Kryeministri Rama: Kandidaturën për kryebashkiakun e Tiranës nuk e vendos unë, por do ta përzgjedhin strukturat e PS-së

483
Sigal

Kryetari i PS dhe kryeministri Rama mbrëmë në një intervistë televizive mohoi se PS-ja e ka vendosur që tani kandidaturën e saj për kryebashkiakun e Tiranës. Kryeministri Rama pohoi se nuk është ai, as ndonjë tjetër, që mund të vendosin se cili do të jetë kandidati për kryebashkiakun e Tiranës, por do të vendosin në të ardhmen strukturat e PS-së në Tiranë. Madje, kryeministri Rama tha se askush nuk duhet të bëjë që tani fushatë elektorale për kandidaturën e kryebashkiakut të Tiranës për PS-në. Herë tjetër, kryeministri Rama kishte shfaqur haptazi dëshirën se kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të rikandidojë, ngaqë ka punuar shumë mirë, ndërsa mbrëmë ishte kategorik, se ende asgjë nuk është vendosur, madje as ai, si kryetari i PS-së nuk mund të vendosë për asnjë person, qoftë edhe kryebashkiaku aktual. Për prezantimin e buxhetit për bujqësinë kryeministri Rama zgjodhi fshatin Ibë, dhe veçoi rritjen e eksporteve që sipas tij janë dyfishuar në krahasim me 2013-ën. “Për herë të parë ekspertet pritet të tejkalojnë 300 mln dollarët. Kur filluam punën në 2013 ishte 150 mln”, tha Rama. Ndërsa importet e prodhimeve bujqësore për herë të parë nuk janë rritur. “Tregon se prodhimi vendas po rritet dhe po mbulon nevojën për ushqime”, u shpreh Kryeministri. Buxheti i vitit 2019, sipas Ramës, do të jetë në nivel rekord për sa i përket mbështetjes që do ofrojë për fermerët.