Kryeministri fton shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar për plotësimin e Këshillit Mbikqyrës të BSH

462
Sigal

Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane fton shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikqyrës, të postojnë letrën e tyre të interesit në adresën e çelur enkas [email protected]

Ky proces është tërësisht i bazuar në vullnetin e mirë të qeverisë për të dhënë kontributin e saj që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur dhemë e sigurtë nga situata e krijuar. Prandaj edhe pse ligji nuk përcakton apo rregullon ndonjë proces a procedurë shprehjeje interesi për mënyrën se si përzgjidhen kandidatët e Këshillit Mbikqyrës nga propozuesit e tyre përpara se të votohen në Kuvend, ne e çelim këtë proces:

a) Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje
b) Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë
c) Për ta ngritur Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale
d) Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikqyrës

Çdo i interesuar mund ta përcaktojë vetë nëse dëshiron ose jo që shprehja e tij e interesit të bëhet publike. Mbledhja e letrave të shprehjes së interesit në adresën [email protected] do të vijojë deri në datën 30 shtator.