Kryemadhi: Protestojmë me flamurin e shpresës, kundër qeverisë së mjerimit që detyron shqiptarët të lënë atdheun

418
Fjala e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI-së së Elbasanit 

Në fakt si ditë e shtunë sot edhe me shi e vrenjtur, mendova se do të ishte pak e zymtë por sapo hymë në sallë nuk është e zymtë, ka energii, ka entuziazëm, ka pozitivitet. Që në Elbasan duhet të jesh shumë i kujdesshëm ta fitosh këtë energji, këtë pozitivitet, këtë përkrahje që më jepet shansi t’ju falenderoj dhe njëherë nga zemra, për të gjithë mbështetjen, për të gjithë përkrahjen tuaj, për gjithë atë vendosmëri me të cilën qytetarët e Elbasanit i’a dhanë mundësinë LSI-së për të pasur përfaqësuesit e saj në Parlamentin shqiptar. Nuk më mbetet gjë tjetër të them, jo vetëm që ju falenderoj nga zemra, jo vetëm që u jam mirënjohëse dhe borxhlie, unë dhe profesor Mondi, por ju japim fjalën që qëndrimi ynë, që puna jonë, që insistimi ynë, që Elbasani të marrë atë që meriton do të jetë e pandalshme. 

Sepse vërtet Elbasani meriton më shumë, sepse vërtet Elbasani meriton vëmendjen e politikës, por edhe vëmendje në ekonomi, meriton vëmendje në infrastrukturë, shëndetësi, arsim. Ashtu siç ka qenë djepi i arsimit, ashtu duhet të rikthehet në djepin e arsimit, dhe të eksportojë kulturën, të eksportojë atë dashuri, atë mikpritje, emocion, atë arsim që i ka munguar në këto 27 vjet tranzicion Shqipërisë. Kështu që detyra jonë është që të jemi një përfaqësim dhe ta meritojmë atë përfaqësim që ju na dhatë në 25 qershor. Na votuat përballë një presioni, na votuat përballë një dhune psikologjike, terror kriminal të cilin ju e përballuat me sfidë, e përballuat me vendosmëri dhe mbi të gjitha treguat që Elbasani nuk shitet, nuk blihet dhe as nuk tundohet.

Kështu që ju falenderoj dhe njëherë, ju jeni heronj të LSI-së, ju jeni ata heronj të cilët na mbushni zemrën me përgjegjësi, por edhe me një dashuri, respekt dhe mirënjohje pafund për ju. Ju faleminderit. Sot ne këtë takim me strukturat e Elbasanit menduam ta zhvillonim duke pasur parasysh që LSI, por jo vetëm partia jonë, e gjithë shoqëria shqiptare gjendet përballë sfidave të vështira. Të cilat janë jo vetëm të vështira, por dhe të rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe sigurisht që pa përkrahjen, pa vendosmërinë, pa entuziazmin, pa edhe shpirtin dhe përkrahjen e njerëzve dhe strukturave të LSI, për të cilat ne sot kemi një parti, e cila është parlamentare e fuqishme. Është një realitet politik. Ka qenë një forcë politike, e cila ka vendosur fatet e Shqipërisë dhe gjithmonë ka qenë një forcë stabilizuese. E cila ka krijuar stabilitet politik, ka krijuar stabilitet ekonomik, ka krijuar stabilitet në sigurinë kombëtare. Kjo forcë politike në sajë të përkrahjes tuaj, sot kërkon përsëri përkrahjen tuaj dhe mbështetjen tuaj për të zgjuar shqiptarët nga gjumi i frikshëm i harresës, nga i cili janë përfshirë. Ne sot do ju bëjmë thirrje që nga Elbasani, por më pas do të jemi në shumë qytete të tjera, të gjithë shqiptarëve, që në datën 27 Janar të jenë pjesë e shqiptarëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shumëkush nga ju thotë, po mirë kjo protestë e opozitës është, ç’punë kemi ne, nuk votojmë për asnjë parti. Nuk është protestë e opozitës dhe po ju bëj thirrje që të gjithëve që ti harroni bindjet politike më 27 Janar. 27 Janari është dita e ndërgjegjësimit të shqiptarëve për tu zgjuar, nga ajo pabarazi që ka pllakosur sot Shqipërinë, jo vetëm në jetën ekonomike, jo vetëm në jetën shoqërore, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por një pabarazi jetësore në të cilën ne jetojmë sot. Ju jeni të vetëdijshëm sesa qindra dhe mijëra familje në Elbasan jetojnë pa ndihmën ekonomike, sepse e kanë të pamundur. Ju jeni të vetëdijshëm dhe e dini sesi qindra dhe mijëra familje në Elbasan gdhihen të paushqyer një ditë më parë. Sesa qindra vajza dhe djem nga Elbasani, kanë emigruar, janë larguar sepse nuk shohin asnjë të ardhme për familjet e tyre dhe për të ardhmen e tyre. Dhe kjo është një nga arsyet pse duhet të protestojmë në 27 Janar. Ne duhet të protestojmë më datën 27 Janar, jo për LSI, jo për PD, por