Kryemadhi: Politika të unifikohet në luftën kundër varfërisë

705
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh se opozita ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërsa kërkoi bashkimin e politikës në luftë ndaj varfërisë. “Ne kemi shpallur fazën e diskutimeve për kandidatët, jo për kryetar bashkie por më shumë për anëtarët e këshillave bashkiak, gjë që është shumë e rëndësishme për të krijuar grupet e këshilltarëve të cilët do të jenë prezantues. Dhe ajo që dua të them, është që zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje politike. Zgjedhjet lokale janë zgjedhje që kanë të bëjnë me menaxhimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Dhe kandidati është shumë i rëndësishëm, personi i cili jo vetëm fushatën për kryetar bashkie por të marrë përsipër dhe gjithë zgjidhjen e problemeve dhe strategjive të zhvillimit të qytetit në të cilin ai do kandidojë”, tha Kryemadhi. Ajo shtoi se do të fillojnë dëgjesat dhe do të kërkohet që partia të hapet drejt figurave të reja, faktorëve të rinj në jetën politike shqiptare. “Mos të harrojmë që tashmë LSI, është një parti në opozitë, ka rolin e saj dhe duke qenë një parti në opozitë, shanset dhe mundësitë e saj për t’u hapur janë shumë më të mëdha për të vetmen arsye, sepse sot ka nevojë, politika shqiptare ka nevojë për njerëz të rinj, sjellje të reja, gjak të ri, frymë të re, kualitete të reja. Dhe ajo çka dua të them, që kandidatët tanë do të jenë kandidatura që do të hidhen në tryezë, për sa iu përket diskutimeve që janë të rëndësishme. Megjithatë është shumë herët për ta shpallur kush do të jetë kandidat për kryetar bashkie në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë”, nënvizoi Kryemadhi. Për kryetaren e LSI-së, strukturat duhet të jenë të përgatitura. “Do të hyjmë në një proces zgjedhor, i cili sjell jo vetëm vota për të sjellë fitues kandidatët tanë, por do të jetë dhe një proces i cili është shumë i rëndësishëm për të orientuar jo vetëm votuesin e LSI, por edhe shumë votues të tjerë për ta çuar votën në drejtimin që ka të bëjë më zhvillimin e një qyteti. Ajo çka është më e rëndësishme është që koha nuk është as e gjatë, as e shkurtër”, tha Kryemadhi. Drejtuesja e LSI-së tha se fatkeqësia jonë më e madhe nuk është çështja e atyre 613 kg drogë, fatkeqësia më e madhe është që shqiptarët sot zënë vendin e parë në botë në përdorimin e kokainës. “Janë populli më i varfër në Evropë, dhe ndërkohë janë populli i parë në botë që përdor kokainë, ku kokaina është nga drogat më të shtrenjta. Ne kemi një brez të ri të kërcënuar fort nga droga. Nesër nuk do të kemi mësues, por do të kemi drogaxhinj, nuk do të kemi inxhinierë dhe mjekë, por do të kemi inxhinierë dhe mjekë ose të droguar, ose nuk do të kemi fare. E thashë dhe dje, do hipësh në një shofer taksie, i cili në vend që të çojë në destinacionin e duhur do të çojë në destinacionin e gabuar”, tha Kryemadhi. Ajo tha se “problemi më i madh është që ne duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për sa i përket çështjes së varfërisë, sepse vetëm ajo është elementi kyç me të cilin përfiton krimi i organizuar, përfiton korrupsioni, përfiton i papërgjegjshmi”.
Sigal