Kryeministri Rama: Opozita nuk na ndal dot në reformat tona

423
Sigal

Kryeministri Edi Rama inspektoi investimin e kryer në bashkinë e qytetit dhe punimet që po kryhen për ndërtimin e një rruge të re në Maliq. Kryeministri përfitoi nga ky rast për t’i kthyer përgjigje edhe opozitës për protestën e 16 shkurtit në Tiranë: “Bashkia që duam nuk është një slogan, po një model që na dallon qartë e më qartë, nga ata që na vonuan me dekada dhe që duan vetëm sherr e rrëmujë…E kanë kot, s’na ndal asgjë dot për të bërë dallimin e madh mes të ardhmes e të shkuarës”. Me këtë mesazh kryeministri Edi Rama shoqëron videon përmes të cilës tregon ndërtesën e re të Bashkisë Korçë një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 144 milionë lekë. “Është ultramoderne, por me shumë shije, me shumë harmoni, plus që ka shumë komoditet në shërbime, krijon një ndjenjë shumë pozitive.” Tashmë Bashkia e Korçës ofron 63 shërbime në një godinë. “Ideja këtu është që Bashkia të mos ketë barriera fizike ndërmjet punonjësve dhe qytetarëve që vijnë të marrim shërbime. Gjithçka është transparente. Sportelet, zyrat që kanë kontakte me qytetarët vendosen këtu dhe presin qytetarët për kërkesat që ata mund të kenë, ndërkohë që dhe pjesa tjetër e zyrave janë me xham, pra janë transparente dhe publiku, qytetarët shohin punonjësit e bashkisë për t’i vendosur në një lloj presioni pozitiv.