Kryeministri Rama: E lexuam mesazhin e studentëve, gabuam, do të vetëkorrigjohemi. Ndryshimet në qeveri në kohën e duhur

492
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Rama: Do të vetëkorrigjohemi, kemi shumë për të bërë…

Kryeministri pranon se do të bëhen ndryshime në qeveri, por, hap pas hapi, në kohën e duhur

Kryeministri Rama, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, pranoi që ai si kryeministër nuk është i pagabueshëm, por PS-ja edhe qeveria ka gabuar, madje, ka shumë gjëra për të përmirësuar.

Kryeministri Rama: Do të vetëkorrigjohemi

Në një kohë kur shqiptarët janë në protesta të vazhdueshme, sikurse studentët, banorët e Unazës së Re, komuniteti i artistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar nga shkatërrimi, banorët e shumë qyteteve që protestojnë në rrugë kundër çmimit të shtrenjtë të karburanteve etj., kryeministri Rama pohoi dje se ai dhe qeveria e tij do të vetëkorrigjohen.

Kryeministri Rama: Në kuadrin e një procesi të premtuar reflektimi, që sigurisht merr shtysë nga protesta e studentëve, por është në ADN-në tonë dhe është një tjetër shprehje e vetëdijes, se çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar, se nuk jemi të pagabueshëm, është një sfidë më vete që të vetëkorrigjohemi në vijim, janë drejtpërdrejtë të lidhura me raportin e krijuar në terren mes njerëzve. Kemi shumë për të korrigjuar dhe shumë për të përmirësuar dhe është një proces pozitiv.

Rama: Protesta e studentëve, shuplakë

Kemi diskutuar edhe për protestën, arsyet, faktorët, dobishmërinë e madhe të protestës dhe për domosdoshmërinë që ne ta mishërojmë ashtu siç duhet atë që është shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori nga shumë studentë. I kanë dhënë një shuplakë qeverisë, reflektimi ynë, i domosdoshëm pas asaj shuplake do të vazhdojë…

A do të bëhen ndryshime në qeveri pas këtij reflektimi?

Kryeministri Rama e pranoi që mendon të bëjë ndryshime në qeveri, madje, sipas burimeve, në mbledhjen e kryesisë të PS-së u diskutua edhe çështja e riformatimit të qeverisë, por çdo gjë u la të zbardhet në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ndërkohë, kryeministri Rama, i pyetur për ndryshimet në qeveri pohoi: Çdo gjë hap pas hapi. Ju e dini që unë nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën. Nga ana tjetër, unë di gjithmonë radhën e lëvizjeve pasi gjithmonë mendohem gjatë përpara se sa të bëj çdo lëvizje.

Të premten Asambleja Kombëtare. Kongresi i PS-së, në mars 2019

Sipas burimeve, dje në kryesinë e PS-së u diskutua edhe strategjia politike që do ndjekë PS-ja në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, ndërsa hollësitë për kandidaturat për kryebashkiakë, janë lënë më vonë, ndoshta në kongresin e PS-së, që u caktua të mblidhet në mars 2019. Të premten, më 28 dhjetor, do të mblidhet Asambleja Kombëtare, ku do të analizohet qeverisja, pakënaqësitë që shfaqin qytetarët, mangësitë e punës të çdo ministri, mbi bazën e së cilës do të merren edhe vendimet për largimin e tyre. Kryeministri Rama ngriti tonet e kritikës ndaj drejtuesve të FRESSHIT, të cilët nuk mundën të parashikonin pakënaqësitë, u gjendën të papërgatitur përballë protestës së studentëve, të paorganizuar, të paide. Të njëjtat burime bëjnë me dije, se në Asamblenë Kombëtare, do të kërkohen edhe dorëheqje të disa krerëve të FRESSH-it.