Kryeministri që u thotë grekëve të vërtetën

503
Mitropoliti i Drinopoleos, Pogonianise dhe Konicës Andreas, kërcënon kryeministrin shqiptar: “Rri urtë, se ka kapedanë Spiromilo të tjerë”
Edi Rama: Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë
Grekët, politika greke, por sidomos qarqe të caktuara të Kishës Greke, nuk e kanë kapërdirë mirë, jo thjesht prishjen e një hauri në Dhërmi, që veç shëmbëlltirë kishe nuk ishte, pa asnjë kryq përsipër, pa asnjë kujdes të veçantë, por sidomos qëndrimin e prerë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, sidomos, pas rrëzimit të marrëveshjes detare të dy qeverive tona. Ndaj, edhe reagimet nga grekët ishin tepër të ashpra. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke zyrtarisht e krahasoi prishjen e haurit në Dhërmi, analog me veprimet shkatërruese të ISIS ndaj veprave të kultit të besimeve fetare kundërshtare. Por, i skajshëm ka qënë reagimi i disa segmenteve të Kishës Greke, të cilat, kanë shkuar deri në kërcënime të hapta, sikurse është deklarata e mitropolit të Konicës, Andreas, i cili kërcënon kryeministrin Rama, të rrijë “Urtë”, sepse, përndryshme, “ka edhe kapedanë të tjerë Spiromilo”. Ndërkohë, që në Greqi, është i vetmi shtet në BE, që nuk lejohet ndërtimi i një xhamie në kryeqytetin e tyre, në Athinë, ku ata të respektojnë të huajt, emigrantët, që jetojnë e punojnë të ligjshëm në Greqi, që kanë marrë edhe shtetësinë greke, të ushtrojnë të drejtat e besimit të tyre fetar. Ja pse, politika dhe Kisha Greke, kërkojnë të zbatojnë 2 standarte. 
Kisha e Greqisë kërcënon kryeministrin shqiptar
Zhurma pas shembjes së kishës së Dhërmiut nga INUV, pavarësisht premtimeve të qeverisjes vendore e qëndrore se në vend të saj do të ndërtohet një tjetër kishë, më e madhe dhe me parametra e standarte të kohës, nuk ka ndalur reagimin e Kishës greke, shoqatave të ndryshme vorioepirote e deri tek ajo greko-amerikane ”Federata Panepirote e Amerikës” me ndikim të madh të Nikola Gejxh. Pas reagimit të Federatës Panepirote Amerikane ka reaguar menjëherë mitropoliti i Konicës me një deklaratë në Delvinaq të Janinës, ku kërcënon hapur kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por i kujton atij se edhe është bukëshkalë. Mitropoliti Andrea nuk ka lëvizur as një presje nga paraardhësi i tij, Sebastianosi, cili nuk heshti kurrë me fjalime e propagandë për krijimin e shtetit epiriot, ku të përfshiheshin edhe trojet jugore të Shqipërisë sipas traktatit të Korfuzit më 1914 dhe krijimit të shtetit Vorioepirot më 1914 me kryeministër Zografosin, një qeveri që erdhi nëpërmjet vrasjeve dhe krimeve ndaj popullsisë shqiptare, por një qeveri jetëshkurtër. Pikërisht këtij protokolli i përmbahej Sebastianosi dhe tani trashëgimtari i tij Andreas. Ulje-ngritjet e këtyre marrdhënieve kanë qenë më të tensionuara pas viteve ’90 me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, sidomos ato 1993-1996. Në vitin 1993, nëpërmjet SFEVA-s (Këshilli Drejtues i Bashkëpunimit Koordinues Studentor i Çështjes Vorioepirote) shpërndan një broshurë dy gjuhëshe (shqip-greqisht) ku ka edhe Protokollin e Korfuzit 1914, edhe ardhjen e qevrisë së Zografos po në 1914 , shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, por mbi të gjitha të bie në sy në këtë broshurë të titlluar ”Vyrtyt kërkon edhe guxim…”, Letra e hapur drejtuar popullit fqinj shqiptar nga SFEVA-s në mbykqyrjen dhe redaktimin e Mitropolitit të Konicës, Sebastianosit. Po të