Kryeministri gënjeu për raportin e OSBE-ODIHR-it

100
Endrit Braimllari

Raporti i OSBE-ODIHR-it reflekton shit-blerjen e votës dhe gjithashtu përfshirjen e strukturave të shtetit dhe krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Në seancë diskutuam propozimin e projektligjit për “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri” për vitet 2017-2020). Ratifikimi i kësaj marrëveshje është shumë i rëndësishëm dhe ka vlerësimin tonë maksimal sepse bazohet në një çështje me rëndësi të madhe, lidhjen e policisë me komunitetin. Objekti kryesor i kësaj marrëveshje është rritja e besimit dhe partneritetin ndërmjet policisë dhe komunitetit, duke mundësuar një bashkëpunim me shoqërinë, rininë dhe shtresat e margjinalizuar. Synimi i këtij projekti, i financuar nga qeveria suedeze me vlerë rreth 3.3 milion euro, ka të bëjë me përmirësimin e aftësisë së policisë së shtetit për të ofruar garanci dhe siguri në mënyrë të vazhdueshme, rritjen e besimit nga ana e komunitetit për të bashkëpunuar me policinë e shtetit duke synuar uljen e veprave penale. Duke pasur parasysh këtë fakt, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e falënderojmë qeverinë suedeze për këtë asistencë tepër të vyer që na jep nëpërmjet kësaj marrëveshje. Referuar projektligjit, kjo marrëveshje synon: 1. Marrjen e informacionit duke bashkëvepruar me qytetarin në komunitet; 2. Krijimin e një klime besimi ndërmjet policisë dhe komunitetit; 3. Menaxhimin e performancës, matja e perceptimit të publikut për sigurinë e tyre personale, tendenca e krimit dhe performancën e policisë së shtetit; 4. Mbështetje për zbatimin e sistemit të menaxhimit të çështjes policore. 

Në vendet e zhvilluara Policimi në Komunitet është një model i shkëlqyer i cili i jep një promovim shumë të madh bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me qytetarët. Thelbi i policimit në komunitet ka të bëjë me një bashkëpunim të policisë me komunitetin duke e vendosur qytetarin në qendër të vëmendjes, duke e parë si aktor shumë thelbësor jo vetëm për të marrë informacionin e nevojshëm mbi rolin dhe punën e policisë por si një indikator shumë të rëndësishme të vlerësimit të perfomancës, të zbatimit të ligjit dhe përmirësimin e rolit të policisë. Është e qartë se ky bashkëpunim duhet të jetë në kushtet e partneritetit dhe të besimit reciprok, për të sjellë më shumë siguri te qytetari në komunitet, por edhe standard më të lartë jetese. Megjithatë, siç e citova edhe më lart, që Policimi në Komunitet të funksionojë duhet të ekzistojë besimi reciprok. Besimi reciprok ekziston kur qytetarit i krijohen të gjitha kushtet e besimit për një polici të pavarur, kushtet e një policie e cila siguron zbatimin e ligjit, respekton qytetarin e ndershëm dhe ka vullnetin për të luftuar krimin e organizuar dhe për të qëndruar në krah të qytetarit. Besimi krijohet nga një polici e cila nuk është e kapur nga krimi i organizuar por është në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarit. Por a kanë besim qytetarët shqiptarë sot në Policinë e Shtetit? Për fat të keq ky besim sot është në nivelet më të ulëta. Në një situatë kur policia ka kompromentuar fort besimin qytetar për shkak të lidhjes me krimin e organizuar. Çfarë po ndodh me listën e paralajmëruar të 124 kriminelëve të drogës?!… E paralajmëroi Kryeministri, e pas tij e konfirmoi edhe Ministri i Brendshëm se kanë në dorë një listë me 124 emra kriminelësh që merren me kultivimin dhe trafikimin e drogës! Po deri tani vetëm kaq, ka më shumë se dy muaj dhe asnjë gjë në nuk po bëhet në këtë drejtim. Çfarë po bëhet me çështjen e Radarëve?? Në një situatë ku më parë informacionin e merr krimi i organizuar sesa Policia e Shtetit për shkak të lidhjeve që ka me Policinë, si mundet të jenë në aleancë qytetarët me këtë polici?! Ngjarjet e fundit kanë ulur ndjeshëm besimin e policisë tek qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të drogës për shkak të lidhjes që kanë krimi i organizuar me drejtuesin e policisë së shtetit dhe atij që drejton qeverinë. Për këtë arsye aleanca shumë e rëndësishme me qytetarin është kompromentuar rëndë. Kujt duhet t’i besojnë shqiptarët? Policimit në komunitet apo policisë që ruan parcelat me kanabis?! Kujt duhet t’i besojnë shqiptarët? Policimit në komunitet apo policisë që bashkëpunon ngushtë me krimin e organizuar, duke filluar nga drejtuesit e saj më të lartë. Kujt duhet t’i besojnë shqiptarët? Policimit në komunitet dhe aleancës me policinë apo Policisë e cila u përdor në fushatë për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë?! E pra, ky besim është goditur rëndë për shkak te kapjes së drejtuesve të policisë nga krimi i organizuar. Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të dhunës në familje. Gra dhe vajza të dhunuara dhe që nuk denoncojnë, por e vuajnë.