Kryeministri Rama: Shndërruam Urgjencën Kombëtare, por nuk jemi ende në lartësinë për t’i shërbyer çdo familjeje

409
Sigal

Kreu i qeverisë prezantoi 32 ambulancat e reja që do t’i shtohen Flotës së Shërbimit Kombëtar të Urgjencës

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e 32 ambulancave të reja, të cilat iu shtuan Flotës së Shërbimit Kombëtar të Urgjencës. Në fjalën e tij kryeministri tha se Urgjenca Kombëtare është autonome dhe është shndërruar nga një shërbim i degraduar, në një shërbim që garanton pa diskutim asistencën bazë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. “Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç se të mbështetemi tek faktet e punës sonë dhe të krijojmë me punën tonë fakte të reja e kuptimplota. Se si ishte urgjenca mjekësore është një histori që do kërkonte kohë të gjatë për t’u treguar dhe vështirësi për t’u pranuar. Mjekët e dinë shumë mirë se pacientët e harrojnë atë që heqin sapo dalin nga spitali dhe nuk i kujtojnë këshillat.”- tha kryeministri. Në prezantimin e flotës së ambulancave të reja, Rama deklaroi se e ardhmja e një urgjence në lartësinë e duhur është ende larg. “Ne sot me shumë krenari mund të themi se e shkuara është përgjithmonë e shkuar edhe pse e ardhmja është ende larg për një urgjencë kombëtare mjekësore në lartësinë e sfidës për t’u përgjigjur në kohë reale çdo familje. Ama sot ka një të dhënë domethënëse që është thelbi i reformës, për të kërkuar urgjencën nuk kalon më nëpërmjet spitalit, nuk ka më nevojë t’u biesh që të përpiqen dhe të presësh që pasi e çon fjalën në spital, ta çojë tek urgjenca e pastaj në shtëpinë tënde. Urgjenca është autonome dhe është shndërruar nga një shërbim i degraduar, në një shërbim që garanton pa diskutim asistencën bazë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ne i dyfishuam shërbimet përgjatë këtij viti, pavarësisht se çfarë thonë gojët që nuk pushojnë”- u shpreh më tej Rama. Sipas kreut të qeverisë, personeli i urgjencës sot është i dyfishuar, duke ofruar më shumë mbështetje dhe shërbim për qytetarët. “Kemi 448 mjekë e infermierë më shumë e personel mbështetës. 49 mijë njerëz shqiptarë e të huaj janë shërbyer në qendrat shëndetësore turistike nga qershori deri në shtator. Shifrat sot janë 900 thirrje në ditë, të cilat shkojnë direkt përmes sistemit të kompjuterizuar në veshin e urgjencës kombëtare. Çdo shërbim sot regjistrohet online, ndërkohë që koha e ndihmës së parë është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme. Akoma më e rëndësishme, 50% e shërbimit është e përqendruar në banesa falë gatishmërisë së personelit të urgjencës”- përfundoi Kryeministri Rama.