Kryemadhi: Situata aktuale politike, LSI do të thërrasë Konventën Kombëtare të saj

589
Monika Kryemadhi i ka bërë një thirrje të hapur qytetarëve të vendit dhe intelektualëve, që të angazhohen në politikë, për të mos lënë Shqipërinë në duart e Rames. Sipas kryetares së LSI-së, qytetarët shqiptarë janë shtypur nga opresioni i një kryeministri i cili i zgjat dorën vetëm oligarkisë që ka përreth tij.
Kryemadhi ka bërë thirrje përballë krerëve të degëve të LSI-së se kjo forcë politike duhet të mobilizojë qytetarët që zëri i tyre të dëgjohet, një tjetër thirrje kjo që nënkupton se LSI së shpejti do të përgatitet për protesta.
“Kryeministri kujdeset vetëm për një grup oligarkësh të cilët janë pranë qeverisë. Kësaj qeverie nuk ia ndjen që me mijëra fëmijë shqiptarë i ze gjumi të uritur, sepse varfërinë e quan sëmundje dhe drogën ilaçin e saj. Të ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre dhe të marrin në dorë frenat e vendit. Duhet t’i mobilizojmë shqiptarët, që zëri i tyre të dëgjohet, të fuqizojmë energjinë e tyre. LRI do ketë rolin kryesor për të zgjuar shpresën e qytetarëve.
LSI do jetë krahëhapur për mendimin intelektual, botën akademike, trurin e vendit të cilët duhet të angazhohen në politikën e vendit, sepse ndryshe historia do t’i akuzojë për apatizëm. Djalli mbizotëron kur njerëzit e mirë heshtin dhe nuk bëjnë asgjë. Duhet të marrim një vendim përfundimtar për të vepruar, ose t’ia lëmë vendin në dorë këtij djalli,” tha Kryemadhi.
Fjala e plote e Kryemadhit
Jemi në këtë takim për të diskutuar Për organizimin e menjëhershëm të strukturave të partisë, përsa I përket situatës aktuale në vend. Krimi I organizuar ka marrë në dorë frenat e vendit. Ne të gjithë jemi koshientë se ç’po ndodh dhe se çfarë po na bëhet prezent çdo ditë e më shumë. Seanca e djeshme tregoi edhe njëherë se në ç’situatë gjendet sot Shqipëria. Reagimi I Partisë Socialiste është një reagim hipokrit. Prej tre vitesh kemi dëgjuar se si ata janë tallur me mërzinë apo me lodhjen që shqiptarët kanë pasur përsa i përket sistemit të drejtësisë. Sot më shumë se kurrë shikojmë se si gjithë ato ulërima dhe të bërtitura për të ashtuquajturën reformë në drejtësi, nuk ishin gjë tjetër por ishin përgatitja e një plani për të zaptuar dhe për të pasur në dorë sistemin e drejtësisë dhe për ta kontrolluar atë. Pavarësisht nga kjo ne do të shkojmë drejt bërjes dhe thirrjes urgjente të Konventës Kombëtare të LSI, të cilën do ta fiksojmë të gjithë së bashku, por probabiliteti më I madh është që të premten e ardhshme, të mbledhim Konventën Kombëtare, gjë e cila është e domosdoshme për të sqaruar pozicionin e LSI në të ardhmen, përsa I përket angazhimit të saj politik, pozicionimin e saj në opozitë dhe hapat e mëtejshëm që do të vazhdojmë.
Ne jemi të vendosur në axhendën tonë opozitare për të ndërtuar një alternativë qeverisëse, të gatshme e cila merr përsipër përgjegjësitë e duhura dhe përmbush aspiratat dhe pritshmëritë e qytetarëve për një jetë dinjitoze në vendin e tyre. Shqiptarët meritojnë një qeverisje që ka në fokus dhe punon përditë për ekonominë, punësimin, luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë, për një arsim më cilësor, për një shëndetësi për të gjithë dhe të kudondodhur dhe për zgjidhjen e problemeve sociale, të cilat çdo ditë e më shumë po shkatërrojnë familjet shqiptare. Kjo do të jetë dhe axhenda jonë progresive. Për të ofruar një model të ri qeverisës, teksa qeveria e sotme kujdeset vetëm për një grup oligarkësh të cilët janë klientët e qeverisë aktuale dhe ndërkohë ngre taksat për shumicën e shqiptarëve, gjë të cilën ata po e ndiejnë çdo ditë e më shumë. Ne do t’i ofrojmë shqiptarëve alternativën tonë, ku shumica e të varfërve dhe klasa e mesme do të përfitojnë nga ulja e taksave dhe qeveria e shteti do të jenë në shërbimin e tyre dhe jo të oligarkëve. Kësaj qeverie nuk ia ndien që me mijëra fëmijë shqiptarë i zë gjumi të uritur, sepse kjo qeveri varfërinë e quan sëmundje, ndërsa drogën e quan ilaçin e saj. Prandaj edhe ky takim i sotëm vjen në një moment kritik për vendin, kur shqiptarët presin një zgjidhje nga opozita aktuale. Ata kanë kthyer sytë dhe veshët për të zgjuar shpresën dhe vetëdijen kombëtare në mënyrë të tillë që ky vend të bëhet dhe shumica e shqiptarëve të ndihen shqiptarë dhe jo të huaj në vendin e tyre. Janë këto njerëz të cilët duan të zgjohen çdo ditë e më shpejt, të vrasin frikën, të ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre dhe të marrin fatet e vendit në dorë. Ne jemi shumë më shumë se ç’janë banditë faktikisht në krye të shtetit shqiptar dhe duhet t’i mobilizojmë të gjithë shqiptarët që të trokasim në çdo derë, që zëri i tyre të dëgjohet në çdo rrugicë, në çdo rrugë, në çdo qytet, të fuqizojmë zërin e tyre, sidomos të të rinjve. Pra, LRI-a do të ketë rolin e saj kryesor për të zgjuar dëshirën dhe shpresën e të rinjve për të dashur vendin e tyre.
Të gjithë ne që jemi këtu sot, kryetarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në gjithë Republikën e Shqipërisë, kemi një përgjegjësi të madhe për të hapur dyert e LSI-së për këdo që beson në kauzën tonë, për këdo që ndihet i braktisur, i zhgënjyer, i nëpërkëmbur, i varfëruar apo për këdo që beson që mund të kontribuojë në vendin e tij në këtë udhëkryq vendimtar për të ardhmen e vendit. 
Për t’ia dalë në këtë betejë që nuk është e lehtë me krimin dhe me bandat. LSI do jetë krahëhapur sidomos për mendimin intelektual, mendimin kritik të botës akademike, të profesionistëve të lirë, të ekspertëve , të trurit të vendit të cilët duhet të angazhohen në politikë aktive sepse ndryshe historia do t’i gjykojë ata për apatizmin e tyre. Dua ta mbyll thjesht me një fjalë siç i thonë, fjalë të urta. Djalli mbizotëron atëherë kur njerëzit e mirë heshtin dhe nuk bëjnë asgjë. Prandaj, dhe ne duhet të marrim një vendim përfundimtar për të vepruar ose më pas t’ia lënë në dorë këtij djalli që ka zaptuar çdo ditë dhe më shumë çdo territor të Shqipërisë dhe pak nga pak shpirtin e shqiptarëve. Faleminderit
Sigal