Kryeministri Edi Rama: Vandalët dogjën dhe shkatërruan pronën e përbashkët dhe private

426
Deklaratat e kryeministrit dhe të kryetarëve të partive opozitare
Kryeministri Rama i cilësoi “vandalë: ata që dogjën në protestën te Rruga e Kombit dhe këmbënguli, se nuk tërhiqet nga vendimi për tarifën. “Jo, nuk janë arsyeja pse dolën ata. Ata nuk janë qytetarë. Qytetarët nuk vënë zjarre. Qytetarët nuk shkojnë me benzinë me vete në protestë. Qytetarët nuk shkojnë me hunj në protestë. Unë flas për ata banorë dhe për ata qytetarë, qoftë në Kukës, qoftë në Kosovë, qoftë në të gjithë Shqipërinë, që e konsiderojnë këtë pagesë të tepërt, të paarsyeshme etj, për ata flas. Unë nuk flas për ata që vunë zjarr dje dhe që goditën forcat e policisë, se ata do flasin përpara prokurorëve dhe përpara gjykatës, s’kanë punë me mua fare. Shteti ka detyrimin të mbrojë pronën publike dhe private, ka detyrimin të mbrojë investimet publike dhe private. Kur këto investime sulmohen dhe digjen nga vandalë, sigurisht që, kush i ka bërë investimet i kërkon mbrapsht paratë nga shteti. Kjo s’ka nevojë të parashikohet në kontratë. Kontratat shkruhen për shoqëri të civilizuara, ndërkohë që ligjshmëria e përgjithshme parashikon se çfarë bën, çfarë ndodh në rastin kur njerëz, individë, grupe agresojnë pronën. Ndërkohë që më lejoni t’ju them se deri në momentin që po flasim, kompania ka bërë 15.2 milionë euro investime mbrojtëse. Nëse ne nuk do të vepronim kështu dhe nuk do të vendosnim pagesën për përdoruesit e rrugës si kontribut për vetë rrugën, do ishim më të qetë, patjetër, por do të nxisnim rrënimin e mëtejshëm të rrugës dhe rruga mund të dilte përfundimisht nga kushtet e sigurisë e të bëhej e papërdorshme. Pastaj do duhej një ndërhyrje masive, sepse degradimi aty ka qenë i vazhdueshëm gjatë të gjithë këtyre viteve. Unë ju kujtoj edhe njëherë që paraardhësi im e ka thënë botërisht, që ne e ndërtuam, por nuk mund ta mirëmbajmë dot. Ka thënë të vërtetën. E vërteta është që nga një anë nuk ka asnjë shans, asnjë mundësi që kjo rrugë të mund të mirëmbahet pa pagesë, është aritmetikisht e pamundur dhe nga ana tjetër është plotësisht e parashikuar që të ndërtohet një sistem i posaçëm për të gjithë përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Pra, të gjithë banorët e zonës që do ta përdorin rrugën më shpesh do të kenë karta abonesh, që do të jenë pagesë e drejtpërdrejtë për 1 muaj, 6 muaj apo 1 vit, këto janë duke u diskutuar, kështu që mos i merrni për kapital fjalët e mia, se si do jenë të shtrira në kohë dhe sa lloj abonosh do ketë. Por ama e vërteta e thjeshtë është që, nëse je përdorues i shpeshtë i rrugës dhe pa abone, do duhet që sa herë kalon, të paguash çmimin. 5 euro është vendosur bashkë me tarifën në lekë për faktin se një numër i madh përdoruesish të kësaj rruge janë qytetarët e Kosovës dhe ata paguajnë në euro. Për të lehtësuar pikërisht këtë, për të mos ta kthyer pikën e kalimit në një pikë “Exchange”, por ta bërë të shpejtë kalimin, është vendosur 5 euro si referencë. Sigurisht qytetarët e Shqipërisë do paguajnë me lekë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për ta përdorur këtë rrugë më shpesh do të ketë abone.
Sigal