Kryemadhi: Nuk trembem nga procedimet e Ramës, Xhafajt e Markut

113
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, reagoi dje për nisjen e procedimit penal ndaj saj e deputetëve të opozitës për shkak të protestave dhe bllokimit të rrugëve. Sipas saj, ky procedim dëshmon që çdo ditë e më shumë sistemi i drejtësisë është kapur nga krimi i organizuar, do të thotë që çdo ditë e më shumë kriminelët që vrasin njerëz, plaçkitin njerëz e kanë kthyer Shqipërinë në qendër të drogës, janë të lirë dhe njoftohen një javë para se t’u dalë mandati i arrestit për t’u larguar nga Shqipëria. “Sistemi i drejtësisë sot është në duart e një grupi njerëzish, të cilët do të kenë probleme me drejtësinë e tyre midis njeri-tjetrit dhe më pas do të kenë probleme dhe me drejtësinë e shqiptarëve. Sado që të jetë investuar financiarisht, por edhe politikisht për ta kapur këtë sistem drejtësie, sistemin e drejtësisë së shqiptarëve nuk e kap dot askush, sepse është populli ai që vendos drejtësinë më të madhe. Mua nuk më gjykon dot as Edi Rama, as ambasadorët, as Brukseli, as Amerika. Mua më gjykojnë vetëm shqiptarët me votë. Dhe gjykimi i tyre për mua është jo vetëm qesharak. Për mua ka vlerë vetëm gjykimi i shqiptarëve”, tha Kryemadhi. Ajo shtoi se kryeministri Rama nuk e kërcënon dot. “Ajo për të cilën unë jam sot pjesë e politikës, ashtu siç kam hyrë 17 vjeç në politikë, për ëndrrat e mia për ta pasur Shqipërinë një vend evropian, ashtu do të dal dhe nga politika vetëm kur Shqipëria të jetë vërtet evropiane. Nuk kërcënon dot as Edi Rama, as Arta Marku, as Fatmir Xhafaj, as policia e drogës, e shtetit dhe e diktaturës. Unë këtu jam, në rrugët e Tiranës jam. Si të duan, ndaç me polici, ndaç pa polici, Monika Kryemadhin e kanë në këmbë me çizme dhe pa çizme”, u shpreh drejtuesja e LSI-së.