Kryemadhi: Qeveria e ka harruar Lezhën

508
Një foto e publikuar mëngjesin e sotëm në profilin e kryeministrit, ka nxitur reagimin e nënkryetares se LSI, Monika Kryemadhi.
Sipas Ramës Lezha e drejtuar sot është reformuar në krahasim me 2013-ën, që në fakt në atë periudhë drejtohej nga Viktor Tushaj, si kryetar bashkie, përfaqësues i LSI-së.
Ky krahasim ka ngjallur reagimin e Monika Kryemadhit, e cila është njëherësh edhe përfaqësuese e këtij qyteti në parlament.
Sipas saj, selia që duket në foton e vjetër është e njëjtë, ndërsa shton se kryeministri ka harruar drejtimin e gabuar që ka zgjedhur partia që ai drejton, i cili ndikoi ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve në Lezhë. Ajo shton se pas 2013-ës, kanë munguar investime në rrugë, kanalizime, shkolla etj.
STATUSI I PLOTË I KRYEMADHIT
Është për t’u vleresuar kujdesi që kryeministri tregon për Lezhën, qytet në fakt i transformuar dhe zbukuruar falë investimeve të qeverisë dhe punës së kryebashkiakut Viktor Tusha.
Në këtë foto duket qendra e Lezhës si ka qenë dhe se si ka ndryshuar ajo falë punës tonë dhe angazhimit të të gjithë qytetarëve. Edhe më e bukur do të ishte, edhe më shumë punë, mirëqënie, rrugë, kanalizime, shkolla dhe çerdhe do të kishte Lezha nëse do të vijohej të drejtohej nga ata që përmirësuan ndjeshëm këtë qytet.
Por kryeministri ndoshta ka harruar pakëz mosangazhimin ose drejtimin e gabuar që ka zgjedhur partia që ai drejton, i cili ndikoi ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve në Lezhë. Sot Lezha dhe qytetarët e saj do të ishin më të mirë dhe më të begatë nëse Edi Ramën do ta dëgjonte më shumë dhe më seriozisht partia e tij në Lezhë për të fituar Lezhën dy vjet më parë.
Por siç duket gjërat harrohen shpejt dhe sot kryeministri ka nostalgji për periudhën kur Lezha kishte drejtimin e duhur.
Ndërsa selia që duket në foton e vjetër është e njëjta, me ndryshimin e vetëm se sot, në krahasim me dy vjet më parë ka më shumë të rinj e të reja që punojnë dhe motivohen për t’i rikthyer Lezhës dhe banorëve të saj dinjitetin që meritojnë. Sepse LSI është shans për të gjithë, edhe për ata që në dukje e nënvlerësojnë.


Sigal