Kryeministri Rama: Panegociueshmëria është problem i palëve politike. Jo i studentëve

566
Sigal

Kryeministri Rama deklaroi mbrëmë në një intervistë televizive, se e mbështeste protestën studentore, kur kjo ka të bëjë me kërkesa të qarta të tyre, siç ishte ajo e heqjes së pikës 4 në VKM-në për tarifat arsimore. Kryeministri Rama: Tashmë del në pah se protesta ka pasur 3 komponentë të strukturuar dhe ai i katërti, i studentëve me halle familjare dhe financiare. Nga 3 komponentët me agjenda të caktuara, dy janë PD-ja dhe LSI-ja, me opozitën që ka kërcënuar se do të bëjë gjithçka për të rrëzuar qeverinë. Komponenti i tretë është Lëvizja për Universitetin, që nuk është lëvizje politike, por një grupim marksistësh që nuk e njohin Marksin. Jam i bindur se studentët i kanë këto probleme, patjetër, por kanë neveri ndaj politikës dhe nuk duan të vijnë deri këtu. Problemet dhe studentët janë njëra anë, ajo që më intereson mua. Strukturat e tjera, mua nuk më interesojnë. Fakti që ka zëra mes turmës që thonë se kërkesat janë të panegociueshme, kam bindjen se nuk është një gjë që vjen nga studentët që me të vërtetë kanë probleme dhe arsye për të protestuar. Por bëhet nga ata që kanë frikë se, po të zgjidhen gjërat, kërkesat e studentëve, atëherë ata nuk do të kenë më argument për të qëndruar në rrugë dhe për të vijuar me agjendat e tyre politike. Ne vepruam menjëherë me VKM-në kur ka vend për veprim, por për kërkesat e tjera që erdhën në vijim duhet ulur në diskutim. Problemi nuk është kur qeveria të dëgjon dhe të fton në dialog, por kur nuk të dëgjon dhe kur do të të duhet që të radikalizosh veprimtarinë tënde. Ne jemi të hapur për të diskutuar për të gjitha kërkesat e tyre. Momenti aktual, sipas kryeministrit është shumë i rëndësishëm, sepse studentët janë provokuar. Studentët duhet të marrin fatin e tyre në duar për kërkesat e tyre, – tha kryeministri Rama.

Rama: Tarifat e studimit, nuk i vendos unë. Universiteti ka autonomi

Mario Hysenlliu, student nga Inxhinieria e Ndërtimit i tha kryeministrit të tregonte, nëse ishte i gatshëm që t’i plotësonte pikat e parashtruara nga protestuesit, pasi këtë duan të dëgjojnë studentët sot. “Unë kam qenë në protestë çdo ditë. Kauza është reale dhe kanë nevojë të dëgjojnë nga kryeministri, nëse është i gatshëm që t’i plotësojë pikat. Këtë duhet të dëgjojnë studentët sot”, tha Mario. Kryeministri Rama tha se për tarifat, ai vet nuk ka asgjë në dorë, përkundrazi studentët nuk kanë përse duhet të trokasin te Kryeministria, por të shkojnë te dekanët e universiteteve të tyre, pasi tarifat i vendos vet universiteti, duke respektuar autonominë e tyre. Autonomia është një përgjegjësi për të cilën ai që e gëzon kërkon lirinë për të vepruar. Atëherë për uljen e tarifave apo për përgjysmimin e tyre duhet të diskutohet. Sipas kryeministrit Rama shpjegoi ndërkohë edhe ofertën e tij, që pavarësisht se tarifa nuk hiqet, atë ta paguajë shteti për studentët e shkëlqyer me 9-a dhe me 10-a. Por, kryeministri theksoi gjithashtu se edhe fëmijët që vijnë nga rrethet në kryeqytet, për të studiuar mes shumë vështirësive financiare të familjeve të tyre, meritojnë gjithashtu të përkrahen financiarisht.