ne duhet të protestojmë për veten tonë. Duhet të protestojmë për ato djem dhe vajza, të cilët kanë ikur të ndërtojnë Shqipërinë e tyre në Europë, por duhet të ndërtojmë Europën në Shqipëri. Kjo është nisma jonë. Ne do të protestojmë për të gjithë ata burra dhe gra që për vite të tëra kanë punuar, por nuk arrijnë të marrin dot pensionin e tyre sepse në ato vite emigracioni e kanë humbur të drejtën për të marrë pension. Ne do të protestojmë për ata qindra dhe mijëra naftëtarë, të cilët qeveria e Edi Ramës i gënjeu natën e vitit të ri, dhe sot vazhdojnë në këto ditë të ftohta dhe me shi protestojnë përpara institucioneve shqiptare. Ne do të protestojmë për ata qindra dhe mijëra minatorë, të cilët nuk kanë statusin e minatorit dhe për të gjithë ata që kanë qenë viktima në galeritë e minierave në Shqipëri. Familjarët e tyre nuk kanë asnjë të ardhme dhe aq më keq foshnjat e tyre që i kanë lënë jetim. Ne do të protestojmë për të gjithë ato mësues/e të cilët në presionin e dhunës dhe luftës politike të drejtorëve të tyre politik humbasin vendin e punës, frikësohen, intimidohen dhe largohen nga vendet e punës. Ne do të protestojmë për të gjithë ata mjekë dhe infermierë, të cilët largohen nga vendet e punës edhe pse kanë mbi 20 vjet që punojnë për shkak të bindjeve së tyre politike. Do të protestojmë për të gjithë ata punonjës të administratës civile, edhe pse kanë statusin e nënpunësit civil, edhe pse janë të mbrojtur nga marrëveshjet që ka bërë qeveria shqiptare me BE, ata hiqen nga puna duke shkelur ligjin me të dyja këmbët. Ne do të protestojmë për bizneset e vogla, të cilat do të hyjnë në skemën vdekjeprurëse që është skema e TVSH-së, ku ne e dimë shumë mirë që 90% e bizneseve të vogla do të shkojnë drejt falimentimit për shkak të fuqizimit apo monopolizimit të të gjithë treguat apo të të gjithë supermarketeve apo minimarketeve të vogla të grupohen në një dorë. Në duart e oligarkëve. Ne do të protestojmë për shtresën e mesme, të cilën taksa progesiste e Edi Ramës e zhduku dhe e eleminoi atë. Ne do të protestojmë për ata 465.000 shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë, sepse nuk kanë shpresë dhe nuk kanë të ardhme në Shqipëri. Ne do të protestojmë për brezin e ri. Do të protestojmë për ata gjimnazistë, për ata maturantë, të cilët kërcënohen nga mësuesit e tyre për shkak të bindjeve të tyre politike, sepse në të kundërt nuk do të kenë shansin dhe mundësinë për të vazhduar shkollën. Ne do të protestojmë për të gjithë ata studentë, të cilët për të marrë një vërtetim, jo vetëm duhet të paguajnë para, por u duhet të presin dhe me muaj të tërë për të marrë këtë vërtetim. Ne do të protestojmë për të gjithë ata pronarë tokash, të cilët kanë 27 vjet që gënjehen nga politika dhe nuk kanë arritur dot të marrin pronat e tyre. Do të protestojmë për të gjithë ata pronarë që u janë vjedhur pronat e tyre. Do të protestojmë për qindëra dhe mijëra shqiptarë, të cilët kanë bërë kërkesë për të legalizuar shtëpitë e tyre, dhe jo vetëm që nuk I kanë legalizuar, por janë viktima të gjobave, të parave dhe korrupsionit të legalizimit. Do të protestojmë për të gjithë ata, burra dhe gra, djem dhe vajza, të cilët nuk ndihen të lirë në vendin e tyre. Pronarë të Shqipërisë janë shqiptarët, dhe nuk është Edi Rama. Pronari i shqiptarëve nuk është Edi Rama. Edi Rama është kryetari i Partisë Socialiste. Është një Kryeministër i zgjedhur me mandate të blera me paratë e drogës. Edi Rama mund të pretendojë që të jetë Zot i këtij vendi, por ai kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë Zot i shqiptarëve. Zoti I shqiptarëve janë shqiptarët, sepse janë ata që vendosin për fatet e tyre. Megjithatë këtu nga Elbasani unë dua ta përshëndes z.Rama për ndihmesën që I dha mësueses nga Rrësheni, përsa I përket marrjes së ilaçit për kurimin e sëmundjes së saj, që është një nga sëmundjet më të këqija, siç është kanceri. Por do të dëshiroja që z.Rama ta bënte këtë gjë, edhe për Mrikën nga Lezha, edhe për Suelën nga Librazhdi, edhe për Astritin nga Korça, edhe për Thimin nga Gjirokastra, edhe për Hasanin nga Babruja, edhe për Petritin nga Kamza dhe për qindra e mijëra të tjerë që janë të sëmurë