Kryemadhi: Për skrap Ramadrogën!

651
Konventa Kombëtare Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh sot në Tiranë për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë pas dorëheqjes së Petrit Vasili.
Në këtë Konventë ishin të pranishëm drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe delegatë nga të gjitha degët e LSI-së në të gjithë Shqipërisë.
Me votim unanim delegatët zgjodhën Monika Kryemadhi si Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa Luan Rama u zgjodh në postin e Zv.Kryetarit të LSI-së dhe Erisa Xhixho u zgjodh Nënkryetare e LSI-së. 
Në hapje të punimeve të Konventës, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, u shpreh se LSI do jetë një opozitë e fortë në Kuvend dhe do përfaqësojë denjësisht qytetarët shqiptarë, të cilët në masën 75% refuzuan të votojnë Rilindjen.
Ndërsa, Monika Kryemadhi në fjalën e mbajtur në këtë Konventë pas zgjedhjes si Kryetare e LSI-së, siguroi shqiptarët se tashmë do të kenë një opozitë të fortë e pa ekuivok kundër krimit. “Kjo është një rrugë që nuk ka kthim pas. Jemi forca kryesore opozitare në vend dhe kemi një punë të madhe përpara. Ne do të vazhdojmë të jemi një opozitë e vërtetë”, tha Kryemadhi në fjalën e saj, duke theksuar se do të punohet për hartimin e një plani ekonomik e social të vendit. “Sot ju më dhatë votën për t’ju drejtuar në opozitë. Kjo është një detyrë pa kushte për mua. Nuk do të ndalem asnjë minutë, asnjë sekondë, jo vetëm për të denoncuar, por për të luftuar deri në fund që ky vend të mos jetë më vend i krimit dhe oligarkëve”, tha ndër të tjera Kryemadhi. 
Fjala e plotë Monika Kryemadhit në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së
Të dashur delegatë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen, përkrahjen tuaj. Edhe pse do të jetë një rrugë e gjatë, me vështirësi, por për një gjë jam e bindur, që do të jetë një rrugë, e cila nuk ka kthim më mbrapa. Besoj se është e qartë tashmë për të gjithë ne, se ne jemi padyshim forca kryesore opozitare në Shqipëri. Ndryshe nga sa ndodh normalisht në një vend demokratik, në Shqipëri nuk e përcaktoi pakica opozitën, por e përcaktoi shumica, shumica e shqiptarëve që zgjodhën si shprehje të opozitarizmit të tyre bojkotin masiv, si një rezistencë ndaj bandave të krimit, ndaj banditizmit politik, i cili shpërtheu brutalisht më datën 25 qershor.
Tashmë, kemi një punë të madhe përpara për rezistencën pasive të shumicës së shqiptarëve, ta kthejmë sa më shpejt në një shumicë aktive dhe të guximshme që flet, denoncon, proteston, del hapur në rrugët dhe në sheshet e Shqipërisë. Sheshet nuk janë për mitingjet e administratës shtetërore, ato janë sheshet e protestës popullore, kundër kapjes së pushtetit nga oligarkët dhe krimi i organizuar. Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare. Ne do të jemi ata që do ta çojmë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe të shitblerjes së votave.
Më 25 qershor, 225.073 heronj votuan LSI-në. Janë heronj sepse përballuan shantazhin e administratës publike deri edhe duke kërcënuar fëmijët e tyre maturantë. Përballuan terrorin e policisë dhe të bandave të krimit të organizuar. Përballuan tundimin e parave të drogës dhe të koncesioneve. Heronjtë që votuan LSI-në i dhanë asaj forcën dhe besimin. Na japin ne sot zemër dhe energji duke na thënë që misioni ynë është një dhe i vetëm: Pa ekuivok, pa dilema, pa mëdyshje, pa tundim, opozitë e fortë, opozitë e vërtetë, opozitë deri në pikën e fundit.
Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë edhe një ndërkombëtar, por me gjithë paratë e rruzullit tokësor, heshtjen e LSI-së kurrë nuk ka për ta blerë. Mbi 20 mandate u tjetërsuan për të krijuar një pseudomazhorancë, e cila angazhimin e parë që pati, ishte miratimi për Ligjin e Mbetjeve. Ne ishim kundër këtij ligji famëkeq, i cili do ta kthente Shqipërinë në një botë të stërmadhe të plehrave dhe mbetjeve radioaktive, do ta kthente Shqipërinë në një qendër të mafies ndërkombëtare. Ne ishim kundër kapjes së drejtësisë për ta përdorur si një armë politike kundër opozitës së djeshme dhe kundër çdo veprimi arrogant, të njëpasnjëshëm që do të prodhonte herët ose vonë një destabilitet politik.
