskale. Të gjitha hapat të cilat nxisin krijimin e një klime më të qetë dhe një kulturë biznesi dhe për ta vazhduar veprimtarinë e tij, sepse në këtë mënyrë edhe problemet sociale zbuten, janë qëndrime për t’u përshëndetur. Dhe besoj në kohën e duhur, pasi ju e dini që ne ditën që do të vijmë të miratojmë paketën e re fiskale dhe buxhetin e ri të shtetit, viti 2016 do jetë në dritën e një klime inkurajuese për biznesin, e cila është kaq e nevojshme në mënyrë të veçantë në këto moment, kur Shqipëria ka ambicie për të ecur dhe për t’u rritur ekonomikisht, pasi pa rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, të gjitha ekuilibrat e tjera do të ishin të rrezikuara.
Sigal