Sigal

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me strukturat e LSI në Dibër. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se LSI së bashku me partitë e tjera opozitare ka nisur konsultimet për zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë në kuadër të zgjedhjeve lokale në qershor të vitit të ardhshëm.

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI në Dibër

Në fakt anëtarët e LSI janë munduar, por nuk janë mundur kështu që për këtë, të jeni të bindur të gjithë që ata që kanë ndikuar për t`ua bërë pak të vështirë rrugën anëtarëve të LSI-së apo drejtuesve të LSI-së, me të vetmen mënyrë për t`i tjetërsuar, por edhe për t`i intimiduar. Megjithatë mua nuk më shqetëson, sepse pashë që doktori kishte pak problemin e mospjesëmarrjes në miting, ne nuk jemi në një miting sot. Ne jemi me strukturat drejtuese të qarkut të Dibrës. Pra, me drejtuesit tanë në kryesinë së Burrelit, Bulqizës, Dibrës dhe Klosit, ku kemi dhe pak  më të zgjeruar për Bashkinë e Peshkopisë, për shkak të zonës që jemi. Por nesër jemi përsëri në takime të tjera si në Bashkinë e Bulqizës, ashtu  dhe në Bashkinë e Klosit edhe në Burrel. Tashmë, data e zgjedhjeve është dekretuar. 30 qershori është data e zgjedhjeve vendore. Ne duhet të jemi te gatshëm për tu përgatitur për përgatiten e listave të këshilltarëve, por në të njëjtën kohë jemi në përgatitjen, në bashkëbisedim por edhe në negociata me partitë opozitare. Pra me frontin opozitar për të zgjedhur dhe përzgjedhur kandidatët fitues për sa i përket Bashkive, të cilat do drejtohen në të ardhmen nga kandidatët fitues që do të zgjedhë opozita. Kështu që kjo është një mision, i cili duket në thelb dhe në aspektin e parë si pak teknik, por në fakt është shumë i domosdoshëm. Pavarësisht gjithë zgjidhjeve të tjera, tashmë strukturat tona të LSI në të gjithë qarkun, duhet të fillojnë rakordimin dhe organizimin me strukturat e Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare. Do përgatitemi për të përgatitur jo vetëm kandidatët që do të jenë për Kryetar Bashkie, por ajo që është më e rëndësishme, përgatitja e listave për këshilltarë, sepse është shumë e rëndësishme edhe pjesëmarrja. Ne jemi të detyruar që në listat për këshilltarë, pjesëmarrja duhet të jetë 50% duhet të jenë gra dhe vajza dhe 50% burra. Kështu që, na duhet të fillojmë punën që tashmë, në mënyrë për përgatitjen e këtyre listave të këshilltarëve që janë shumë të domosdoshëm sepse nuk do jenë më përfaqësues që do na duhen për të qenë të përfshirë,  por do na duhen të jenë përfaqësues politik sepse pavarësisht se qarku i Dibrës nuk ka pasur lëvizje këshilltarësh, ajo që është më e rëndësishme është që përfaqësuesit e LSI-së në këshillat bashkiak do të jenë përfaqësues politik. Kryetari tha zgjedhje vendore, por unë nuk jam e bindur nëse do jenë vetëm zgjedhje vendore. Kjo vjen për shkak të situatës politike që është sot në Shqipëri, për shkak të politikës, të rendit, të pasigurisë, të korrupsionit, të varfërisë, të ekonomisë që ka sot Shqipëria. Jo më larg, por para disa kohësh, ju vetë keni parë në media se si Kryetari i Bashkisë së Durrësit komunikonte për shitblerjen e votës, pra ajo që është më e domosdoshme dhe ne e kemi thënë më përpara dhe kanë qenë kryetarët apo ndërmjetësuesit të bandave apo të grupeve kriminale që merren me trafikun e drogës për të tjetërsuar votën e shqiptarëve. Në vazhdim do ketë dokumente dhe fakte të tjera me zë dhe me figurë se si drejtues të Partisë Socialiste në bashkëpunim me bandat kriminale në qytete të ndryshme, kanë tjetërsuar dhe kanë blerë votat. Ashtu sikurse kemi prezent raportin e OSBE-OHDIR-it,ashtu siç kemi deklaratat apo raportet e përgatitura nga Bashkimi Evropian, që 20% e votave të zgjedhjeve të 2017-ës kanë qenë vota të blera. Duke qenë në një situatë të tillë, tashmë ky parlament nuk ka më asnjë vlerë sepse morali i mandateve të mazhorancës është morali i mandateve të drogës, ku shqiptarët ndihen çdo ditë e më shumë të frustruar, të shqetësuar dhe të lodhur dhe kjo vjen për shkak të situatës, në të cilën është krijuar vendi. Po bisedoja pak më përpara me Përparim Spahiun dhe ai më thoshte mua që mos thuaj që s`ka shpresë sepse njerëzve i është krijuar ideja që nuk ka shpresë. Po të shikojmë atë që ndodh, vërtetë është  mungesa e shpresës. Njerëzit nuk kanë shpresë për çfarë do të ndodhë më vonë dhe në fakt kjo mungesë shprese është një instrument