shikosh reagimin e mitropolitit të sotëm të Konicës, Andreas, ndaj kryeministrit Rama, nuk ndryshon shumë nga fjalimi i 26 gushtit 2015 me letrën e hapur (pavarsisht se është shpërndarë në mënyrë klandestine në Shqipëri). Gazeta “Telegraf” disponon edhe “Letrën e hapur drejtuar popullit fqinj shqiptar” 1993 edhe Fjalimin e Mitropolitit Andreas të Konicës në Delvinaq të Janinës më 26 gusht 2015, po i sjellim të dyja para lexuesit: Pas 50 vjetëve fëmijët do të mësojnë nëpër librat e historisë se në fillim të viteve ’90 shteti grek kreu një gjest bujarie ndaj shtetit shqiptar…Greqia është e vetmja ndër vendet fqinjë që ndihmoi dhe ndihmon Shqipërinë në situatë e vështira, në të cilat ndodhet…(ne shqiptarët) erdhi çasti që të trokasim në derën e fqinjit dhe i vetmi fqinj që na i hapi është Greqia… Fragmenti i mësipërm i botuar (janar 1993) në gazetën shqiptare ”ALTERNATIVA”, nga Këshilli Drejtues i Bashkimit Koordinues Studentor i Çështjes Vorioepirote (SFEVA’) është një rrëfim i popullit shqiptar për përkrahjen e madhe që i dhanë grekët në këtë periudhë kritike të ndryshimeve politike, ndryshe nga ç’vepruan popujt e tjerë fqinjë. Dhe nuk është rasti i parë në këta 80 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar. Sikur t’i hiqnin nga Shqipëria monumentet e qytetrimit grek vallë, ç’do të mbetej? Qeveria shqiptare, duke dashur t’u tërheqë vëmendjen nga katastrofa ekonomike, nga degjenerimi shoqëror, nga paaftësia shtetërore, jo vetëm që mban heshtje të plotë për ndihmat që i jep Greqia, po arrin deri aty sa të provokojë helenizmin. Vërtet, a nuk është turp për ju kur Berisha – si një ZOG i dytë-fton ushtrinë italiane të pushtojë, me plotë kuptimin e fjalës, vendin tuaj, nën preteksin e gjoja shpërndarjes së ndihmave? Kaq shpejt e harroi Shqipëria gabimin fatal të 1939-ës? Ç’kuptim kanë pastaj fjalët që u dëgjuan prej gojës së shqiptarve se Ozali është babai i kombit shqiptar? Mos vallë Shqipëria ëndërron vitet e sundimit otoman dhe dëshiron të kthehet përsëri aty? Krerët e politikës shqiptare çirren e ngjyren për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë e Shkup .Por ata vet vazhdojnë të shkelin të drejtat e Minoritetit Kombëtar Grek, pothuaj njëlloj si në kohën e E:Hoxhës. Ja disa shembuj:
1.Krijon vështirësira të mëdha në riorganizimin e kishës ortodokse të Shqipërisë a) me pretekse qesharake premton hyrjen e peshkopve të zgjedhur prej Patriarkanës Ekumenike, sepse-thonë-nuk janë shqiptarë! Por në të njëjtën kohë lejon hyrjen dhe qëndrimin e Arkipeshkvit të katolikve, i cili është indian! b) Shumë tempuj ortodoksë nuk u janë dorëzuar ende besimtarve, por prona kishtare zotrohet ende prej shtetit si në kohën e E.Hoxhës.
2- Ndalon hapjen e shkollave greke aty ku ka grekë, ndërsa lejon hapjen e shkollave turqisht e gjermanisht në një kohë që në Shqipëri nuk ka as turq e as gjermanë. U ndalon fëmijve vorioepirotë që banojnë në Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Ersekë, Korçë, Vlorë, Berat, Fier, Tiranë etj. Të mësojnë në shkollë gjuhën dhe historinë e kombit të tyre.
3- Ndalon pjesmarrjen në zgjedhje të partisë vorioepirote ”OMONIA”, me gjithë protestat në arenën ndërkombëtare. Krijon gjithashtu vështirësi të mëdha në veprimtarinë e partisë”PBDNJ”.
4- Nuk pranon të njohë zyrtarisht origjinën greke të banorve të zonës së Himarës. Por himarjotët në maj 1992 kërkuan referendum në më shumë se 90% e tyre që t’u njihet origjina greke e tyre.
