Kryeministri Rama, projektbuxheti i 2019-s: Rriten rrogat për Forcat e Armatosura, duke filluar me 19 % për ushtarakët aktivë

485
Sigal

Gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për 2019-n, kryeministri Rama foli për rëndësinë e projektit të NATO-s për investimet në 50 milionë euro në bazën ajrore të Kuçovës. Rama tha se kjo e fut ushtrinë shqiptare në një standard të ri, por do të ndikojë dhe në rritjen ekonomike të zonës. Kryeministri Rama: Është një investim që do të mundojë  transformimin e kësaj hapësire në një aeroport ushtarak të NATO-s që do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, furnizimet ajrore, logjistikën, policimin ajror si dhe për trajnimin dhe stërvitjet e forcave të Aleancës. Kryeministri Rama lajmëroi dhe rritjen e pagave për Forcat e Armatosura, të cilën e konsideroi rritjen më të madhe në histori. Rama: Pas shumë vitesh lënie disi në hije nga vlerësimi financiar, jo vetëm do t’i bëjmë një rritje të re pagave të gjithë atyre që janë të angazhuar në Forcat e Armatosura, por do të bëjmë një rritje të konsiderueshme. Gjatë punës me draftin e buxhetit kemi mundur së bashku me Ministren të fitojmë debatin me Ministrinë e Financave dhe ti kushtojmë një buxhet shumë më të konsiderueshëm se aq, duke e filluar me një rritje page prej 19% për ushtarët dhe duke e shkallëzuar atë më tutje sipas të gjitha niveleve. Është rritja më e madhe e bërë në historinë e FA-së. Ky vlerësim financiar, tha kreu i qeverisë, është i stërmerituar nga ana e FA-së. Rama: Me këdo që komunikojmë në kuadrin e  Aleancës e kanë bërë Shqipërinë krenare dhe të respektueshme. Janë të shkëlqyera opinionet e partnerëve tanë për misionet. Ka qenë surprizë paraqitja e skuadrave tona në sfidën e patrullave në Britaninë e Madhe, ku morën medaljen e  bronzit. Mundëm të shesim pak mend, duke parë në sy të gjithë ato fuqi të mëdha që kishin shumë më tepër patrulla se ne dhe u lanë pas nga djemtë e patrullës shqiptare. Buxheti i 2019 për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë 22 miliardë lekë, 10% më shumë se viti i kaluar.