dhe enden dyert e spitaleve për të marrë shërbimin falas, edhe pse nuk i kanë mundësitë e tyre financiare. Do të dëshiroja që gjesti I kryeministrit me mësuesen nga Rrësheni të mos ishte teatër. Ne jemi lodhur nga teatri. Do të dëshiroja që z.Kryeministër të zgjidhte jo vetëm hallin e një individi, për mediat shqiptare, por të zgjidhte hallet e të gjithë atyre qindëra dhe mijëra shqiptarëve të cilët janë në proceset e kimioterapive, dhe e dinë shumë mirë se si sorrollaten në dyert e spitaleve, dhe se si sorrollaten për të marrë qoftë edhe një recetë te mjeku I tyre, sepse e ka të pamundur tja u japi atë. Dhe do të dëshiroja që fasada e bukur e një qeverie të kalbur të mos ishte realitet. Do të dëshiroja që më mirë të kisha një fasadë të shëmtuar dhe një godinë me themele të forta dhe mure të forta, se sa një fasadë të zbukuruar, të pikturuar, por të kalbur brenda saj, të mbushur me insekte, të mbushur me parazitë dhe të bërë të pajetueshme. Do të dëshiroja që Kryeministri ashtu siç bëri me mësuesen nga Rrësheni të bënte me të gjithë shqiptarët, të cilët duan sot një vend pune. Të bënte me të gjithë ata të rinj dhe të reja, të cilët aspirojnë për një Shqipëri europiane. Do të dëshiroja që me zellin, me vendosmërinë që ka kryeministri për të bërë propogandë për veten e tij, për imazhin e tij, ti përkushtohej sado pak imazhit të Shqipërisë, për një Shqipëri europiane dhe për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian dhe jo për ta kthyer në anën e kundërt, atë aspiratë që shqiptarët nuk e kanë dashur me qindra dhe me mijëra vjet. Aspirata e shqiptarëve është Bashkimi Europian. Aspirata e shqiptarëve është e ardhmja e Shqipërisë në Europë. Ky është misioni ynë. Kjo është lufta jonë. Kjo është ajo çka ne aspirojmë dhe për këtë do të luftojmë deri në fund, për një Shqipëri europiane, sepse ndoshta klasa politike nuk e meriton për të qenë europiane. Por unë me bindje dhe me dorë në zemër, e them dhe do ta them gjithmonë, ndoshta ne nuk e meritojmë, por e meritojnë shqiptarët. E meritojnë ata burra dhe ata gra të cilët kanë luftuar, janë munduar, janë rraskapitur, për ta ndërtuar këtë vend, për ta mbrotjur këtë vend, por edhe kanë dhënë dhe jetën për krenarinë dhe dinjitetin e këtij vendi. Vendin e Shqiponjave, të cilin Edi Rama nuk mund të na I kthejë dot në vendin e harabelave. Ne do të dalim të protestojmë më datën 27 Janar, jo me flamurin e LSI-së, por ne do të dalim të protestojmë me flamurin e Barazisë. Se kemi 27 vjet që jemi në tranzicion. Kemi qenë 50 vjet në diktaturën e Enver Hoxhës, kemi kaluar luftëra mbi trupin e vuajtur dhe të stërmunduar të Shqipërisë, por gjithmonë kemi kërkuar barazi. Ne do të dalim të protestojmë për të pasur një shtet të barabartë, për të pasur një drejtësi të barabartë, për të pasur një edukim të barabartë, për të pasur një shëndetësi të barabartë, për të pasur një qeveri të barabartë, që I trajton të gjithë shqiptarët njëlloj, jo ca të RIlindjes, jo ca të socialistëve, jo ca të demokratëve dhe jo ca të LSI-së e kështu me rradhë. Ne do të protestojmë për të pasur një shoqëri të barabartë, sepse një shoqëri e barabartë është një shoqëri me vlera. Një shoqëri e barabartë është një familje e ngrohtë. Dhe ne kemi nevojë për këtë familje të ngrohtë, për këtë familje që është thelbi dhe baza dhe themeli i shoqërisë shqiptare. Prandaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse tju ftoj të gjithë juve në datën 27 Janar, në Tiranë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por jo vetëm ju, të merrni dhe prindërit, të merrni dhe gratë, dhe burrat, dhe vajzat tuaja, komshinjtë, miqtë, për tu bashkuar në atë protestë. Harrojini partitë politike. Partitë politike do të jenë mbas popullit. Nëse partitë politike do të harrojnë misionin e tyre, mision të cilin e kanë krijuar për t’ju shërbyer shqiptarëve, për tju shërbyer qytetarëve, nuk janë më parti politike, por janë grupi interesi. Dhe interesi I Lëvizjes Socialiste për Integrim është integrimi I Shqipërisë në Bashkimin Europian, është një Shqipëri e vërtet, një Shqipëri me vlera dhe një Shqipëri e begatë. Zoti ju rujt të gjithë juve dhe familjeve tuaja. 
Sigal