5- Mohon dhënien e AUTONOMISË dhe të drejtat që rrjedhin prej sajë në territorin e Vorio-Epirit, gjëra të cilat vorioepirotët i kishin fituar me gakun e tyre dhe që Shqipëria i kishte njohur zyrtarisht me Protokollin e Korfuzit (17/05/1914) si dhe me pakte e deklarata të ndryshme. A nuk tregon kjo se shteti shqiptar nuk respekton as nënshkrimin e tij?
6- Fanatizon dhe ndërsen popullin shqiptar kundër vorioepiriotëve, drejton banda keqbërësish dhe mekanizma të paligjshëm kundër çdo gjëje greke, p.sh. në shkurt të vitit 1991, përpara syve të policisë shqiptare, një grup prej 20 vetësh shkatërroi të gjitha dyqanet greke në Sarandë, si dhe terrorizon akoma edhe sot gjithë zonën. Kështu do të përparojë Shqipëria, kështu do të ecë para demokracia e saj? I vetmi popull me të cilin populli juaj jetoi pranë e pranë, ju ofroi qytetrimin e tij, ju mbështeti dhe ju përkrahu në momente të vështira e fatkeqësi, që ju donte dhe ju do akoma, është populli grek me traditën e tij helenokristiane.
Kryeministri Rama: Duan kohë ta kuptojnë se Shqipëria nuk pranon tutelë
“E bënin shpesh në të shkuarën, e bëjnë më rrallë. Duan ende kohë si duket që ta kuptojnë se Shqipëria s’pranon me tutelë”. Ky ishte reagimi i parë i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt akuzave të politikës dhe Kishës Greke, për prishjen e një hauri në Himarë, që disa e simbolizuan me kishë greke. Madje, në reagimin e dytë, kryeministri Rama, e tha qartë, se akuzat e grekërve, se shteti shqiptar prish kulte të shenjta, e cilësoi thjesht si një përçapje, që nuk ka lidhje ne raportet e shtetit me fenë, e ca më pak, nuk ka lidhje me shtetin fqinj. Prandaj, thotë kryeministri Rama, “Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë. Shqipëria është një vend ku kisha ortodokse është në shtëpinë e saj dhe jo në shtëpinë e komshiut, e po njësoj në shtëpinë e tyre janë edhe besimtarët ortodoksë të minoritetit grek”. Ndërsa ishambasadori shqiptar ën OKB, Abdi Baleta, në prononcimin për gazetën “Telegraf” shprehet se më në fund, pas 25 vjetësh, një kryeministër shqiptar, u tha grekërve në sy, atë politikë që duhet t’jua themi përditë. Sipas Baletës, mitropoliti i Konicës na kujtoi që Greqia nuk ka ndryshuar në shovinizmin e saj ndaj Shqipërisë. Pëllumb Zaimi, kolonel N/R, shprehet për “Telegraf: se mitropoliti Andreas, vetdeklarohet që është kreu i sipunazhit grek në Himarë, derisa na thotë që na paska kapedanë grekë në Himarë. Por, shton Zaimi, do të ishte mirë që Kisha Greke të tregohet patriote për Greqinë, duke paguar taksat e pasurisë së saj, për të ndihmuar popullin grek në këtë krizë të madhe ekonomike që jeton tani. 
Deklarata e mitropolitit Andreas: Rama mosrespektues i tempujve të shenjtë
”Më së fundi Kryeministri shqiptar Edi Rama po tregohet mosrespektues i tempujve të shenjtë dhe tepër i pacipë. Kryeministri shqiptar aktual, Edi Rama, që hiqet si udhëheqës demokrat, për fat të keq vazhdon taktikën e Hoxhës. Dhe kështu dëshmohet se është një arrogant i trishtuar, që nuk i trembet Zotit dhe nuk ka turp nga njerëzit. Por Edi Rama është edhe një i pacipë hiperbolik. Se, duke iu përgjigjur dekaratave të përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme Greke, vec asaj që tha se Himara është…shqiptare, shton në mënyrë provokuese se grekët “bënin shpesh ndërhyrje në të kaluarën në punët e brendshme të Shqipërisë, e bëjnë akoma edhe tani. Do t’u duhet akoma pak kohë sa ta ndërgjegjësojnë atë”. Pra, mosrepektues i tempujve të shenjtë dhe i pacipi hiperbolik Edi Rama dëgjo: Himara, megjithë metodologjitë e tua, antigreke, ishte dhe do te ngelet greke në shekuj. Dhe Greqia ka detyrim të mbrojë kombësinë dhe besimin ortodoks të VorioEpirotëve. Përkundrazi nga ajo që ti kujton, vendi ynë, është ndërgjegjësuar më shumë se e ka detyrë themelore mbrojtjen e Himarës, por edhe të Gjirokastrës, edhe të Korçës dhe gjithë Vorio Epirin. Dhe sa më shpejt të ndërgjegjësohesh, aq më mirë do të jetë për vendin tënd. Nuk duhet të harrosh, se Shqipëria, nëse qëndroi në këmbët e saj pas regjimit komunist, këtë ia dedikon Greqisë, siç e njohin të gjithë. Pra, urtë. Dhe pak fjalë, të matura. Marrëdhënia e fqinjësisë së mirë të vendeve tona, nuk ndërtohet me trimërira dhe veprime të jashtligjshme, por me respekt për të Drejtat e Njeriut të Vorioepirotëve. Mos kujto se kapedani legjendar i Himarës Spiromilo, ekzistoi vetëm në vitet 1913-1914. Ekzistojnë edhe sot shumë Spiromilo. Prandaj të rithemi: Urtë!” Mitropolia e Shenjtë.
