Kryeministri Rama: Reformat po na krijojnë mundësi për rritje pagash dhe shpërblime

721
Sigal

Kryeministri Rama pohoi dje se reformat e ndërmarra nga qeveria e tij po japin frytet edhe në sferën ekonomike, prandaj, qeveria parashikon se buxheti i ri i 2019-s do të jetë buxhet i rritjeve të pagave dhe shpërblimeve. “Reformat po na krijojnë mundësi për rritje pagash dhe shpërblime”, – tha dje kryeministri Edi Rama, ndërsa prezantoi frytet e para që do të përfitojnë qytetarët nga reformat shtetbërëse. Kryeministri Rama lançoi frytet e rëndësishme dhe të konsiderueshme në rrugën e vështirë, por të domosdoshme të reformave. “Reformat shtetbërëse patjetër që kanë dhimbjet dhe sakrificat e tyre. E vërteta është që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në shumicë dërrmuese kanë qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e këtyre reformave dhe pamundësinë për të vijuar në rrugën e vjetër të kaosit e mungesës së rregullave”, tha Rama. Kryeministri tha se pas një faze aspak të lehtë të vendosjes së disa bazave të domosdoshme për ecurinë e mëtejshme të vendit, njerëzit kanë absolutisht nevojën të shikojnë disa fryte dhe arritje. “Patjetër që është e rëndësishme të mos e harrojmë asnjëherë nga u nisëm dhe të shikojmë kontekstin në të cilin veprojmë, punojmë e përpiqemi të bëjmë më shumë”, shtoi ai. Kryeministri deklaroi se Buxheti 2019 parashikon rritje pagash në arsim, shëndetësi dhe ushtri”. “Pas shumë e shumë vitesh pa asnjë rritje pagash kjo do të jetë rritja e parë e pagave në ushtri”, tha Rama. “Si rezultat i një diskutimi mbi buxhetin e vitit 2019, do të kemi disa të reja pozitive falë reformave. Këto janë fryte të dobishme të reformave në interes të njerëzve”, tha Rama. Po ashtu, Kryeministri paralajmëroi se do të kemi lehtësime të rëndësishme taksash. “Lehtësim i taksave për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit që do të hyjë në kategorinë e biznesit të vogël dhe nuk do të konsiderohet më i madh, deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit”, – theksoi kreu i qeverisë.