Kryeministri dhe kreu i opozitës “takohen” në kryeqytetin e Evropës. Bisedimet dhe deklaratat për negociatat

674
Bruksel, Presidenti i BE Donald Tusk pret Ramën: Vlerësojmë reformat tuaja 
Rama dhe Basha në Bruksel, takime me zyrtarë të lartë të BE-së, temat që u trajtuan, impakti i krijuar, zhvillimet e ditës së dytë dhe përshtypjet e marra 
Kryeministri Edi Rama pasi përfundoi mbledhjen me Komitetin e Menaxhimit të emergjencave, paraditen e djeshme, u nis drejt Brukselit. Në të njëjtën kohë u njoftua edhe largimi i liderit të PD-së Lulzim Basha për në Bruksel. Agjenda e secilit prej tyre ishte e veçantë. Dje në orën 18:00 kryeministri zhvilloi një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk në kuadër të konkretizimit të agjendës evropiane të Shqipërisë. Më pas ata dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ndërkohë sot Rama do të marrë pjesë në konferencën “Miqtë e Evropës” ku marrin pjesë dhe vendet e tjera aspirante të Ballkanit Perëndimor. Rama do të takohet me Shefen e Diplomacisë Evropiane, Mogherini, ndërsa pasdite do të jetë në takim me presidentin e PE-së, Antoinio Tajani dhe Presidentin e Komisionit Evropian, Juncker. Nga ana tjetër lideri i PD, Lulzim Basha, mori pjesë në samitin e PPE, ku janë mbledhur përfaqësues të partive të djathta evropiane, të qeverive të vendeve evropiane dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian. Sipas PD, Basha do të ketë takime të veçanta me përfaqësues të lartë të politikës evropiane, për të diskutuar për situatën politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe veçanërisht rreth sfidave të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Takimin e parë kryeministri e Zhvilloi me Presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk. “Të vazhdojë vrulli i reformave” Kështu është shprehur Presidenti i Bashkimit Evropian Donald Tusk gjatë takimit që pati në Bruksel me kryeministrin Edi Rama. Në fjalën e tij Tusk theksoi se BE mbështet Shqipërinë dhe proceset reformuese që ka ndërmarrë tashmë prej vitesh. Ndërsa shton se aspiratat evropiane të vendit tonë kërkojnë që vrulli I reformave të mos ndalet.“Jemi në të njëjtën anë, dhe është kënaqësi të jem me miqtë e mirë shqiptarë. Sot u fokusuam edhe për bashkëpunimin tonë në të ardhmen evropiane. Mund t’ju siguroj se këtu në Këshillin e BE-së mund të keni besim në mbështetjen tonë. Dhe duam të konfirmojmë se vlerësojmë procesin tuaj për reforma të thella për ambiciet evropiane,” tha në fjalën e përbashkët Tusk. Menjëherë pas takimit me kryeministrin shqiptar, Tusk e shpërndau mesazhin e tij edhe në Twitter.“Një takim i mirë me kryeministrin Edi Rama përpara Samitit të Ballkanit në 17 maj në Sofia. Nevojë që reformat për shtetin ligjor të vijojnë me të njëjtin ritëm për të avancuar në rrugën drejt BE”, thuhet në mesazhin e Tusk.
Sigal