Ne ishim kundër zhvillimit të zgjedhjeve pa opozitën, që do të sillte një deformim të tmerrshëm të sistemit demokratik në Shqipëri, i cili edhe sot pas 27 viteve, vazhdon të jetë i brishtë. Me këto kundërshtime parimore dhe në emër të interesit të të gjithëve, ne fituam nderimin e shqiptarëve dhe urrejtjen e kreut të rilindjes arrogant. Por, urrejtja dhe zemërimi, inati dhe mllefi i tij u shtua edhe më shumë ndaj nesh, vetëm sepse ne i thamë shqiptarëve të vërtetën se ç’kishte ndodhur për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Për veprimet kriminale dhe neveritëse të Policisë së Shtetit, e cila u kthye në policinë e rilindjes së krimit.
Ne, jo vetëm denoncuam, por edhe penguam realisht në terren zbatimin e skenarit të tij të zi dhe makabër për grabitjen e votave dhe për të rritur një rezultat të tij fiktiv, një plan që do ta kryente me bandat e tij përmes kërcënimeve dhe shitblerjes masive të votës.
Ata e dinë mjaft mirë se sot LSI-a është e vetmja forcë e mirëfilltë opozitare dhe e fuqishme. Ata nuk do ta kenë kurrë shansin të bëjnë pazare me ne në kurriz të shqiptarëve dhe në kurriz të së vërtetës. Duke filluar që sot do të punojmë rrugicë më rrugicë, pallat më pallat, shtëpi më shtëpi, për ta kthyer në skrap qeverinë e tij, të cilën nuk e sollën votat e popullit shqiptar, por e sollën parat dhe bandat e krimit të organizuar në Shqipëri.
Kjo krizë e zgjedhjeve do të thellojë krizën institucionale dhe atë ekonomike. Një vend ku dhunohet dhe tjetërsohet vota, një vend ku dhunohet dhe tjetërsohet prona, një vend ku nuk ka siguri juridike, mos prisni që të tetë investitor të huaj, mos prisni që të ketë vende të reja pune.
Sot ju më dhatë votën për t’ju drejtuar në opozitë. Kjo është detyrë pa kushte për mua dhe unë ju jap fjalën e nderit, jo të një gruaje, as të burri, por ju jap fjalën e nderit të një nëne që nuk do të ndalem asnjë minutë, asnjë sekondë, jo vetëm për të denoncuar, por për të luftuar deri në fund që ky vend të mos jetë më vatra e krimit, e drogës dhe e oligarkëve, qoftë kjo dhe me çmimin më të madh, atë të jetës time!
Nuk do të ndaloj kurrë që ky vend i bekuar nga Zoti, të kthehet në një vatër të krimit, të terrorit, të varfërisë.
Nuk do të pranojmë kurrë që ky vend i jashtëzakonshëm i kësaj rinie të jashtëzakonshme të shitet dhe të blihet me litarin e bukës së gojës.
Ju jap fjalën e nderit, ju jap fjalën e zemrës sime.
Ju jap fjalën e nderit që do të jem me të rinjtë dhe të rejat, me gratë e LSI, të cilat ishin energjia dhe zemra e fushatës tonë.
Nuk do të ndalet as Lëvizja Rinore për Integrim, rinia jonë e mrekullueshme. Me LGI me grat tona të jashtëzakonshme, me këto dy forca lëvizjes që i dhanë forcë, jetë dhe shpresë LSI-së.
Patjetër që kemi bërë shumë për të promovuar vajzat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, por në këto muaj fushatë ndjeva më shumë më kurrë se potenciali i vajzave dhe grave, të rinjve dhe të rejave për tu angazhuar në politike është i pashtershëm. Dhe duhet vazhduar për t’i promovuar më tej.
LSI është forcë e parë, forcë e paparë, sepse është forca e rinisë, është forca e dinjitetit të gruas dhe familjes, është forca e parë që i ktheu shpresën rinisë shqiptare te politika jonë. 
Plani ynë i së ardhmes ka shumë pika dhe ide dhe një detyrë e kryesisë dhe e Grupit parlamentar të LSI-së është hartimi i një plani transformimi ekonomik dhe social të vendi.
Edhe pse disa nga ju mund të mos jenë dakord, unë nuk mund të rri pa përmendur disa pika të dobëta tona që nëse ne nuk do të gjejmë forcën për t’i korrigjuar apo për t’i kapërcyer ato, puna jonë do të jetë shumë e vështirë në rrugën e opozitës.
Sot përpara jush dua të kërkoj falje, dua të kërkoj falje edhe për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Rilindjen e Edi Ramës.
