Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe shoqata “Shqipëria dhe e Ardhmja”, një takim historik.

459
Sigal

Shpesh herë pyesnim veten: përse vëmendja e institucioneve italiane ishte më e lartë se e atyre shqiptare? Përse asnjë ministër (dhe aq më pak Kryeministër) shqiptar nuk ka trokitur asnjëherë në derën tonë thjesht për të na takuar, pyetur cilat janë nevojat tona? Ndoshta komuniteti shqiptar i rajonit më të pasur në Itali nuk është i rëndësishëm për një Shqipëri, ku remitancat e emigrantëve janë thelbësore për të mbijetuar? Shpesh herë i bënim këto pyetje vetes, por asnjëherë nuk gjenim përgjigje, dhe ndjenim një shtrëngim në shpirt. Por, diçka paska ndryshuar. Gjatë një mbrëmje të ftohtë janari u vumë në dijeni që Kryeministri Rama do vizitonte së shpejti Milanon dhe ja që, pa ndonjë pritshmëri të lartë, kontaktuam Sekretarin e Përgjithshëm të Kabinetit (z. Engjëll Agaci), Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (z. Ilirjan Celibashi), dhe deputetin e Qarkut Vlorë, z. Fatmir Toci. Kaluan vetëm 24 orë nga komunikimet e mësipërme kur telefoni i presidentit të shoqatës, z. Astrit Çela, filloi të tringëllonte. Për habi si ministri Celibashi, si deputeti Toçi, po ashtu dhe deputeti Gaçi konfirmuan gatishmërinë e delegacionit shqiptar për ftesën e shoqatës sonë. Për më tepër na thanë se do ishte e udhës të implementonim takimin nga një “kafe pune” në një “drekë njohjeje”. Kurrë më parë, në 23 vite histori emigracioni shqiptar në Milano, një Kryeministër nuk kishte patur kënaqësinë (ndoshta për paraardhësit kishte qenë thjesht mundim) të shtrëngonte duart e bashkëkombësve. Por ja që më 01 shkurt 2014, në restorantin “Segrino”, (i preferuari i piktorit të madh, mjeshtrit Ibrahim Kodra) menaxhuar nga anëtari i shoqatës z.Renato Skenderi, “çudia” u bë realitet. Kryeministri Rama, dy konsujt Çobanaj dhe Shkëmbi, Ministri i Ekonomisë Ahmetaj, deputetët Gaci, Balla, Toçi, Kryebashkiaku i Durrësit Dako dhe disa personalitete të tjera të politikës dhe të medias, u ulën dhe drekuan me anëtarët e shoqatës “Shqipëria dhe e Ardhmja”. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit amë, na nderuan, më në fund, me prezencën e tyre, na shtrënguan duart, na treguan thjesht se nuk jemi vetëm, me një fjalë na dhanë zemër. Sikur surprizat të mos mjaftonin, kryetari i shoqatës, z. Çela, gjatë takimit, priti edhe një telefonatë urimi nga Kryetari i Parlamentit z. Ilir Meta, si për të vulosur përfundimisht ndjesinë se shumë prioritete, nëpër institucionet shqiptare, kishin ndryshuar. Për ti uruar mirëseardhjen delegacionit shqiptar, ishin të pranishëm, përveç presidentit Çela, edhe Admir Ndoci (menaxher i shoqërisë shumëkombëshe Balfour), Eduart Ndoci (sekretar i shoqatës, sipërmarrës , Gruppo Ndocaj Costruzioni), Sajmir Gjini (sipërmarrës, Cogesa S.r.l.), Jani Celani (sipërmarrës, Alba Go-Go S.r.l.) dhe shumë anëtarë të tjerë. Në një atmosferë informale dhe tepër shoqërore, kuptuam që ky ishte vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm, për të cilin shoqata jonë do të shërbejë si një urë ideale midis kombit që na ka pritur dhe ofruar një të ardhme më të mirë, dhe kombit ku kemi lindur. Diçka me të vërtetë paska ndryshuar. Më në fund!

Astrit ÇELA