Kryemadhi takon ministrin kinez: Të nxisim bashkëpunimet rinore

509
Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me Song Tao, Ministër, Drejtues i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze. Gjatë takimit u formalizuan marrëdhëniet ndërmjet dy partive, të cilat u vlerësuan si tepër të rëndësishme për të forcuar më tej marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Gjatë takimit Kryemadhi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për këtë hap të ri të hedhur ndërmjet dy partive dhe shprehu angazhimin për të shtrirë bashkëpunimin në disa fusha të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, ne fushat e Turizmit, Bujqësisë, Infrastrukturës dhe Drejtësisë e Rendit. Zonja Kryemadhi shprehu kënaqësinë për trendin në rritje të shkëmbimeve ekonomike-tregtare, ku sot Kina është investitori i dytë më i madh në Shqipëri, si dhe rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve kinezë në Shqipëri. Ministri kinez Song shprehu vlerësimin për bashkëpunimin me LSI si një faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare dhe kontributore e përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri kinez Song shprehu angazhimin, në emër të Partisë Komuniste Kineze, për të shtuar bashkëpunimin duke shkëmbyer takime të niveleve të larta për të ndarë eksperiencat e suksesshme respektive. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë do i kushtohet shkëmbimeve rinore, në kuadër të forcimit dhe trashëgimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryemadhi vlerësoi arritjet e RPK dhe Presidentit Xi Jinping dhe zhvillimet pas Kongresit të 19, veçanërisht objektivat për luftën kundër varfërisë, rritjen e transparencës dhe zhvillimin e gjelbër. “Është evidente që reformat kanë nxitur hapjen e Kinës dhe hapja ka nxitur më tej reformat duke sjellë zhvillim dhe stabilitet”, – u shpreh Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së.