Kryemadhi: Vendi ndodhet në situatë kritike, Kryeministri ka vënë në pikëpyetje sigurinë dhe figurën e Policisë së Shtetit

478
Sigal

“Atdheu është në rrezik”. Me këtë fjali e ka përshkruar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi situatën në vend, pas publikimit të përgjimeve të trafikantëve të drogës, ku rezulton i përfshirë dhe ish-ministri Saimir Tahiri.

Në një konferencë nga selia e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se vendi ndodhet në situatë kritike, pasi Kryeministri ka vënë në pikëpyetje gjithë sigurinë dhe figurën e Policisë së Shtetit.

Për këtë qëllim, Kryemadhi tha se LSI do të bashkojë forcat me PD-në. Pavarësisht gjërave që mund t’i ndajnë me PD, Kryemadhi tha se ajo që i bashkon është lufta kundër krimit të organizuar dhe bandave të drogës.

Më herët, kreu i PD-së Lulzim Basha u bëri ftesë gjithë forcave politike për të zhvilluar nesër një takim, i cili do të ketë në qendër të tij bashkëpunimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

VIDEO/Deklarata e plotë e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi

Deklarata e Kryetares së LSI:

Krimi është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Situata është nga më të rëndat që ka përjetuar vendi. Çdo qytetar, i ri dhe e re, burrë, grua, ndihen më të rrezikuar se kurrë në vendin e tyre.

Shteti i kriminalizuar i kryeministrit ka kompromentuar shumë rëndë dhe rolin e Policisë dhe Politikës.

Përpara këtij momenti shumë të vështirë të gjithë qytetarët janë bashkë dhe nuk ka më asnjë dallim mes tyre pasi te gjithë janë të rrezikuar.

LSI është pjesë e frontit të qytetarëve të bashkuar kundër bandave dhe krimit dhe do t’i shërbejë deri në fund vullnetit për një Shqipëri pa kriminelë në rrugë dhe në pushtet.

Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin por ka edhe shumë hallka të tjera që janë ende aty e që i drejton Edi Rama.

Janë hallkat e krimit e trafikantëve por edhe të oligarkëve që me bekimin e Edi Ramës po pastrojnë paratë e krimit të organizuar.

Mund të ketë pika që ndajnë LSI me partinë demokratike dhe partitë e tjera. Por çështja që na bashkon në një front të përbashkët kundër krimit dhe Bandave është më e fortë se çdo ndasi mes nesh.

Bashkëpunimi politik është një detyrë që na e kanë dhënë qytetarët,  është vullneti ynë dhe ne do e çojmë deri në fund dhe pa kompromis misionin tonë.

Këtë do ta bëjmë në emër të së ardhmes së fëmijëve, për të cilët vendi ynë duhet të jetë një vend i sigurt dhe i dashur.

Atdheu ynë i përbashkët është më i rrezikuar se kurrë dhe koha nuk pret. Të mblidhemi të gjithë së bashku kundër kësaj të keqe shumë të madhe që ka gllabëruar Shqipërine.

Mbështes qëndrimin dhe propozimin e kryetarit të PD z. Lulzim Basha për tryezë të gjerë politike që do të përgjigjet me një aksion intensive dhe pa kompromis në luftën ndaj bandave dhe Krimit në pushtet.