Kryeministri hungarez, mbështetje të plotë për aksionin e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme

380
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, takoi sot Kryetarin e Fidesz, njëkohësisht Kryeministër i Hungarise, Viktor Orban, në Maltë, ku dy liderët marrin pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane.

Z.Basha dhe z.Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryeopozitari Basha teksa e informoi z.Orban mbi rrugëzgjidhjen përmes qeverisë teknike që do të zbatojë dekriminalizimin, luftojë drogën dhe paratë e pista dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Z.Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partive Popullore Europiane në Maltë, ku pritet të mbajë edhe fjalën në seancën plenare dhe të ketë takime të veçanta me liderë europianë.

PPE është grupimi politik më i madh në Parlamentin Europian dhe kryeson Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.
Sigal