Kryeministri Rama në Parlament: Protesta e studentëve është shuplakë për qeverinë

539
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Presidenti nuk dekreton Buxhetin e 2019-s. Duhet të reflektojë bashkëpunim për plotësimin e kërkesave të studentëve

Protesta e studentëve detyroi edhe opozitën, që të rikthehej në sallën e Parlamentit, pas 5 muajsh, që e kishte bojkotuar. Më parë, LSI-ja kishte depozituar në Kuvendi 2 amendamente, të cilat kërkonin plotësimin e kërkesave të studentëve, për sa u përket kërkesave ekonomike që ato të reflektoheshin edhe në buxhetin e 2019-s.

Debati për kërkesat ekonomike të studentëve

Në punimet e seancës plenare të Parlamentit, nga LSI morën pjesë deputetët Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi. Po ashtu dhe PD erdhën deputetët Luçiano Boçi, Valentina Duka, Izmira Ulqinaku dhe Salianji. Deputeti Boçi, pasi foli për të shfuqizuar ligjin “Për Arsimin e Lartë” u drejtua nga podiumi dhe hodhi në drejtim të kryeministrit fletët e shkruara të ligjit “Për Arsimin e Larë”

Kryeministri Rama: Shuplaka e studentëve për qeverinë

Duhet ta flasim drejtpërdrejtë me studentët. Nga ky dialog duhet të dalë një marrëveshje e kalendarizuar, ku për çdo pikë të merren përgjegjësi dhe përgjegjësit e ngarkuar nga marrëveshja të përgjigjen për zbatimin, ose moszbatimin e çdo pike. Unë nuk mund ta parafytyroj dot një situatë në të cilën treçereku i atyre pikave nuk kanë lidhje fare me qeverinë. Nuk kanë lidhje me qeverinë, fare. Treçereku i atyre pikave janë çështje të brendshme të universitetit. Fakti që sot i kërkohen qeverisë, flet shumë. Flet për të vërtetën, që shpresa tek universiteti vetë ka vdekur. Shpresa se forumet brenda universitetit mund t’i zgjidhin këto probleme, probleme të mëdha shumë… Unë i falënderoj studentët për shuplakën që i kanë dhënë qeverisë, edhe mua, po të doni. Problemin themelor që ka universiteti, as nuk e zgjidhin këto, as nuk e zgjidhim dot ne vetë, pasi ne i kemi njohur universitetit autonominë, as nuk e zgjidhin dot ata rektorë e dekanë që akoma nuk e kanë nxjerrë fytyrën në televizor të thonë, çfarë u ka takuar atyre të bëjnë dhe nuk e kanë bërë dhe, njëkohësisht, të kërkojnë nga studentët, duke qenë të vërtetë e të sinqertë me ta, që të kuptojnë, se ku qëndrojnë problemet dhe ku gjenden zgjidhjet e këtyre 8 pikave, as ata nuk e bëjnë dot vetë. Studentët jo e jo. Ndërsa të gjithë bashkë, patjetër po!

Rrëzimi i amendamentit të LSI-së

Fillimisht Luan Rama kërkoi që të diskutoheshin 2 amendamentet e LSI, që propozoi që qeveria të japë 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, GDP, për arsimin, si edhe të krijohet një Fond Emergjence për Arsimin me vlerë 5 miliardë lekë. Kryetari i Kuvendit kundërshtoi, pasi tha, se buxheti i 2019-s është miratuar dhe ka shkuar për dekretim tek Presidenti. Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, nga Kuvendi ka njoftuar amendimet e ligjit të arsimit të lartë janë vetëm fillimi. Mehmetaj u shpreh se opozita është në Kuvend për studentët, pasi ata i sollën shpresën këtij vendi. “Kjo arrogancë ju solli në këtë ditë. Na lini të flasim ne të rinjtë, qe i njohim hallet e studentëve. Ky parlament i kapur duhet të ishte i studentëve. Ne jemi këtu për studentët. Amendamentet, ja ku e keni zgjidhjen. Ky parlament që është i kapur nuk mendon dot për studentët. Studentet janë krenaria jonë më e madhe, ata i sollën këtij vendi shpresën që i humbet ju. Këto amendamente janë vetëm fillimi. Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla hodhi tezën se buxheti nuk mund të ndryshohet për të plotësuar kërkesat e studentëve, pasi ai është tashmë në dorë të Presidentit Ilir Meta.

Taulant Balla“Si ka mundësi që guxoni të talleni me ata që janë në shesh edhe në formën e një kërkese? Si ta ndryshoj unë buxhetin Petrit, kur buxheti është te Ilir Meta? Buxheti sot është te Ilir Meta, nuk është në Kuvend. Është te Presidenti i Republikës. Të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit është një procedurë që nuk bëhet me dy gisht letër, po kjo është tallje. 28 vjet tallje dhe doni të bëni edhe 28 minuta tallje me studentët këtu në sallën e Parlamentit. Ne nuk tallemi me studentët, ne e kemi nisur këtë proces dhe të jeni të sigurt se ky proces dialogu do të vijojë derisa t’i jepet zgjidhje.” 

Presidenti Meta nuk dekreton Buxhetin e 2019-s

Presidenti Meta ndërmerr një veprim të rëndësishëm. Kthen për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

Dekteri i Presidentit Meta: Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij. Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.

Reagimi i kryeministrit Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në Twitter lidhur me kthimin e ligjit të buxhetit në Kuvend nga Presidenti. Ai ironizon Metën, duke shprehur çudinë, se si ky hap i tij ndërmerret menjëherë pas propozimeve të LSI për amendimet. Rama përsërit sërish ftesën ndaj studentëve për dialog.

Rama: Interesant! Presidenti kthen buxhetin e Shqipërisë pas prezantimit të kërkesave të LSI-së. Asnjë çudi!Vazhdon pa pushim e në çdo formë, presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër Dialogut. Miq! Dilni nga kurthi i atij kori dhe bëhuni individë që flasin në emër të vetes!