Kryeministri i delegon zv/ministrit drejtimin e diplomacisë/ Reagojnë Hazizaj, Gjosha, Bushati, dhe Vetvendosja: Qeverinë e konsiderojnë si klub shokësh e miqsh për të bërë plaçkë dhe qytetarët një turmë që duhet sunduar

500
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Edi Rama i delegon zv.ministrit Gent Cakaj drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Bushati ironizon kryeministrinNuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas

As 10 orë nuk kaluan nga betimi i kryeministrit Rama në Presidencë edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, kur dje paradite, Edi Rama në ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga ministri Bushati, i delegon zv.ministrit të Jashtëm Gent Cakaj drejtimin e ministrisë së Jashtme, për të gjitha çështjet, si brenda vendit, edhe jashtë vendit.

Delegimi i drejtimit të MPJ nga Rama tek zv.ministri Cakaj

“Unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, ia delegoj detyrën e ministrit, zëvendësministrit Gent Cakaj” – u shpreh kryeministri Rama. Zëvendësministri në detyrën e ministrit të Jashtëm Gent Cakaj: “Pavarësisht forcës sime të zakonit për të thënë atë që mendoj. Mbetem më veshplotë, që atij që i ka shkuar fjala ime për keq, të mos i jem dukur aq keq në paraqitjen e parë. Siç i thonë në Tiranë “Më mirë syri sesa nami. Orar pa orar. 5 muajt e ardhshëm do të jenë punë pa orar. MEPJ do të vazhdojë punën e saj për një performancë për procesin e screeaning.”

 

Reagimet ndaj vendimit të kryeministrit

Ish-ministri Bushati shpreh pakënaqësi ndaj kryeministrit për shkarkimin

Në punën time jam orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, dhe prioritetet strategjike të politikës tonë të jashtme. Themelet mbi të cilat mbështetet kjo politikë e kanë gjenezën që në themelimin e shtetit modern shqiptar, por ato u ridimensionuan pas rënies së diktaturës komuniste, duke kristalizuar qartësisht përkatësinë tonë evropiane dhe perëndimore. Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: Sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes.

Presidenti Meta: Respektoj Kushtetutën!

Presidenti Meta ka reaguar, pasi kryeministri Rama i delegoi kompetencat e drejtimit të ministrisë Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakajt, të cilin më herët nuk e kishte dekretuar. I pyetur për të komentuar këtë lëvizje të kryeministrit Rama, Meta u përgjigj duke thënë: “Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia, se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.”

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha:

Deputetja e LSI-së Klajda Gjosha: Unë nuk e di a ka mbetur më ndonjë fije ndërgjegje në këtë vend! Unë nuk e di a ka më ndonjë përfaqësues shtetëror që të ketë pak personalitet dhe dinjitet! Nuk e di nëse ekziston më respekti për veten! Akti i sotëm i Kryeministrit me kalimin e përgjegjësive të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, është një akt që tregon edhe një herë përpëlitjet e fundit të një diktatori të sëmurë për pushtet!

Vetëvendosja: Baton Haxhiu po përcakton politikën e jashtëm të Shqipërisë me këmbënguljen e Ramës

Një reagim i ashpër ka ardhur nga Kosova, nga partia Lëvizja Vetëvendosja, e cila përmes Arbër Zaimit është shprehur se Baton Haxhiu po përcakton politikën e jashtëm të Shqipërisë me këmbënguljen e Ramës. Vetëvendosja: Simpatizantët e PS-së duhet të mos jenë të verbër. Le të lexojnë në internet shkrimet e Batonit kundër Ramës dhe kundër PS, para vitit 2013. Baton Haxhiu është mik i të gjithëve, dhe siç tregon vetë ka pasur miqësi edhe me Berishën edhe me Metën, por siç dallohet qartësisht, ai është mik më i ngushtë me pushtetin, cilido që e mban atë pushtet. Tash e ka Rama pushtetin, ndaj Baton Haxhiu është bërë konfidanti më i madh i Ramës, shkon në takimet e nivelit të lartë bashkë me Ramën, i sugjeron dhe i përcakton këshilltarë, ministra e zv.ministra, dhe sigurisht e ndikon për qëndrime politike. Përse Baton Haxhiu kështu? Përse kaq lart dhe me ndikim? Se është i mençur? Se është i pasur? Se ka një media? Jo, ka dhe më të pasur, dhe më të mençur, dhe pronarë mediash e gazetarë me më shumë ndikim. Baton Haxhiu nuk ka hezituar ta shajë Erion Braçen kur ky i fundit ka kërkuar të merren masa ndaj miellit të dëmshëm që oligarkët e korporatës Devolli e sillnin prej Serbisë në Shqipëri. E pikërisht ky Baton, që ka pranuar vetë lidhjet e tij me shefin e inteligjencës serbe gjatë luftës, Jovica Stanisiç-in, si dhe me drejtuesin e UDB-së për Kosovën, Zoran Stijoviç-it (i cili e përmend shërbimin e Batonit në librin e vet), ky Baton që gjatë luftës e shpalli veten të vrarë për të shpëtuar, ky Baton, të cilit Veton Surroi i ka kushtuar librin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, për të ekspozuar tre breza spiunësh në familjen e Batonit, ky Baton që kundërshtonte Ramën kur Berisha ishte në pushtet, dhe kundërshtonte Braçen kur ky kritikonte importin e miellit helmues nga Serbia, pra ky Baton i qartë e krejtësisht i lexueshëm, sot e përcakton politikën e jashtme të Shqipërisë me ndihmën këmbëngulëse të Ramës. Edhe kur? Sot kur kufijtë në Ballkan janë më të paqëndrueshëm se kurrë.

Sokol Hazizaj, kostitucionalist: Akt i shëmtuar në kuptim të respektit të ushtrimit të funksionit kushtetues

Modeli informal i dorëzimit të dekretit prej Kryeministrit një zëvendësministri me probleme ligjore, është akt i shëmtuar në kuptim të respektit të ushtrimit të funksionit kushtetues, por në vështrimin formal ligjor delegimi është ndryshe, domethënë është i ligjshëm.
Ligji nr. 9000, “Për organizimin e Këshillit të Ministrave” – Neni 6

Ministri dhe zëvendësministri

  1. Ministri, përveç kompetencave, ose detyrave që parashikohen në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe detyra të tjera, që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri.
  2. Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim. të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra te tjera.

Kodi Procedurave Administrative
Neni 34 – Zëvendësimi

  1. Në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të ndonjë pengese ligjore që haset një organi administrativ individual, kryerja e detyrave bëhet nga organi ose personi zëvendësues i përcaktuar me ligj.
  2. Kur ligji nuk shprehet, zëvendësimi në kryerjen e detyrave do të bëhet nga punonjësi më i vjetër i organit, që vjen direkt pas tij në shkallën e hierarkisë.
  3. Në ushtrimin e funksioneve të zëvendësuesit futen edhe kompetencat e deleguara të të zëvendësuarit.