Kryeministri do të bëjë sërish të njëjtin krim elektoral, do të blejë votat edhe në 30 qershor

644
Sigal

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së

Teza e preferuar prej kryeministrit, që prokuroria le ta hetojë, është djallëzore dhe synon të fshehë përgjegjësinë politike, e cila duhet shoqëruar me dorëheqjen e qeverisë. Sipas kryeministrit fajin nuk e kanë ata që kanë kryer krimin elektoral, por gazetari që denoncon krimin

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së dhe ish kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri duke thënë që dosjen 184 le ta hetojë prokuroria, fsheh përgjegjësinë e qeverisë, e cila duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Prokuroria është kthyer shtojcë e Partisë, ndërsa PS-ja e sotme është rilindur në Parti e Punës e Re. Prof. Sherifi shpreh bindjen se kryeministri sërish do t’i blejë votat edhe në 30 qershor, por është skeptik, nëse OSBE/ODIHR-i kësaj here do t’i legjitimojë këto zgjedhje farsë. Prof. Sherifi shprehet se Parlamenti duhet të ishte shpërndarë me kohë, derisa nuk ka 140 deputetë, sikurse e përcakton edhe Kushtetuta e Shqipërisë. 

  1. Krim elektoral i faktuar

– Prof. Sherifi gazeta gjermane “Bild” po zbardh fakte të reja nga dosja ‘184’ me audio-përgjimet ku përfshihet edhe Kryeministri Rama dhe Ministra. A janë këto prova të mjaftueshme që të konkludohet se zgjedhjet u blenë?

– Të gjitha televizionet po japin regjistrimet e “Bild” për atë që emërtohet “Dosja 184” ! është ngjarje shumë tronditëse. Kryeministri, ministra, deputetët e zyrtarë të lartë janë të implikuar keq me procesin zgjedhor, duke i detyruar zgjedhësit e punësuar në arsim të deklarojnë votën hapur familjarisht për partinë në pushtet. Tronditëse është, që nuk ka pendesë. Kryeministri e pohoi me krenari, se regjistrimi është i vërtetë dhe se përsëri të njëjtën gjë do të bënte. Teza e preferuar prej kryeministrit, se prokuroria le ta hetojë është djallëzore dhe synon të fshehë përgjegjësinë politike, e cila duhet shoqëruar me dorëheqjen e qeverisë. Ndërsa akuza për gazetarin dhe nisjen e një procesi gjyqësor në Gjermani, është fakti më domethënës i pa përgjegjshmërisë dhe vendosmërisë për të bërë të njëjtën veprim edhe në zgjedhjet e radhës. Sipas kryeministrit, fajin nuk e kanë ata që kanë kryer krimin elektoral, por gazetari që denoncon krimin.

  1. Prokuroria në shërbim të qeverisë

 – Ju si e shpjegoni që Prokuroria nuk ka thelluar hetimet dhe nuk ka çuar në gjyq blerësit e votave?

– Prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim për krimin elektoral në zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Dibrës dhe zgjedhjet parlamentare të 2017-s. Ulëritëse është sjellja anormale e prokurorisë që fillon hetimin penal ndaj atyre që kanë nxjerrë sekretin shtetëror. Këtë e përsëriti edhe kryeministri. Çudi! Vjedhja e votave dhe deformimi i procesit zgjedhor konsiderohet “sekret shtetëror”?! Kjo tregon se prokuroria është në shërbim të politikës dhe është larguar nga detyrimi kushtetues si organi i vetëm shtetëror që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjykatë në emër të shtetit.

– Është brenda kuadrit të zbatimit të Ligjit që Prokuroria të marrë të pandehur Kryetarin e Opozitës në këtë situatë?

– Prokuroria është i vetmi organ që kryen hetimin. Ajo atë detyre ka. Unë befasohem nga njëanshmëria e veprimit të prokurorëve dhe hapjen e proceseve hetimore ndaj subjekteve opozitare, sa here pëlcet një skandal i subjekteve të maxhorancës. Po çfarë mund të presësh nga një prokurori me Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, që ka dy vjet e nuk e kreu detyrimin juridik si Prokuror i Përgjithshëm i Përhershëm, të respektojë Kushtetutën dhe ligjin organik të prokurorisë.

– A mund të arrestojë e Burgosë çdo ditë Policia dhjetëra qytetarë, pse bllokojnë rrugën ku kalon Kryeministri?

-Absurde janë takimet luksoze e shpenzimet për fushatën, me të cilat do mund të ndërtoheshin dhjetëra shtëpi të dëmtuara nga tërmeti dhe asnjë nuk do arrestohej, pse proteston.

  1. Edi Rama: “Shteti jam Unë!

– Prof. Sherifi ku po shkon Shqipëria në 30 qershor? 