Reagimi diplomatik i Athinës zyrtare
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke krahason Shqipërinë me vende nën ISIS
Greqia reagoi përmes Ministrisë së Jashtme, duke e krahasuar Shqipërinë me vende nën sundimin e ISIS. “Shkatërrimi i vendeve të shenjta dhe atyre të kultit po bëhet së fundmi në zonën e Lindjes së Mesme dhe në Afrikën e Veriut nga xhihadistët. Sot ne pamë këtë gjë të bëhet edhe në Shqipërinë fqinje. Lidhur me këtë çështje do të informojnë menjëherë komunitetin ndërkombëtar”, – ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Constantine Koutra, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me shkatërrimin e Kishës së Shën Athanasit në Dhërmi.
Edi Rama: Do të rindërtojë aty shembëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut
Një përçartjeje që nuk ka asnjë lidhje me raportet e shtetit me fenë; nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e qeverisë me kishën e me klerin ortodoks; nuk ka asnjë lidhje me fqinjin jugor jo e jo. I cili nga ana e tij, duhet të vetëdijësohet se asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj. Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë. Shqipëria është një vend ku kisha ortodokse është në shtëpinë e saj dhe jo në shtëpinë e komshiut, e po njësoj në shtëpinë e tyre janë edhe besimtarët ortodoksë të minoritetit grek. Të cilët e marrin meshën mes ortodoksëve shqiptarë dhe gëzojnë po njësoj si ata, të njëjtën liri fetare të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Këto të vërteta janë të qarta si drita e diellit dhe shosha e politikës së kujtdo apo e politizimit nga kushdo, të çfarëdo problemi në këtë mes, nuk mund të lejohet të dëmtojë cilësinë e lartë të marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri apo të marrëdhënieve të shtetit e të qeverisë shqiptare me të gjitha institucionet klerikale të Shqipërisë. Eshtë ky vendi për të nënvizuar se marrëdhëniet e qeverisë sonë me klerin ortodoks dhe me përfaqësuesit e tij më të lartë, si edhe marrëdhëniet e mia personale me kryepeshkopin Anastas, kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Mosdakordësitë krejt të natyrshme për ndonjë problem krejt periferik jashtë çdo natyre fetare, nuk e zbehin dot shkëlqimin e kësaj marrëdhënieje dhe të respektit të merituar që kleri ortodoks, ashtu si edhe çdo kler tjetër në Shqipëri ka marrë prej nesh. Gabojnë ata që në emër të Kishës Ortodokse e trajtojnë me fjalorin e ngarkuar të deklaratave të ditëve të fundit, prishjen e asaj ngrehine pa lidhje me trajtën e me funksionet e një kishe. Po vetëm zoti është i pagabueshëm, të gabosh është njerëzore. Jam i bindur se shumë shpejt do të kemi mundësinë ta tresim bashkarisht, me mirëkuptimin e përhershëm, renë e përkohshme të këtij keqkuptimi të përfaqësuesve të Kishës Ortodoke ndaj nesh. Sepse s’ka mendje të arsyeshme që ta ketë të pamundur ta kuptojë se çka po bëhet në atë truall në Dhërmi është një punë fisnike, që ngre lart vlerat e fesë, të historisë e të trashëgimisë kulturore të atij vendi dhe të kësaj toke. Bashkia e Himarës do të rindërtojë aty shembëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut dhe meriton vetëm përgëzime në synimin e vet, për ta bërë atë truall përçues të jehonës së një kohe e historie të shkuar që brezat po edhe vizitorët meritojnë ta përjetojnë.