që qeveria po e përdor për t`i humbur shpresën shqiptarëve në mënyrë të tillë që gjithë shqiptarët të ngrenë plaçkat e tyre dhe të largohen nga Shqipëria në mënyrë të tillë që ta ketë më komode zotërimin e situatës. Ndërkohë nga ana tjetër, shikojmë se si dëgjuam dhe pamë apo po themi tepsinë që Rilindja e donte më vete, e mori tepsinë me vete, e ka tashmë më vete por nuk po i shohim shqiptarët që të jenë më të lumtur, të jenë më të begatë apo më të pasur. Pak më përpara ne po bënim një bilanc. Vetëm në rrethin e Dibrës, në kohën që Ministria e Bujqësisë drejtohej nga LSI, 800 fermerë kanë fituar projekte subvencioni fituese në pemtari. Sot në një vit qeverisje të Edi Ramës është vetëm një projekt për Dibrën. Pra, ky është elementi më i thjeshtë që ne mund ti themi dibranëve hapur. Në kohën e LSI-së, 800 fermerë kanë marrë subvencion nga LSI, në kohën e Edi Ramës që e mori tepsinë që e donte vetëm për vete, ka dhënë vetëm një projekt në pemtari për dibranët. Ky njeri që donte ta shtrinte gjithë pushtetin e tij tek shqiptarët, ky qe fliste për shushunjat, ky që kishte hallin e pirjes së gjakut, doli që shushunja më e madhe dhe njeriu që ia pi gjakun më shumë shqiptarëve, qenka Edi Rama dhe sekti i tij kriminal i Rilindjes. Më lejoni që nëpërmjet takimit tuaj të flas edhe për banorët e Unazës së Re, që janë tek Astiri, një pjesë e tyre janë dhe dibranë, bashkëpatriotë tanët. Duke pasur parasysh që janë gati 370 familje, të cilët humbasin shtëpitë e tyre, humbasin pronat e tyre. Dhe arroganca e Edi Ramës kalon çdo lloj norme e kufiri. Jemi të gjithë dakord që rrugët në Tiranë duhen shtruar, zhvilluar. Jemi të gjithë dakord për infrastrukturën se ashtu siç po shtrohet rruga e Arbërit, edhe pse do të ketë një kosto shumë të madhe, për buxhetin e shtetit dhe për xhepat e shqiptarëve, ne jemi dakord edhe pse mund të kemi objeksionet tona përsa i përket  momenteve korruptive që mund të ketë ajo rrugë. Ne themi që është një rrugë që në fund të fundit, nuk ka për ta fut në xhep as Edi Rama, as Monika as Rimi, por do jetë një rrugë që do ta përdorin dibranë, do ta përdorë biznesi për të zhvilluar ekonominë.  Ndërkohë në Tiranë kemi një gje tjetër, kemi spostimin e shtratit të Lanës, jo me qëllim për të bërë rrugë por kemi spostimin e shtratit të Lanës me një qëllim të vetëm, për të krijuar hapësirë për sipërfaqe ndërtimi, për kompani ndërtimi që duan të ndërtojnë pallate. Dhe ndërkohë të gjithë këta qytetarë, të gjithë këta njerëz të cilët kanë 22 vjet që paguajnë taksa, taksë gjelbërimi, pastrimi, televizoni, shkollash, energji, drita, pastrim rrugësh, të gjitha, këta njerëz prej 22 vitesh kanë paguar dhe legalizimet, dhe mbi 8 milionë lekë, edhe kur i kemi thënë do ti keni falas dhe kur do ju themi i kemi me pagesë. Kanë paguar topografët, harta, dokumentacione, pra të cilat janë para pafund, sot ju thuhet që do të ikni dhe do të ngreni plaçkat. Do ti prishni dhe shtëpitë vetë. Pra të marrin dhe matrapikun për të prishur shtëpitë e tyre. Po nëse ne do ti shkonim Edi Ramës dhe do ti kërkonim që të prishte shtëpitë e tij apo të familjarëve të tij. Ça do të bënte Edi Rama? Gjëja e parë do ti rregullonte në këto apartamentet luksoze që ka bërë mes Tiranës. Pra siç kujdeset ai për familjarët e tij, për oligarkët e tij, ne mendojmë që qeveria ka të drejtë apo dhe Bashkia e Tiranës ka të drejtë që të kujdeset për qytetarët e tij. I njëjti koncept, i njëjti mentalitet, të njëjtën logjikë Edi Rama përdor kudo në të gjitha Bashkitë. Bashkitë të cilat ai i kontrollon, bën si të dojë vetë, pra i bën një vizatim hartës së qytetit dhe prish pallate, prish shtëpi, prish biznese për të krijuar fasadat e veta të ekspozitave dhe skulpturave  të tij të baltës, ndërkohë Bashki të cilat nuk drejtohen nga forca e tij politike, jo vetëm që i izolon,jo vetëm që i bllokon por ju heq shanset dhe mundësitë që të zhvillohen si qytete normale edhe pse mund të jenë nga Bashki të cilat i japin burime financiare shumë të mëdha buxhetit të shtetit. Mund të flasësh pafundësisht për qeverisjen e Ramës, për kapjen nga krimi, për gjëra njëra pas tjetrës dhe në fakt janë shumë të domosdoshme sepse njerëzit janë pak të verbuar apo dhe pak me veshë të mbyllur për shkak të makinerisë së propagandës së Edi Ramës. Kjo është dhe një nga arsyet që ne si opozitë në bashkëpunim dhe me PD, tashmë do të fillojmë një organizim komplet ndryshe nga herët  e tjera.

