Kryeministri Rama nuk e do dialogun, por ia imponojnë partnerët ndërkombëtarë

218

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së

Kryeministri Rama, duke pranuar dialogun me Bashën, ka rrëzuar tezën e artikuluar prej tij, se “rrugë humburi” dhe partia e tij janë vetë asgjësuar politikisht

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Kushtetuta i njeh të drejtën kushtetuese Presidentit të Shqipërisë që të shtyjë datën e zgjedhjeve vendore, por, njëkohësisht, zgjidhjet jo kushtetuese e ligjore kanë krijuar në Shqipëri precedentë që e kanë justifikuar mosrespektimin e normave juridike. Prof. Sherifi thotë se zgjedhjet vendore mund të bëhen mes tymit e flakës, por ato do të rëndojnë krizën politike e institucionale. Prof. Sherifi shpreh mendimin se kryeministri Rama, edhe pse nuk e do dialogun, do imponohet nga presioni i partnerëve ndërkombëtarë të ulet në dialog pa kushte me opozitën.

– Prof. Sherifi, a e ndalon Kushtetuta kryeministrin që të shtyjë afatin e zgjedhjeve vendore që ato të mos jenë një farsë pa pjesëmarrjen e Opozitës?

– Normat Kushtetuese e ligjore në shtetin e së drejtës janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Në Shqipëri janë krijuar precedent që e kanë ligjëruar mos respektimin e normave juridike. Zgjidhjet jo Kushtetuese e ligjore janë imponuar nga situatat politike dhe janë pranuar si instrument i vetëm për zgjidhjen e krizës politike. Precedentët janë shndërruar si burim i së drejtës, kur nuk mund të jepet zgjidhja kushtetuese e ligjore. Kompetencë për shtyrjen e zgjedhjeve nuk e ka kryeministri, por kryetari i shtetit, Presidenti i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të zhvillohen mes tymit e flakës, por ato nuk mund të zgjidhin krizën e rendë politike e Institucionale, por do e thellojnë atë.

– Kryeministri Rama shtriu dorën për Dialog pa kushte me Opozitën por kushtëzon që nuk shtyn datën e zgjedhjeve. Atëherë a është i sinqertë ky dialog i propozuar nga Kryeministri?

– Ftesa për dialog për opozitën reale vjen edhe si rezultat i lëvizjeve të faktorëve ndërkombëtarë dhe vërteton sa e gabuar ishte krijimi i “opozitës së re” parlamentare. Dialogu është instrument politik që bazohet te bashkëpunimi për vendime konsensuale. Dialog me kushte, nuk mund të ketë, por dialogu mund të krijojë premisa për zgjidhjen e krizës, përmes tolerancës së më të fortit. Kryeministri Rama, duke pranuar dialogun me Bashën, ka rrëzuar tezën e artikuluar prej tij, se “rrugë humburi” dhe partia e tij janë vetëasgjësuar politikisht. Sepse logjika politike dhe ligjet e logjikës formale nuk pranojnë se mund të ketë dialog, midis “të fortit” politik dhe “mosekzistentit” politik. Kryeministri Rama nuk e dëshiron dialogun, por e artikulon se kanë filluar ta kërkojnë atë edhe faktorë të jashtëm, të cilët i monitorojnë zhvillimet politike në Shqipëri. Dhe dua ta besoj se zëri i arsyes do imponojë zgjidhjen e krizës së dukshme politike dhe institucionale.

– Dialog me këtë kushtëzim a mund të jetë konstruktiv për të zgjidhur krizën?

– Përvoja politike më shtyn të besoj se ajo që duket e pamundur, mund të bëhet realitet, pasi të gjitha krizat politike në Shqipëri janë zgjidhur nga vetë shqiptarët. Shqipëria dhe imazhi i saj janë shumë më të vlefshme se një karrige kryeministri. Teza, se Kushtetuta nuk lejon ndryshimin e datës së zgjedhjeve vendore, apo zgjidhjet e parakohshme parlamentare nuk qëndron. Me kërkesën e Ramës janë shtyrë zgjedhjet vendore për certifikatat dhe socialistët e Spanjës kanë bërë tre zgjedhje parlamentare brenda katër vjetësh dhe i fituan përsëri. Rama nuk ka përse të hyjë në historinë politike e institucionale si kryeministri që ka frikë të konkurrojë me inekzistentët dhe të djegë Shqipërinë nga marrëzia e “rrugëhumburëve”.!