Ne nuk folëm hapur dhe qartë që kur nisëm të konstatonim që shqiptarët po keq qeveriseshin, e bëmë këtë në emër të fjalës së dhënë për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur së bashku me socialistët. Ky ishte gabimi ynë që nuk reaguam fortë që kur nisëm të konstatonim që Shqipëria po kthejnë në një plantacion droge. Ne nuk e ngritën zërin sa duhet kur Shqipëria po jepej e gjitha me koncesion. Ne duhet të kishim parandaluar këtë me masa ekstreme deri në bllokimin e parlamentit. 
Ne heshtëm kur me parat e oligarkëve Edi Rama i mbyllte gojën çdo medie që denonconte krimin dhe korrupsionin që po përfshinte çdo strukturë të politikës.
Ne duhet të kishim reaguar më shumë dhe më fortë për mashtrimin që Rilindja na bëri me ligjin e Arsimit të Lartë. Ne mbyllëm sytë dhe veshët kur shihnim se qindra shqiptar ndaloheshin nga policia sepse nuk kishin mundësi të pagunin energjinë, por klientët dhe oligarkët e qeverisë Rama ende kanë miliona të papaguara.
Për të gjitha këto ne mbajmë përgjegjësi dhe ne sot jemi këtu për t’i diskutuar dhe analizuar, për të nxjerr mësime dhe për t’i përmirësuar, sepse nuk është turp të pranosh gabimet dhe të nisësh një proces përmirësimi.
Trupi është i atyre që i nisën i vazhduan dhe sot po vijojnë me planet e tyre për të shkatërruar Shqipërinë dhe shqiptarët.
Prandaj të dashur miq, anëtar dhe simpatizant të LSI-së, të gjithë ju që na keni parë nga larg dhe me skepticizëm sot, kemi përballë një betejë të mirëfilltë opozitare, një mision që qindra e mijëra na e dhanë me votën e 25 qershorit, por mijëra të tjerë na e ngarkuan këtë detyrë me heshtjen e tyre.
Ndaj për këtë çdo gjë që do ta nisim nga vetja, nga analizat dhe rezultatet, qark më qark, qytet më qytet, fshat më fshat.
Sepse kjo është domosdoshmëri e madh për të vazhduar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të opozitës.
Është ky moment të ringremë dhe t’i japim frymëmarrjen e re të strukturave tona që, ndonëse kanë punuar me përkushtim, kanë ende vend për përmirësim. Për të përfshirë në to sa më shumë të rinj, njerëz me vlera intelektuale, por edhe morale.
Shqipëria ndodhet sot në rrezikun potencial të një qeverie të marrë peng nga mafia, krimi dhe droga. Ndaj detyra jonë kryesore mbetet zgjerimi i hapësirës opozitare, përfshirja në të e të rinjve, intelektualëve, njerëzve të ndershëm që sot janë të zhgënjyer dhe jo vetëm simpatizantë e LSI, por me çdo demokrat, socialist që beson tek e ardhmja e vendit, e cila nuk mund të lihet në dorën e një grupi njerëzish që po na çojnë drejt greminës.
Duke afruar çdo qytetar edhe pse nuk është simpatizant i LSI-së, është i bindur që klika në pushtet duhet të largohet sa më shpejt me të gjitha format dhe mënyrat demokratike.
LSI duhet të hapet edhe më shumë drejt të rinjve, studentëve, profesorëve të shoqërisë civile. Ne duhet të trokasim në derën e çdo qytetari që ka humbur besimin te politika dhe të bashkohet në kauzën e fortë dhe pa kompromise të opozitës sepse Shqipëria nuk e meriton të qeveriset nga pakica, nga arroganca, nga krimi dhe oligarkia që na ka futur në këtë krizë të thellë ekonomike, sociale, por edhe morale.
Beteja jonë në parlamentin e ardhshëm do të jetë pikërisht ajo kundër kësaj kaste që ka marrë në dorë timonin e makinës së krimit dhe të drogës. Këtë herë tolerancë zero ndaj çdo veprimi të dyshimtë. Kundër çdo praktike korruptive dhe favori shtetëror ndaj të fortëve dhe oligarkëve. 
Kjo betejë duhet nisur një orë e më parë, duhet nisur pikërisht në këtë sallë të mbushur plot me energji dhe dëshirë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Sepse ne do të kemi dhe alternativën tonë, jo vetëm me projekte, por edhe me njerëz, të cilët do të jenë emra konkretë e që do të jenë alternativa e të ardhmes së vendit. Ne do të ngremë njësinë tonë anti-korrupsionit, jo si një projekt-fasadë si ai i Rilindjes, por si një strukturë që do të funksionojë ditë e natë për të denoncuar çdo aferë, apo përpjekje për të abuzuar me fonde publike. Ne kemi kapacitet dhe do të monitorojmë çdo qelizë administrative të Shqipërisë, nga qeverisja vendore e lokale në çdo skaj të vendit. Unë jap fjalën time se LSI nuk do të jetë kurrë një strehë për ata që bëjnë kompromis me qeverinë e drogës dhe që nuk janë pjesë e luftës pa kompromis ndaj mafies dhe kastës së ardhur në pushtet.