– Zhvillimi i ngjarjeve po krijojnë bindje të të gjithë ata që kanë dije për funksionimin e shtetit të së drejtës, se Shqipëria është futur plotësisht në anarki politike dhe Institucionale, Ku si thoshte Noli, ‘qeni s’njeh të zonë’! Shqipëria ka një parlament qesharak e të mbushur me “listarë”, që hiqen si opozitarë e votojnë si maxhoritarët. Nuk ka Pushtet gjyqësor, pasi nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese si garant i vetëm i interpretimit të Kushtetutës. Formalisht ka kryetar shteti, pasi dekretet e tij nuk i zbatojnë as anëtarët e partisë në pushtet me KQZ. Me sa kuptohet nga veprimtaria reale Institucionale po rikthehet modeli i shtetit një partiak, ajo që po e quaj Partia e Re e Punës, deputetët e së cilës nuk respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të 1976, konkretisht nenin dy “Partia e është forca e vetme udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë” dhe në fakt kryerilindësi po njësohet me sovranin ! Ai me monologët e tij humoristik dhe oroskopik përcakton se çfarë duhet të bëjnë pushtetet e shtetit, heton më para prokurorisë të akuzuarit e i shpall të pafajshëm, dhe shpall armiqtë ashtu si udhëheqja e re në Kinë pas vdekjes së Mao Ce Dunit, duke tejkaluar në drejtimin e Shtetit edhe Luigjin XIV, sepse ai nuk ka thënë se “L’etat ce moi”/Shteti jam unë. Përkundrazi ka thënë “Je m’en vais, mais l’ Etat demeruera tojours”, që do të thotë: “Unë do të iki shteti do të mbetet përgjithmonë”. Ky thotë, mjerë Shqipëria e shqiptarët, si do t’u vejë halli e si do jetojnë, kur të mos jem unë, Sovrani!?

– Evropa po fillon të bëjë diferencimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave. Çdo të thotë kjo për shqiptarët?

– Ky është lajmi më dëshpërues dhe më ofendues për Shqipërinë dhe shqiptarët. Parlamenti i Holandës mori vendim për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, ndërsa penalizoi Shqipërinë me argumentin se nuk plotëson standardet e shtetit të së drejtës. Kryeministri Zajev reagoi publikisht duke kërkuar nga Institucionet e BE ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Të njëjtën kërkesë bëri edhe presidenti saj në konferencën e shtypit me Donald Tusk. Unë besoj te ajo që deklaroi Donald Tusk, se negociatat nuk do të hapen në qershor dhe nuk besoj aspak te deklarata e Junker në konferencën e shtypit me Ramën, se negociatat do hapen dhe zgjedhjet vendore do të zhvillohen siç tha “esëll”, në 30 prill.

 Anarki institucionale

– A mundet KQZ-ja si institucion Kushtetues për administrimin e procesit zgjedhor të injorojë Dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve?

– Reagimi i komisionerëve të KQZ-së të zgjedhur nga PS-ja për mos zbatimin e dekretit të presidentit është shëmbëlltyra më e qartë e anarkisë Institucionale. Po le të arsyetojmë për një moment me logjikën e Bibës. Nëse KQZ është e legjitimuar të përcaktoj sikur të ishte Gjykata Kushtetuese nulitetin e dekretit që sipas saj është akt administrativ. Nëse cilësohet i tillë, pse parlamenti ka filluar procedurat për shkarkimin e presidentit? Se kryetari i shtetit në këtë rast është i njësuar me një pushtet administrativ që ka nxjerrë një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm dhe nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën që të shkarkohet. Këtu qeni s’njeh të zonë, prandaj shteti demokratik realisht ka rënë dhe qeveris partia me levat e saj.

-Zoti Sherifi derisa data e zgjedhjeve është shfuqizuar nga Presidenti i Shqipërisë, qytetari apo Bashkia që nuk lejon procesin Zgjedhor a bën shkelje të Ligjit?

– Eh, e shikoni si anormaliteti kushtetues e Institucionale sjell pasoja në funksionimin e shtetit. Dekreti i botuar në fletoren zyrtare sjell pasoja juridike për të gjitha Institucionet e ngarkuara me ligj. Këtu fillon absurditeti. Disa e zbatojnë ligjin, se dekreti është ligj, disa zbatojnë urdhrat e komisionerëve të PS në KQZ.

– Atëherë Policia e Shtetit dhe Prokuroria mbi cilin ligj mund të procedojnë qytetarët që pengojnë procesin zgjedhor?

– Përderisa dekreti i presidentit nuk është shpallur antikushtetues, të gjitha Institucionet duhet ta zbatojnë. Antiligjshmëria do të shoqërojë çdo veprim ose mosveprim të organeve që detyrohen me zbatimin e dekretit.

  1. Parlament ilegjitim

– Nëse Presidenti i Shqipërisë shpërndan Parlamentin, ngaqë nuk ka 140 deputetë siç e përcakton Kushtetuta, a mund të vazhdojë punimet Parlamenti?

– Me sistemin zgjedhor para 2008, nëse një vendulëse – si thonë në Kosovë, do të mbetej bosh, presidenti do shpallte zgjedhje brenda muajit. Kuvendi është me 122 vendulësa e gjithçka konsiderohet normale me anormalitetin që ka prodhuar modeli politik i qeverisjes partiake. 

  1. Nuk do të njihet 30 qershori nga ndërkombëtarët

– Nëse zgjedhjet vendore zhvillohen në 30 qershor dhe KQZ-ja i certifikon, çfarë mund të ndodh?

– Kryeministri përsëriti se zgjedhjet vendore do të zhvillohen me 30 qershor. Anëtarët e Partisë Socialiste në KQZ do i certifikojnë, ndërsa ODHIR dhe OSBE që në raportin paraprak po shprehin habinë e një situate surreale. Po shohin një komedi politike prandaj jam i bindur se do deklarojnë mos respektimin e standardeve te Kopenhagës.

– Faleminderit!

Gazeta “Telegraf”