Kryeministri i “var mëlçitë” Ministrit të Shëndetësisë

263
Një lajm që ka qarkulluar së fundi në qarqet gazetareske dhe në rrjet, duket se po shkakton shumë polemika. Flitet se Ministri i Shëndetësisë dhe një nga zyrtarët e lartë më të përfolur, ndaj të cilit ka nisur edhe një proces prokuroria e krimeve të rënda për tenderin e rimbursimit të ilaçeve, pra Ilir Beqja është caktuar nga kryeministri Edi Rama si koordinator për të vlerësuar punën e qeverisë në tre vitet e mandatit të parë.
“Lajm aspak shaka!… Edi Rama ka emëruar Ilir Beqjan koordinator për të vlerësuar punën e qeverisë në këto 3 vjet!… 
Rama: Liro do me raportosh si shkojnë punët ke qeveria ime!.. Beqja: Pa merak shef ja ku e kam raportin!…. RAPORT -“Liri confidential”-, emri i koduar i operacionit, “Laksativi”!…”- ironizonte folësi i lajmeve Bledian Koka.
Nuk ka munguar edhe thumbimi i mjekes Anika Dokle, vajza e deputetit socialist Namik Dokle. “Tani i vure kapak! Ilir Beqaj, koordinator për vlerësimin e punës së qeverisë. Pra, Beqaj do te “kontrollojë” punën e “Rilindjes” në gati tre vjet. E qan CHECK-UP-In ky!!”, – qe batuta therëse e doktoreshës.
Edhe aktivisti dhe ish-drejtori i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Besjan Pesha, nuk i la gjë mangët Ministrit të Shëndetësisë: “Ilir Beqaj, koordinator për vlerësimin e qeverisë? Kjo është si të caktosh Hitlerin koordinator për bisedimet e paqes me Izraelin, Leopoldin simbol te Kongos, Al Caponen ministër Rendi. Kjo është tallje mendereje në do maxhor. Nejse, ta gëzoni!” – shkruante Pesha në rrjetin social.
Disa ditë më parë Partia Demokratike publikoi dokumentet që provojnë se kompania “Intech+”, e poseduar dikur zyrtarisht nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka përfituar 28 tendera. Një hollësi që shton dyshimin se kalimi i aksioneve në vitin 2013 ka qenë thjesht formal, nuk është vetëm fitimi i tenderave, por edhe rritja e fitimit. “Një kompani modeste e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën 63.160.011 dhe Fitim Neto 8.892.074 lekë, dy vjet pasi themeluesi i saj, Ilir Beqa ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar, ka arritur vlerën e shitjes në 160.760.830 lekë duke rritur Fitimin Neto në 42.783.998 lekë. Qëkurse Ministri i Shëndetësisë, z. Beqja, ka hyrë në zyrë, kompania e tij ka rritur fitimin me gati 100 milion lekë të reja ose 2.5 herë më shumë dhe ka sjellë një 5-fishim të fitimit neto të deklaruar. Në 8 muajt e parë të vitit 2015 kompania që themeloi ai, rezulton të ketë kontraktuar e vetme kontrata shtetërore në vlerë 211.273.980 lekë ose gati 4 herë me shume se e gjithë volumi i vitit 2013”, tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.