Kryeministri Rama: Këto ditë prezantohet reforma e titujve të pronësisë. Bashkohen ALUIZNI dhe Hipoteka. Ja vendimi

279

Në takimin me qytetarë dhe koordinatorë të bashkëqeverisjes, kryeministri Rama, ndër të tjera tha: Platforma www.shqiperiaqeduam.al  është rruga më e shkurtër, më e shpejtë dhe më e sigurt për të zgjidhur çdo hall dhe çdo problem me administratën në zyrat e shërbimeve për qytetarët. Tre minuta për të hyrë në Platformë dhe për të regjistruar ankesën apo kërkesën dhe pas 3 minutash është titullari më i lartë, ministri apo ministrja që janë në krah të qytetarit apo të qytetares për të adresuar problemin. Është e pamundur që të presim nga institucionet që të sillen siç do sillen nesër, kur ne ta kemi modernizuar shtetin, prandaj njerëzit duhet të na vënë vazhdimisht në dijeni, në mënyrë që të bëhemi bashkë dhe të zgjidhim problemet. Reformat duan kohën e tyre. Institucionet duan kohen e tyre. Të bësh shtet, do të thotë në radhë të parë të kesh një administratë që funksionon si robot, që nuk i shikon njerëzit as nga prejardhja, as nga xhepi, as nga statusi social, as nga mosha, as nga gjinia, por iu përgjigjet sipas ligjit. Këto ditë, ministrja e Drejtësisë do të hapi konsultimin publik për projektin e një reforme rrënjësore, e cila do të bashkojë ALUIZNI-n dhe hipotekën në një institucion të vetëm. Nga ana tjetër do të hapë rrugën e një transformimi të madh nga pikëpamja e sistemimit digjital të të gjithë të dhënave, do të adresojë disa probleme kyçe, ndër të cilat problemi i disa komuniteteve në veri të vendit, sidomos, por dhe në ndonjë zonë të jugut, që e kanë refuzuar 7501-n, si rezultat i paqes së vendosur mes tyre për tokat e të parëve, këto komunitete e kanë të pamundur që të kenë akses në financime të çfarëdo natyre dhe në mbështetje të çfarëdo natyre nga bankat, apo nga fondet mbështetëse vendase apo evropiane, për shkak se janë faktikisht në tokën e të parëve, por nuk ekzistojnë në asnjë regjistër.