Kryeministri Rama: Nuk pres më, sot nisim rrugën pa PD drejt 18 qershorit

409
Në ditën e fundit të afatit të vendosur prej tij për Partinë Demokratike për t’u futur në zgjedhjet e 18 qershorit, duke pranuar paketën e lëshimeve të propozuara në bashkëpunim me ndërkombëtarët, kryeministri Edi Rama njofton se është lodhur nga pritja
Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit javor që bënë me qytetarët përmes faqes së tij facebook ka njoftuar nisjen zyrtare të fushatës elektorale. Duke thënë se opozita nuk e shfrytëzoi hapësirën e lënë nga mazhoranca për të gjetur një zgjidhje, ai shtoi se se duke filluar prej ditës së sotme, Partia Socialiste do të nisë rrugën pa Partinë Demokratike drejt zgjedhjeve të 18 qershorit. “Pretendimi se në zgjedhje do të shkojmë pa PD-në, po merr formë përfundimtare për shkak të verbërisë së liderit të vjetër dhe kryetarit të ri që imiton të vjetrin dhe lider nuk do mund të bëhet dot”, u shpreh Rama. Gjatë fjalës së tij Rama deklaroi se opozita refuzoi edhe mundësinë për t’u bërë pjesë e qeverisë para dhe gjatë fushatës zgjedhore me një zv/kryeministër dhe tre zv/ministra. Sipas tij, PD nuk përfitoi nga koha e vënë në dispozicion nga shumica pas tërheqjes nga zgjedhjet vendore të Kavajës. Ai shtoi se në vend që opozita të pranonte ofertën e maxhorancës, festoi fitore imagjinare. “E humbi këtë kohë të çmuar në mënyrë abuzive duke festuar një fitore imagjinare. Me shumë keqardhje, fija e shpresës që PD të kthehet në rrugën e arsyes, të zhbllokojë Vetingu, të votojë reformën zgjedhore, të zgjedhë zv/kryeministrin dhe tre zv/ministra, është një fije shpresë tanimë e padukshme”, tha Rama. 

“Sot është dita kur po shkon drejt përfundimit një proces i vështirë, përgatitjet për zgjedhjet e 18 qershorit, një proces i vështirësuar nga PD, një parti e cila lindi 27 vjet më parë si mishërimi i aspiratës kombëtare për “Shqipërinë si gjithë Evropa, ndërsa sot është kthyer në një bunker plastmasi. Ju e dini se sot duhet të zhvilloheshin zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës. Ne u tërhoqëm për të shmangur derdhjet rrugës të Kavajës dhe për t’i krijuar PD mundësinë e fundit për përfshirjen me dinjitet në zgjedhjet e 18 qershorit. Kurrë gjatë 15 proceseve zgjedhore gjatë pluralizimit opozita nuk ka pasur mundësinë që ka pasur sot, për t’u bërë pjesë e qeverisë nga fillimi në fund të fushatës zgjedhore, për të monitoruar procesin. Sot mund të jetë dhe mund të japë një kontribut konkret për përmirësimin e standardeve zgjedhore të këtij vendi. Por deri tani PD nuk ka dëgjuar të punojë me ne për të mirën e Shqipërisë dhe zor se do ta bëjë detyrën e saj. Fatkeqësisht, kohën e fituar nga tërheqja jonë nga Kavaja, PD nuk e shfrytëzoi për të mbyllur laboratorin e krizës artificiale në Bulevard. E humbi këtë kohë të çmuar në mënyrë abuzive duke festuar një fitore imagjinare. Me shumë keqardhje, fija e shpresës që PD të kthehet në rrugën e arsyes, të zhbllokojë Vetingu, të votojë reformën zgjedhore, të zgjedhë zv/kryeministrin dhe tre zv/ministra, është një fije shpresë tanimë e padukshme. Pretendimi se në zgjedhje do të shkojmë pa PD-në, po merr formë përfundimtare për shkak të verbërisë së liderit të vjetër dhe kryetarit të ri që imiton të vjetrin dhe lider nuk do mund të bëhet dot. Nëse nuk ndodh mrekullia sot, nesër ne nisim rrugën drejt 18 qershorit pa Partinë Demokratike”, u shpreh Rama. 
Sigal