Kryeministri Edi Rama kërcënon prokurorin, ‘nuk i shpëton ndëshkimit’

131

Kreu i qeverisë iu bashkua të hënën korit të akuzave ndaj një prokurori në Durrës, duke e mjegulluar edhe më shumë linjën ndarëse midis pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë.

Kryeministri Edi Rama sulmoi të hënën një prokuror në Durrës, Arjan Ndoja duke e cilësuar këtë të fundit si të lidhur me krimin e organizuar.

“Javën e kaluara një rast flagrant i shkeljes së ligji, por jo vetëm i shkeljes së ligjit por të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit,” deklaroi Rama gjatë një takimi me qetarë të transmetuar në ERTV.

“Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’,” shtoi kreu in ekzekutivit.

Sulmi i Ramës ndaj prokurorit nga Durrësi vjen pasi ky i fundit urdhëroi javën që shkoi arrestimin e kreut të Kadastrës së qytetit bregdetar, Liridon Pula – një zyrtar i Partisë Socialiste. Masa e sigurisë e kërkuar nga Ndoja për kreun e Kadastrës, Liridon Pula u pranua të premten nga Gjykata e Durrësit.

Gjatë javës që shkoi Ndoja u sulmua në disa dalje publike dhe nga zv/kryeministri Erjon Braçe, i cili ishte gjithashtu prezent në gjykatë. Pas shpalljes së vendimit të gjykatës për masën e sigurisë, Braçe e akuzoi prokurorin e Durrësit për presion kriminal ndaj zyrtarit socialist.

“Pa më të voglin diskutim që është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit,” deklaroi Braçe, duke marrë në mbrojtje zyrtarin e akuzuar.

“Presion dhe shantazh kriminal, që është bërë jo për këtë çështje, por për pallate monstruoze që duhet të legalizohen në këtë qytet,” tha ai, duke mos i kursyer akuzat për prokurorin e çështjes.

Kjo nuk është hera e parë që prokurori Ndoja ndodhet në qendër të akuzave. Pak më shumë se një dekadë më parë ai është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij janë hedhur poshtë.

Neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Shqiperisë sanksionon se sistemi i qeverisjes në Shqipëri bazohet në ndarjen dhe balancimin midis pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Te treja degët e pushtetit janë të ndara dhe të dallueshme nga njera-tjetra.

Megjithë të kaluarën të debatueshme të Ndojës, sulmet e dy përfaqësuese më të lartë të ekzekutivit ndaj një zyrtari të sistemit të drejtësisë kanë ngritur shqetësim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili pritet të mblidhet të hënë për të reaguar ndaj akuzave.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet të hënën për të dalë me një qëndrim të të gjithë anëtarëve kundër ndërhyrjes së politikës në punën e prokurorisë,” tha një burim nga KLP për BIRN. “Prokurorit në këtë rast i ka dhënë të drejtë gjykata,” shtoi ai.

Reporter.al