Kryeministri Rama: Ky sezon turistik për Shqipërinë është më i miri se në të kaluarën. Por shteti hesht për dhjetëra të mbytur

542
Sigal

Kryeministri e vlerëson me nota maksimale sezonin turistik. Siguria, pastërtia, cilësia e shërbimit këtë vit, sipas tij kanë qenë shumë më të larta se vitet e shkuara. Atyre që ankohen se çmimet janë të larta, Rama iu kundërvë opinionet e turistëve të huaj që kanë pushuar në Shqipëri. “Atyre që thonë çmimet janë të larta, iu them: Turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë është shumë e bukur, çmimet janë të lira dhe mikpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë, shqiptarët thonë pushimet janë shumë të shtrenjta. Ose turistët e huaj janë nën efektin e drogës ose pastaj ka një problem me vetë këta që komentojnë. Çmimet i vendos tregu jo qeveria. Nuk ka çmime të larta që e lënë restorantin apo hotelin bosh, sepse falimenton. Përderisa ka klientë, atëherë do të thotë që ka një balancë. Nuk diskutohet që në Shqipëri pushimet janë shumë të lira. Numri i shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë shtetit është rritur. Kjo tregon rritje të fuqisë së konsumit”, – u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij. Kryeministri dhe ministrat e Turizmit dhe Bujqësisë bashkëbiseduan në plazhin e Gjirit të Lalzit me të rinjtë. Por kryeministri Rama “harroi” numrin e madh të të mbyturve në plazhet tona, sepse akoma nuk ka kudo pika vrojtimi, ndërsa shumë shqiptarë me të drejtë u ankuan për çmimet e “kripura” në shërbimet turistike, ndërsa shabllonet e boshatisura, të publikuara përditë dëshmuan qartazi se turistët e huaj dhe vendas nuk pushuan në plazhet tona.