Kryeministri Rama në Bruksel: “Bashkë me opozitën për Integrimin”

142

Kryeministri Rama, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, si kryeministri i ri shqiptar, është takuar me zyrtarët më të lartë të BE-së. Liderët e BE-së shprehën mbështetjen e tyre për qeverinë e re, duke kërkuar konsolidimin e progresit në reformat kyçe, në mënyrë që Shqipëria të mund të marrë statusin kandidat në muajin dhjetor. Në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama, Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy deklaroi se, nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Duke theksuar se, statusi për Shqipërinë është gjithnjë e më afër, presidenti Van Rompuy inkurajoi qeverinë e re që të konsolidojë arritjet e vendit. Kryeministri Rama u shpreh se ndjehej i nderuar që ndau me Presidenti Van Rompuy kënaqësinë për zgjedhjet në Shqipëri, për faktin që Shqipëria më së fundi ishte e aftë të kryejë zgjedhjet që shqiptarët meritojnë. Kryeministri Edi Rama ka garantuar Presidentin Van Rompuy që fryma konstruktive, e cila ishte në diskutimin e parë të parlamentit të ri do të forcohet dhe nën drejtimin e ri të parlamentit. Të gjitha partitë do të kenë mundësinë të shprehen në një mënyrë të re dhe nën rregulla dhe procedura të reja të aprovuara me konsensus. Kryeministri Rama në të gjithë vizitën e tij me zyrtarët më të lartë të Brukselit ka garantuar se “qeveria e re do të jetë tërësisht e dedikuar ndaj një Shqipërie Evropiane.” Presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso zhvilloi një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Bruksel ku kanë diskutuar mbi detyrat e mëtejshme që e presin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Barroso shprehu disa vlerësime për punën e bërë deri tani nga ana shqiptare, ndërsa theksoi se Komisioni Europian pret nga politika shqiptare bashkëpunim, dialog, konsensus. Barroso vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit në Shqipëri, ndërsa drejtoi apelet për Shqipërinë. “Zgjedhjet shkuan vërtet mirë, shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Është shumë e nevojshme përkushtimi i shqiptarëve gjithashtu dhe dialogu është shumë i rëndësishëm për suksesin e Shqipërisë, gjithashtu është e nevojshme një bashkëpunim i përbashkët, përkushtimi në disa çështje kryesore: Bashkëpunimi mes opozitës dhe maxhorancës. Por ka dhe një çështje që kërkon një vëmendje të veçantë, nuk ka kohë për të humbur reformat duhet të vazhdojnë, dhe rezultatet e tyre të ndihen tek qytetarët shqiptarë”, -tha Barroso.