Kryeministri Rama në Vjenë merr mbështetjen e Austrisë për negociatat

586
Sigal

Kancelari i Austrisë Kurz dje, në konferencën e shtypit me kryeministrin Rama, në Vjenë, e tha qartë: Shumë e vështirë që BE-ja të hapë negociatat me Shqipërinë në 28 qershor. Dje, kryeministri Rama u takua në Vjenë me kancelarin e Austrisë, Kurz, ku u diskutuan temat e emigrimit dhe të çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë. Austria në korrik 2018 merr Presidencën e radhës të BE-së. Në konferencën e përbashkët të shtypit, kryeministri Rama pranoi se ka një harmoni të plotë me Kancelarin austriak, për krijimin e një mundësie të një rruge të re të emigrantëve përmes Shqipërisë drejt Evropës qendrore, dhe kërkoi ndihmën e Austrisë, për të shmangur rishfaqjen e skenave të 2015-s. Për sa i përket lobingut për negociatat, kryeministri Rama tha: “Dua ta falënderoj edhe për gatishmërinë e tij për të na ndihmuar në shpjegimin deri në fund të domosdoshmërisë për të vazhduar procesin e integrimit, për të çelur negociatat, sepse Shqipëria e meriton, e ka marrë me meritë këtë rekomandim pozitiv të pakushtëzuar nga Komisioni Evropian, edhe me disa vende mike që, siç e tha Kancelari, për arsye të tyre të brendshme janë në pozita pak më skeptike për momentin”. Kancelari Kurz nuk garantoi dot nëse BE-ja do të vendosë hapjen e negociatave: “Nuk mund t’ju jap një përgjigje, apo siguri për këtë. Siç e tha dhe Kryeministri, ka disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët për shkak të problemeve, apo çështjeve të tyre të brendshme, e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, pra, të thonë po. Megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri, që të shkojë drejt rrugës së reformave.”