Kryeministri Rama në Shkodër/ Kush bllokon zgjedhjet do të shkojë në burg. Qytetarët e Shkodrës e presin me protesta dhe i bllokojnë hyrjen

386
Sigal

Kryeministri nga Shkodra: Kush bllokon zgjedhjet, do shkojë në burg

Shkodranët e presin Ramën me protesta, bllokojnë hyrjen në Bahçallëk

Tashmë është bërë “traditë”. Kudo që shkon kryeministri Rama, qytetarët e “presin” në rrugë, veçse jo me lule e duartrokitje, por me protesta, me bllokim rrugësh, edhe pse kryeministrin Rama e shoqëron gati – gati një ushtri e policisë. Edhe dje qytetarët shkodranë bllokuan Bahçallëkun, edhe tek ura e Spatharit në Vaun e Dejës duke bllokuar të dy anët që lidhen me Shkodrën për të penguar eskortën e kryeministrit, për ta penguar të shkojë në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe. Qytetarët u përleshën me policinë, ndërkohë që dogjën edhe llastikë në rrugë. Përpara përplasjes, protestuesit u ulën këmbëkryq në hyrje të Bohçallëkut dhe shprehen të vendosur se nuk do të lejojnë kryeministrin Edi Rama të hyjë në Shkodër. Por forcat e policisë ndërhynë me arsyetimin se rruga duhej liruar, sepse protesta ishte pa leje. “Duhet të hapni rrugën se s’bën. Është e kundraligjshme.”, tha një nga përfaqësuesit e Policisë, e cila përherë ka paditur penalisht dhjetëra qytetarë protestues, madje disa herë edhe i ka keqtrajtuar qytetarët e arrestuar në protestat e rrugës në komisariate.

Studentët e presin me protesta kryeministrin

Studentët e Universitetit të Shkodrës e kanë pritur kryeministrin Edi Rama me protesta. Ndërsa kreu i qeverisë ka shkuar për të inspektuar punimet në godinën universitare, studentë të Juridikut dhe Ekonomikut kanë zgjedhur ta presin me protesta. Nën thirrjet e studentëve “turp, turp, turp”, kryeministri është detyruar të premtojë zgjidhjen e problemeve për 45 ditë.

Kërcënimi i Ramës

Kryeministri Rama ka përsëritur nga Shkodra kërcënimin me burg për të gjithë ata që do pengojnë procesin zgjedhor më 30 qershor. Ashtu siç ka bërë edhe në takimet e tjera të ditëve të fundit dhe në seancën plenare të së enjtes, Rama ka deklaruar se cilido që do e bëjë këtë, do shkojë në burg. “Kush pengon të tjerët të votojnë shkon në kokërr të burgut. Se ku do i gjejë Monika me Lulin të gjithë ata budallenj që të shkojnë në burg duke penguar procesin e votimit. S’ka shans që të marrin peng procesin zgjedhor me kërcënime, bllokime e të tjera si këto. Të nesërmen e 30 qershorit, Luli do ketë ik dhe do e kërkojnë.” – tha Rama qytetarëve të Shkodrës.