Kryeministri Rama pezullon tenderët për shkak të ministrave teknik dhe LSI-së

469
Ndonëse nuk arriti të mbledhë asnjëherë kabinetin qeveritar gjatë fushatës elektorale, Rama ka marrë dje një vendim duke ngrirë veprimet e ministrave aktualë
Kryeministri Edi Rama ka pezulluar përkohësisht të gjitha prokurimet publike të vitit 2017. Shkak për këtë vendim është bërë prania në qeveri e ministrave teknikë dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zhbllokimi i prokurimeve publike mund të realizohet në momentin kur Kryeministri dhe ministrat socialistë do të marrin zyrtarisht detyrën për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Përjashtohen nga ky rregull kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet për blerjet me vlerë të vogël. Ndërsa prokurimet për nevoja urgjente do të lejohen vetëm me miratimin e Kryeministrit. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave janë bllokuar të gjithë tenderët. Bllokohet tenderi i ministrit teknik të PD 257 mln lekë. Pak ditë më parë u fol se brenda një dite Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj shpalli brenda një dite 13 tenderë. Tenderët, të gjithë të datës 29 Qershor, u shpallën kryesisht për blerje të kompjuterëve, laptopëve, tableta, skaner, projektorë, fotokopje, software, hard disk etj. Në vendimin e qeverisë Rama, thuhet se pezullohet nisja dhe vijimi i të gjitha procedurave të prokurimeve të fondeve në dispozicion të ministrive dhe agjencive shtetërore. Aktualisht kabineti qeveritar është i përbërë nga përfaqësues të tre forcave politike, Partisë Socialiste, asaj Demokratike, por edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mësohet se urdhri synon të ndal abuzimet potenciale me tenderët nga ministrat jashtë Partisë Socialiste. Sipas tyre, këtu bëhet fjalë jo vetëm për ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, por edhe për ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët pas shtatorit pritet të dalin në opozitë. Ndërkohë ka të dhëna se një vendim i tillë është bërë për të mos u përballur edhe një herë me situatën e vitit 2013, kur deri në shtator, kur erdhi qeveria e re në detyrë, ishin dhënë të gjithë tenderët. Duket se Edi Rama e mori këtë vendim për të treguar se nuk do të lejojë askënd që të fus duart në buxhetin e qeverisë të cilën ai e kërkoi të vetëm dhe do ta ndërtoi në këto kushte. 

Sigal