Kryeministri Rama i përgjigjet Metës: Ja zgjidhja për Lleshin

559
Sigal

Përmes një letre që mban datën 12 nëntor, kryeministri Edi Rama i kthen përgjigje presidentit Meta lidhur me argumentet e tij për mos dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm. Në argumentet që kreu i shtetit i kishte shkruar në kërkesën drejtuar ministrisë së Mbrojtjes për të sqaruar pozicionin e Sandër Lleshajt shkruhej se emërimi i gjeneralit ishte një problematikë themelore kushtetuese. “Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti apo veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë dhe as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra.” Kryeministri Rama nuk fshehu keqardhjen ndaj shkresës me 14 pyetje që presidenti i kishte dërguar ministrisë së Mbrojtjes, pasi ngërçi për të cilin flet Meta mund të ishte evituar

Edi Rama: “Nëse ju do të kishit shkruar qysh në krye të herës ato pyetje që shkresa përmban lidhur me statusin e gjeneralit Sandër Lleshaj me siguri nuk do të kishit përjetuar krisjen e “herës së parë” në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm. E them këtë sepse, jo vetëm ju do të kishit marrë përgjigjen shteruese, që jep, besoj unë, shkresa e ministres për ju, por përtej çdo interpretimit të mundshëm pengues për dekretimin si ministër të statusit të gjeneralit Lleshaj, pa diskutim do të kishit gjetur në rast interpretimesh të ndryshme zgjidhjen e thjeshtë që po prezantoj unë sot.” Për të zgjidhur këtë Kryeministri Rama ofron dy zgjidhje, të cilat siç thotë ai mund t’i kishte gjetur dhe vetë presidenti.

Zgjidhja nr 1

Pas dekretimit si ministër, presidenti mund ta çdekretonte nga posti i gjeneralit. “Ekspertët tanë, mbrojnë gjithashtu bindjen se, edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjenerali Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga presidenti i Republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit tuaj si ministër.

Zgjidhja nr 2

Zgjidhja tjetër është që kreu i shtetit fillimisht ta çdekretonte si gjeneral Sandër LLeshaj dhe më pas ta dekretonte si ministër të Brendshëm. Për këtë i është bashkangjitur dhe i është dorëzuar dhe kërkesa e zv/ministrit Sandër Lleshaj për ta çdekretuar si gjeneral aktiv, “në rast se ndryshe nga ne, që mendojmë se ky nuk është rasti ju mund të mendoni se statusi i tij aktual është ai i gjeneralit aktiv” thuhet në letër.

Letra vijon: “Siç na mësoi eksperienca jonë, e juaja dhe e imja e kam fjalën, që fatmirësisht nuk jemi juristë, kurdoherë e kudo që ka një rast të tillë ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme, kështu që është e tëra e juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministres apo e një opinioni të ndryshëm nga ai i ynë, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund të ç dekretoni Sandër Lleshaj si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) dhe pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë). Kryeministri Rama e mbyll letrën duke vijuar keqardhjen pasi një ngërç i tillë mund të evitohej dhe sqaron arsyen pse në adresimin e tij e ka quajtur Gjeneral, Sandër Lleshajn. “Duke ju falënderuar paraprakisht për angazhimin tuaj në zgjidhjen e këtij ngërçi, që siç e thashë më lart mund të ishte evituar si dhe duke ju sqaruar bazuar në shqetësimin e përcjellë tek unë, përmes ministres së Mbrojtjes, se adresimi im si gjeneral kur i referohem ministrit të Brendshëm ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës në karrierën e shkëlqyer të dikujt, pranoni zoti President shprehjen e konsideratës time më të lartë për institucionin tuaj.”

Twitteri fshihet për disa minuta

Nuk kaloi shume dhe kryeministria njoftoi replikën ndaj presidentit që kryeministri kishte hedhur në Twitter. Bëhej fjalë për një letër që Rama i kishte drejtuar Metës dhe që mbante datën e djeshme. “Duke qenë se Presidenti ka publikuar shkresën me pyetjen e tij të ndarë në plot 14 pyetje, ja edhe shkresa ime lidhur me pyetjen e Tij. Kjo ka bashkëlidhur një kërkesë të gjeneral Sandër Lleshit për Presidentin, e cila e shteron fare këtë vorbull të panevojshme” shkruante statusi i Ramës shoqëruar dhe me fotokopje te dokumentit. Por brenda disa sekondash twitteri u fshi për t’u ripublikuar pak minuta më vonë.