Nga eksperiencat tona që kemi pasur në fushatat e 2011 apo dhe në 2009, kam kandiduar vetë këtu në Dibër, eksperiencat janë të ndryshme por edhe kemi përfituar nga ato. Tashmë shtabet tona elektorale që do të ngremë në bazë Bashkish dhe më pas në bazë rajonesh apo komunash, do të bashkëpunojnë dhe do të rakordohen me shtabet elektorale të partive që janë të frontit opozitar. Këtë e quajmë konstituimin e ngritjes së shtabit elektoral të qarkut të Dibrës dhe më pas do të konstituojmë shtabet në bazë Bashkish. Ndërkohë Lëvizja Rinore për Integrim, do të ketë ngritjen e shtabeve të saj. Lëvizja e Gruas për Integrim do të ketë dhe ajo ngritjen e shtabeve të  saj. Pse e themi që janë të domosdoshme dy shtabet e këtyre dy strukturave furnizuese të partisë. Janë të domosdoshme sepse për vetë hartimin e listave të këshilltarëve që ne jemi të detyruar të kemi 50% gra dhe vajza, përveç përfshirjes së elementit të ri apo dhe votuesve për herë të parë do të jenë elemente të cilat janë të domosdoshme dhe që duhet punuar shumë derë më derë. Tashmë janë dhe rrjetet sociale, sot të gjithë njerëzit marrin informacionin nëpërmjet telefonit por nga ana tjetër jo të gjithë e kanë mundësinë, por nga ana tjetër krijimi i këtyre strukturave do të jetë i domosdoshëm për të punuar derë më derë me njerëzit. Përsa i përket aksionit politik, të jeni të bindur që pasi të mbyllim komunikimin mediatik, do të flas edhe për aksionin politik, do të kemi etapa të tjera, sepse përfshirja e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk do të jetë thjesht në kuadrin e përfshirjes dhe angazhimit politik, por do të ketë edhe angazhime të tjera sepse tashmë detyra jonë do të jetë, të jemi instrumentët qe protestat popullore, do ta përdorin partinë tonë, por edhe partitë e tjera opozitare për të arritur qëllimin, të cilat kanë vetëm një qëllim, largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Pse e themi këtë, e themi këtë se është e domosdoshme, sepse shpërngulja që po ndodh në masë e të rinjve shqiptarë është e jashtëzakonshme, e cila çdo ditë edhe më shumë, jo vetëm që po e rrudh Shqipërinë, por edhe vetë ju këtu e ndjeni sot që djemtë edhe vajzat po ngrihen dhe po ikin një orë e më përpara. Kjo është një element, të cilin ne do ta diskutojmë edhe pak më vonë, sepse do të diskutojmë edhe për axhendën politike dhe organizative të partisë, por ajo që mendojmë dhe është shumë e domosdoshme, është që ndërmjet këtij takimi nga Dibra, ne nesër do të jemi në qytete të tjera, do të jemi në Shkodër, Sarandë, Gjirokastër dhe me radhë në të gjithë Shqipërinë. Janë elementët që ne duhet të zgjojmë të gjitha strukturat, jo vetëm në kuadrin e evidentimit të antarësisë, jo vetëm në kuadrin e evidentimit të shtabeve elektorale apo grupeve të punës që kanë punuar gjatë fushatës të zgjedhjeve të 2017, por edhe në hartimin e politikave tona, përsa i përket pushteti vendor, të cilat dashje pa dashje ne do të jemi të detyruar që të përballemi nesër me realitetin por edhe me qytetarët për të mbajtur premtimet që ne do t’ju japim njerëzve. Ajo që thamë edhe pak më përpara, edhe sot e kësaj dite Dibra që ka ujin e Korabit, ujin më të mirë në Shqipëri, sot ka ujë 1 herë në 72 orë, që është gjëja me e tmerrshme. Një nga vendet më të pasura me burime ujore është i tharë për ujë sepse vjen si rezultat i papërgjegjshmërisë apo ndoshta edhe si rezultat i urrejtjes që mund të ketë qeveria e Tiranës ndaj këtyre zonave. Unë ju falenderoj shumë dhe ju uroj gjithë të mirat, do doja që të thoshte edhe Rimi diçka që më pas të vazhdojmë me angazhimet  e tjera.