Kryeministri Rama: Falë Platformës Bashkëqeverisëse qytetarët marrin zgjidhje

470
Sigal

Kryeministri Ram, dje u takua me një grup qytetarësh, të cilët i shprehën kryeministrit falënderimet, për zgjidhjen e problemeve të tyre, nga platforma e bashkëqeverisjes. Kryeministri Rama, ndër të tjera, tha: Për ne është shumë e rëndësishme që falë Platformës së Bashkëqeverisjes, çdo javë, qytetarët që i drejtohen Shqipëriaqëduam.al marrin zgjidhje, por edhe të tjerët të marrin mesazhin se nuk është absolutisht e nevojshme të presin. Nuk duhet të ngurrojnë, nuk ka nevojë të kërkojnë rrugët e vjetra të tarafeve, të miqësive, të partive, të ryshfetit jo e jo, por mjafton të drejtohen te Shqipëriaqëduam.al, për të pasur menjëherë në dispozicion vetë qeverinë, vetë titullarin e dikasterit, ku është përgjegjësia për adresimin e problemit dhe falë mbështetjes së koordinatorëve të platformës të marrin zgjidhje. Ne jemi në një proces shumë të rëndësishëm reformimi dhe transformimi të agjencive, qoftë të hipotekës, qoftë të ALUIZNI-t dhe paralelisht po punojmë me gjithë bazën digjitale të të dhënave, pasi e kemi marrë zotimin që deri në fund të mandatit, dokumentet e pronësisë do të jenë një procedurë shumë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, e digjitalizuar.