Kryemadhi paralajmëron Ramën: Historia nuk mbaron këtu

444
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar për dhunën e djeshme në protestën e zhvilluar në Kukës për tarifën e rrugës së Kombit. “Represioni dhe dhuna ndaj protestuesve në Kukës është thjesht rishfaqje e arrogancës dhe frikës që ka pushtuar Edi Ramën këto 24 orët e fundit. Qytetarët e ndaluar barbarisht me format dhe metodat e Sigurimit të Shtetit tregojnë qartë, se sado të përpiqen ish bashkëpunëtorët dhe pinjollët e komunizmit i kanë të shënjuar thellë në ndërgjegje metodat staliniste. Protestuesit e ndaluar dhe të shoqëruar në komisariatet e Tiranës kanë mbështetjen tonë dhe të të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që e kuptojnë dhe dënojnë këtë taksë absurde, haraç të Edi Ramës për oligarkët e tij. Siguroj të ndaluarit nga policia dhe familjarët e tyre se kjo histori nuk mbaron këtu! Ne do të kërkojmë me forcën tonë dhe të ligjit, jo vetëm lirimin e tyre, por edhe rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur nga falangat e qeverisë. Edi Rama që kërcënon sot banorët e Kukësit dhe protestuesit e ndaluar, bën mirë të angazhojë policinë, forcat speciale, prokurorinë, madje dhe vetë Saimir Tahirin po të doje, që të gjejë ish drejtuesit e policisë të arratisur dhe të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Bën mirë të hedhë sytë e të kërkojë hetime të ndershme për Elvis Roshin apo ish shokët e tij të grupit parlamentar, që akuzohen për krime të rënda. Kjo është detyra për një kryeministër të përgjegjshëm dhe jo peng të krimit dhe pazareve me banditët. Ne si LSI, jemi të bindur në betejën tonë për ndryshimin e tarifës dhe mbështetjes ekonomike për banorët e kësaj zone. Askush nuk mund ti detyrojë qytetarët e Kukësit dhe zonave përreth, që në skajshmërinë e varfërisë ku i ka çuar kjo qeveri të paguajnë taksë për orekset e klientëve të Edi Ramës. Asnjë vegël e Edi Ramës, apo qoftë dhe ai vetë, nuk do të munden të dhunojnë të drejtën e banorëve të Kukësit për të mos u varfëruar çdo ditë e më shumë për hir të qejfeve dhe perversiteteve të një kryeministri të papërgjegjshëm. LSI dhe opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë në krah të banorëve protestues dhe do të kundërshtojë çdo akt dhune apo presioni që përpiqet të frikësojë Kukësin dhe kuksianët. Ne do të vijojmë përpjekjen dhe betejën tonë për të rikthyer besimin te shqiptarët e gënjyer dhe zhgënjyer nga qeveria e narkotrafikut.”- shkruan kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Sigal