Kryeministri Rama, ka shpenzuar 25 milionë euro për blerje apo qira makinash

119

Jakup B. GJOÇA

Akuza: Qeveria shpërdoroi 11.3 miliardë lekë për luks për 8 muajt e 2018-s , sa është fondi i ndihmës ekonomike

Borxhi publik i Shqipërisë, deri në prillin e 2018-s ishte 83 miliardë euro dhe qeveria e kryeministrit Rama e ka rritur borxhin me 3,2 miliardë euro. Shumicën e këtyre miliardave euro e kanë thithur koncesionet e tenderët që ka dhënë qeveria e Rilindjes, deri tani janë dhënë mbi 2.500 tenderë dhe koncesione, sa edhe FMN dhe BB kanë dhënë alarmin, sepse ato po rritin borxhin e jashtëm publik të Shqipërisë, i cili tashmë e ka kaluar 73 %, nga 64 %, që ishte në 2013-n.

61.2 milionë euro janë harxhuar për luksin e qeverisë në 5 vite

61.2 milionë euro janë harxhuar për luksin e qeverisë në 5 vite, kjo është akuza e PD-së për shpenzimet marramendëse të qeverisë së kryeministrit Rama. Përmes një deklarate për mediat, drejtuesja e Departamentit të Anti-korrupsionit në Partinë Demokratike, Lealba Pelinku ka thënë se brenda 8 muajsh, qeveria e Ramës ka shpërdoruar për luks 11.3 miliardë lekë, aq sa është fondi për ndihmën ekonomike. Pelinku u shpreh se AKU dhe AKT kanë përvetësuar 188 milionë lekë nga buxheti i shtetit vetëm për dy limuzina luksoze. Deklarata e Lealba Pelinku: Ndërsa Shqipëria kryeson turpshëm listën e vendeve të varfra, qeveria Rama për pesë vite ka vazhduar praktikën e shtimit të luksit për interesa personale, praktikën e shpërdorimit të parasë publike për luksin personal. Rama urdhëroi shpërdorimin e miliarda lekëve të marra borxh nga FMN, duke i kthyer në bojë për fasada, duke rritur borxhin publik në kufijtë më të lartë në histori. Por grabitja nga korrupsioni nuk ndalet me miliardat në të ashtuquajturën Rilindjen urbane. Vetëm për vitin 2018 qeveria e tepsisë Rama, ka shpenzuar 25 milionë euro për blerje apo qira makinash për zyrtarë e qeveritarë. Ndërkohë që prej vitit 2014 kjo vlerë shpenzimesh luksi kapi shifrën marramendëse prej 61.2 milionë euro. Sa më shumë shfleton fletoret e buletinet e tenderëve publik, aq më shumë tmerrohesh nga skandali në të cilin është përfshirë kjo qeveri dhe kjo mazhorancë. Këto ditë zbardhet edhe një fakt tjetër. Kompania “Fusha”, e përfolur në koncesionin e prishjes së Teatrit Kombëtar, ka fituar edhe tenderin në UKT, edhe pse ka dhënë ofertën më të lartë, në krahasim me kompanitë e tjera. Tenderi “Asfaltimi i objekteve të investimeve dhe mirëmbajtjes së rrjetit UKT sha”. Fondi për këtë tender ka qenë 14.885.745 lekë të reja pa TVSH. Në tender kanë marrë pjesë 4 firma, ku një firmë nuk ka paraqitur ofertë ekonomike. Oferta më e ulët, e cila duhet edhe të dilte fituese, ka qenë prej 9.450.000 lekë pa TVSH. Ndërkohë, firma “Fusha” shpk ka ofruar plot 13.147.050 lekë pa TVSH, ose mbi 90 për qind të shumës së akorduar nga UKT Tiranë

AKU dhe AKT 188 milionë lekë për 2 makina limuzinë

Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga vetë qeveria, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shpenzuar nga buxheti i tij, 88 milionë lekë për një limuzinë Sedan, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Turizmit, një tjetër çerdhe korrupsioni e Edi Ramës, ka shpenzuar 100 milionë lekë për 1 automjet të vetëm.