Flasin për “Telegraf”
Abdi Baleta, ish ambasador i Shqipërisë në OKB: Më në fund një kryeministër shqiptar, u thotë grekërve të vërtetën në sy
Në këtë konflikt artificial, që duan të ngrënë Athina dhe Kisha Greke, nuk ka punë për diplomaci fare. Me grekët nuk bën punë gjuha diplomatike. Për mua, Edi Rama, ua ka dhënë përgjigjen mirë grekërve. Unë për vete jam i kënaqur, që më në fund, pas 25 vjetëve, një nga udhëheqësit shqiptarë, një kryeministër, i thotë grekërve, atë që duhet tja thonë politikanët shqiptarë papushim. Dhe kjo është gjëja më e mirë. Greku hoqi maskat, Pasuesi i Sebastianos, mitropoliti Andreas ka bërë shumë mirë, ai duhet falenderuar, se u kujtoi shqiptarëve që asgjë në Greqi nuk ndryshon. Ai u kujtoi shqiptarëve që Sebastjani është gjallë, Janollatosi në Tiranë është i dërguari i Sebastjanosit. Ai duhet falenderuar, që na kujton neve, atë që ne e harrojmë vetë. Këtu, e mira është që të pyesni ata grekofilët se ç’mendojnë? Hë, mo, grekofillë, flisni tani, se na keni thënë që Greqia ka ndryshuar?!Unë po të isha në vend të Ramës, do t’u thosha kështu: Ç’më çan kokën, o prifti i Konicës/ Merru me punët e Perëndisë / Mos i qaj hallin Shqipërisë. Me ata është e kotë të bësh debat me argumenta. Dëgjova që kryebashkiaku i Himarës është bërë grek. Tani me dy karrike nuk rrihet. O shqiptar, o grek. Këta nuk e kanë lexuar Petro Markon? Si i ka ndarë, të bardhët e të kuqtë, në Dhërmi? Edha këta, tani kështu janë. Meqë diplomacia greke na përmendi ISIS, ata grekët, ISIS ia kanë kaluar 100 herë. ISIS- i grek ka qënë aty. 
Pëllumb Zaimi, Kolonel N/R: Mitropoliti Andreas vetdeklaron që është kreu i spiunazhit grek në Himarë
Gjithnjë ka një gërshetin prefekt ndërmjet politikës dhe fesë greke. Çudia më e madhe është se deklarimet më të egra dhe më të neveritshme ndaj shqiptarizmit ata i bëjnë atëhere kur janë me brekë nëpër këmbë, kur i ka mbërthyer kriza ekonomike. Mitropoliti i Konicës na paska kapedanë në Himarë?! Domethënë, prifti vetdeklarohet se është koka e spiunazhit grek në Himarë?! Sepse nuk kemi dëgjuar për kapedanë legalë grekë në Himarë! Kapedanët i ditka vetëm mitropoliti Andreas. Nga e nxorri tokë greke Himarën profti rrasozi Andrea? Nuk ka asnjë fakt historik, entik, që ta vërtetojë këtë. Madje, dhe gjysma e grekërve të sotëm në Greqi, ADN e kanë shqiptare. Janë kaq të pacipë dhe të paskrupullt, këta shovinistë grekë, sa ndonjë ditë do akuzojnë edhe peshkatarët shqiptarë, që kanë kapur në detin tonë, peshqit grekë, të ardhur nga Gjiri i Atiqisë. Shteti shqiptar dhe ortodoksët shqiptarë nuk i kanë futur ndonjëherë turinjtë në problemet e Kishës Greke. Atëhere, pse bëjnë gër-gër me punët tona të brendshme? U duhet thënë copë këtyre priftërinjve shovinistë: Ndihmoni popullin grek, që vuan nga kriza, i paguani shtetit grek taksat e pasurisë tuaj, tregohuni patritotë grekë, duke kontribuar edhe ju në krizën ekonomike të Greqisë, dhe jo të fshihni pasurinë nga taksat greke. 
Sigal