Kryemadhi: Nuk janë armët dhe numrat që sjellin fitoren, por vullneti

90
LSI-ja ka zhvilluar sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, deklaroi se fitorja e ushtrisë modeste nacionalçlirimtare shqiptare përballë njërës prej ushtrive më moderne të kohës tregoi se nuk janë armët dhe nuk është numri që bën fitoren, por është vullneti, dëshira, përkushtimi, zemra.
“29 Nëntori, – tha Kryemadhi, – është ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, është dita e çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi. Dua të them se 73 vjet më parë, me qindra mijëra djem dhe vajza shqiptarë , gra dhe burra, të angazhuar në ushtrinë nacionalçlirimtare, luftuan në kohë të vështira, në terrene të vështira dhe u përballën me një nga ushtritë më të mëdha dhe më moderne të asaj kohe, pavarësisht s ushtria jonë nacionalçlirimtare ishte një ushtri modeste, modeste në armaturë, modeste dhe në numër.
Por kjo gjë tregoi dhe njëherë se nuk janë armët dhe nuk është numri që bën fitoren, por është vullneti, dëshira, përkushtimi dhe zemra për të fituar beteja që janë shumë të rëndësishme siç është çlirimi dhe liria e një populli. E them këtë me bindje se historia e vjetër e botës, por edhe historia jonë e re tregon edhe njëhërë se mjafton të kesh përkushtimin në zemër për të arritur atë që do.”