Kryeministri Rama: Do luftojmë më fort krimin ekonomik për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian

272

Deputeti gjerman jep mbështetjen në Tiranë për hapjen e negociatave. Kryeministri shkon në Austri për lobing

Kryeministri Edi Rama dje ishte i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave e Ekonomisë me ERNST&Young. Kryeministri Rama tha se me ndihmën e këtij ekipi gjermano-amerikan do të luftohet më mirë një fenomen i dëmshëm në Shqipëri siç është krimi ekonomik. “Eksperienca që do të sjellin partnerët tanë do jetë vlerë e madhe e shtuar. Kjo marrëveshje do të forcojë pozicionin tonë në luftën kundër krimin në tërësi, dhe krimit ekonomik në veçanti. Një ekip i gjerë gjermano-amerikan ekspertësh do të vendoset këtu në Shqipëri e do të punojë me strukturat e hetimit të ministrisë së Financave për të mundësuar çeljen e një procesi pune të përbashkët dhe rritjen e kapaciteteve të këtyre agjencive në goditjen e një fenomeni pasi kemi shënuar disa rezultate të rëndësishme. Operacioni “Forca e ligjit” është shembull i faktit se përtej punës së përditshme, rutinës së Policisë së Shtetit, adresimi në mënyrë prioritare i një fenomeni problematik për shoqërinë shqiptare, siç është goditja e rrjeteve të krimit të organizuar, kërkon kombinim mes shumë strukturash. Për nga përmasat dhe rrezja e veprimit, kjo strukturë e re është shumë më e vogël, por për nga synimet është i njëjti model, i bazuar te eksperienca më e mirë ndërkombëtare dhe tek domosdoshmëria që agjencitë tona të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit apo korrupsionit, pa diskutim që ky problem i trashëguar”- tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Rama vizitë zyrtare në Austri për hapjen e negociatave

Kryeministri Edi Rama do të shkojë për një vizitë zyrtare në Austri ditën e mërkurë. Gjatë qëndrimit atje, Rama do të zhvillojë një takim me kancelarin austriak Sebastian Kurtz, takim i cili do të shoqërohet me një konferencë shtypi. Austria mbështet hapur procesin e çeljes së negociatave me Shqipërinë. Një ditë më parë, kancelari austriak bëri thirrje për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke theksuar se kjo është e nevojshme, jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për të penguar ndërhyrjet e Turqisë dhe Rusisë.

Edi Rama: “Eksperienca që do të sjellin partnerët tanë do jetë vlerë e madhe e shtuar. Kjo marrëveshje do të forcojë pozicionin tonë në luftën kundër krimin në tërësi, dhe krimit ekonomik në veçanti. Një ekip i gjerë gjermano-amerikan ekspertësh do të vendoset këtu në Shqipëri e do të punojë me strukturat e hetimit të ministrisë së Financave”

Deputeti gjerman jep mbështetjen në Tiranë: Duhet të hapen negociatat me Shqipërinë

Deputeti gjerman Mark Hauptman, i cili ndodhet në Tiranë, shpreh mbështetjen për hapjen e negociatave për Shqipërinë për anëtarësimin në BE. Deputeti gjerman Hauptman tha se Shqipëria ka bërë progres. Midis të tjerave tha se brenda Bashkimit Evropian ka pasur debate sa i takon zgjerimit, por theksoi se hapja e negociatave është një hap i parë, për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve. “Shqipëria ka bërë progres, dhe tani duhet të vijojë me rrugën e reformave. Brenda BE ka pasur debate për zgjerimin. Por mendoj se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë. Unë mbështes Shqipërinë në rrugën e integrimin evropian”, u shpreh deputeti gjerman Mark Hauptman. Gjatë kësaj jave pritet të zbarkojnë në Tiranë edhe të tjerë deputetë gjermanë në kuadër vendimit final që do të marrë Gjermania për Shqipërinë në fund të muajit të ardhshëm.