Kryeministri Rama: Buxhetin e miratuam, por nuk jam aspak i kënaqur me qeverinë që drejtoj

458
Sigal

Në komunikimin e
tij javor me publikun në rrjetin social, kryeministri Edi Rama, pothuajse është
ndalur vetëm tek miratimi i buxhetit-2017. “Buxheti i miratuar këtë javë është
një arritje shumë e rëndësishme. Pas përpjekjeve të mëdha dhe mundimesh jo të
vogla. Një ndër treguesit më kuptimplotë është postimi 100 milionë dollarë nga
arka e shtetit në arkën e pensionistëve. Rritja më e lartë e rrogave dhe
pensioneve përgjatë gjithë qarkut prej 25 vitesh. në 8 vite u spostuan nga arka
e shtetit në arkën e familjeve 124 milionë dollarë gjithsej. Vetëm me këtë
buxhet në një vit spostojmë 100 milionë dollarë. Kemi postuar 440 milionë
dollarë në 4 vjet. Rritje të rrogave për policinë e Shtetit. Mos harroni, se na
është dashur të shlyejmë një mal 720 milionë dollarë borxhe të fshehur mbi
tavolinë sa morëm detyrën. Ne mundësuam shmangien e greminës financiare. Sot
kemi ekonomi që do të rritet 3.3-3.5 %. Do kemi më shumë zhvillim dhe më shumë
mirëqenie. E kishim në fyt lakun e taksës së sheshtë.”, tha Rama. Nga ana
tjetër ai theksoi se do të rritet lista e barnave të rimbursueshme. Ai pohoi se
600 mijë shqiptarë, do të përfitojnë nga skema e re.

Rama ripërsëriti
edhe njëherë frazën jo të panjohur për publikun, duke shtuar se dhe vet ai
ishte i pakënaqur deri më tani me gjerat që janë bërë. Po kështu, Rama reagoi kështu
ndaj një pyetjeje të bërë lidhur me punën e qeverisë që ai drejton: “Nuk jam
aspak i kënaqur me veten dhe qeverinë që drejtoj dhe s’dua të mendoni, se
shihni ça pune të hatashme kemi bërë. ‘Çohu në këmbë dhe brohorit” Aspak, jam
unë më i pakënaqur për atë që është bërë. Unë e di se sa shumë njerëz janë ende
larg rrugës së ndryshimit rrënjësor, deri në fshatin më të largët dhe vendin më
të largët. E di se sa kanë nevojë shqiptarët që kanë nevojë për këtë shtet.
Arritjet dhe rezultatet janë tërë rëndësishme që t’i ndajmë me njëri-tjetrin me
fakte dhe shifra reale…”.