Ndaj sot është dita që të vendosim nëse do të jemi këtu me ne në çdo ditë, në çdo orë, në çdo minutë për të bërë një opozitë të fortë pa kompromis me pushtetin e krimit dhe ky është një vendim historik, sepse përballë nesh nuk është një kundërshtar politik, por një kundërshtar i armatosur me krimin, me drogën dhe me arrogancën e korrupsionin, të gatshëm për të blerë çdo gjë me qëllimin e vetëm pushtetin dhe mbajtjen e pushtetit të tyre. Por unë që jam sot këtu dhe ju shoh në sy të gjithëve kuptoj shumë mirë se askush në këtë sallë nuk do të bëjë kompromis me krimin.
Mijëra të tjerë jashtë kësaj salle mendojnë njësoj si ne dhe ne na mbështesin në betejën kundër mafies, e cila ka zaptuar pushtetin e shqiptarëve. Sepse ne jemi një popull i fortë, i vendosur i zgjuar e besnik, jemi një popull që e ndëshkojmë arrogancën dhe përçmimin e një timonieri të dehur nga suksesi me votën e vjedhur.
Por Rilindjes së krimit dikush duhet t’i kujtojë në orët e pakta të kthjellimit mendor se shqiptarët me indiferencë kanë ndëshkuar arrogancën dhe korrupsionin e pushtetit. Gjë të cilën ne do ta bëjmë këtë herë, duke iu bashkuar misionit tonë historik, të çrrënjosjes së krimit dhe oligarkisë nga pushteti, mision që e nisim sot zyrtarisht në rrugën tonë me mbështetjen dhe energjinë tuaj, si forcë e pashuar e demokracisë në rrezik, forcë që do të shndërrohet në uraganin e madh të opozitës pa kompromis ndaj asaj që do të luftojë çdo ditë pa frikë dhe pa mëdyshje, sepse ne jemi e ardhmja, alternativa, energjia dhe mundësia për t’u dhënë shansin shqiptarëve të jetojnë të lirë dhe të pa dhunuar nga klika në pushtet. Forca ime është forca juaj, energjia juaj është motori i suksesit në misionin tonë të madh opozitar.
Në mbyllje, dua të falënderoj të 140 kandidatët për deputetë, të cilët u përballën me një skenar mafioz të dhunshëm e të turpshëm që në vitin 2017 akoma dhe sot e kësaj dite e diskutojmë në një Shqipëri që aspiron të jetë pjesë evropiane dhe demokratike. Dua të falënderoj të gjithë komisionerët tanë, kudo ku kanë qenë në çdo cep të Shqipërisë, të cilët i bënë ballë jo vetëm presionit dhe dhunës së bandave të krimit, por edhe tundimit të parave të drogës dhe të krimit të organizuar.
Dua të falënderoj numëruesit, të cilët edhe pse çdo moment shantazhoheshin nga deputetët e Rilindjes qëndruan të fortë dhe nuk u përkulën. Dua t’ju falënderoj sinqerisht të gjithëve ju, që jeni sot në këtë sallë, që ndoshta do të kisha dashur t’ju përqafoja të gjithëve një e nga një për mbështetjen, përkrahjen dhe për besimin që na dhatë. 
Kam edhe një falënderim shumë të shkurtër: Dua të falënderoj Ilir Metën që na dha mundësinë dhe krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim. Krijoi një forcë politike, që në themelin e saj ka bazat e socialdemokracisë, në themelin e saj ka solidaritetin, në themelin e saj ka përkushtimin ndaj njerëzve, në themelin e saj ka shtresën e shqiptarëve të vërtetë që e duan Shqipërinë dhe janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për Shqipërinë. 
Dua ta mbyll me një varg: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar, zemrën ti ma gatove, plot me dashuri dhe me zjarr”. Kjo është motoja që rreh në zemrën time që kur kam qenë themeluese e rinisë eurosocialiste, dashuria për Shqipërinë, dashuria për Atdheun, dashuria për të ardhmen e fëmijëve të Shqipërisë.
Ju falënderoj! Të gjithë së bashku në këtë mision të vështirë por një mision i sigurt sepse një vend nuk mund të jetë demokratik pa opozitë. Dhe kjo opozitë do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim, garancia e demokracisë së shqiptarëve, garancia e të gjithë atyre heronjve që ranë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, garancia e të gjithë atyre dëshmorëve të demokracisë dhe të gjithë shqiptarëve që aspiruan për një Shqipëri demokratike. Ju faleminderit! Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Sigal