Kryemadhi: Një qeveri e cila rrit çdo ditë taksat, e cila rrit çdo ditë mundimin dhe vuajtjen për qytetarët e saj, nuk e meriton më që të jetë qeveria e popullit

541
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në Bashkinë e Skraparit. Duke u ndaluar në situatën aktuale politike, Kryemadhi tha se Shqipëria ndodhet në kushtet e emergjencës dhe të një situate aspak normale. Kjo pasi sipas kryetares së LSI-së Shqipëria ka rënë në duart e një grupi kriminal dhe oligarkësh të cilët çdo ditë e më shumë po vjedhin buxhetin e shtetit dhe po çojnë shqiptarët drejt varfërisë dhe largimit nga vendi. Kryetarja e LSI-së tha se një qeverisje e tillë nuk e meriton të jetë më qeveria e popullit. Për këtë arsye ajo u bëri thirrje skrapallinjve dhe të gjithë shqiptarëve që të mos ndalen dhe të bëhen gati për të rrëzuar qeverinë e Rilindjes dhe kryeministrin Edi Rama, pasi sipas saj të gjitha kushtet janë pjekur.  “Kemi përballë një sfidë të madhe. Sfida është shumë e thjeshtë. Të rrëzojmë dhe të largojmë Edi Ramën, simbolin e zaptuesit të shtetit dfhe të popullit të tij”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së paralajmëroi se në qershor së bashku me zgjedhjet lokale do të zhvillohen dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, pasi sipas saj shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një qeveri që ka grabitur mandatet politike në Parlament dhe një qeveri që i ka blerë këto mandate me paratë e krimit dhe të drogës. “Në fakt kemi një datë të zgjedhjeve lokale të dekretuara. Nuk do të jenë vetëm zgjedhje lokale. Do të jenë zgjedhje lokale dhe zgjedhje të përgjithshme. Sepse shqiptarët nuk mund të pranojnë që të qeverisen nga një qeveri qe ka grabitur mandatet politike të saj në Parlament dhe nga një qeveri e cila mandatet e saj i ka të blera me paratë e drogës dhe të krimit të organizuar”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë

Faleminderit, mirënjohje, respekt. Në fakt sa herë vij në Skrapar, si dimër si verë, kam diell është ngrohtë. Dhe kjo vjen si rezultat i dashurisë që gjen gjithmonë në Skrapar. Jo vetëm unë si nuse Skrapari, por ju lutem mos më konsideroni më nuse Skrapari por si vajzën tuaj. Sepse Skrapari ma ka bërë jetën shumë të bukur, më ka falur dashurinë e jetës sime, më ka falur trashëgiminë e familjes sime. Dhe mbi të gjitha siç ndodh në Shqipëri, institucioni i familjes është shumë i rëndësishëm, ku burri ka rolin e tij në familje, ashtu edhe gruaja në edukimin e fëmijëve. Por mbi të gjitha, burri është ai që ndërton, formaton, strukturon, drejton familjen, fal dashuri në familje, por mbi të gjitha krijon dhe institucion e familjes. Përfitoj nga rasti për të falënderuar dhe bashkëshortin tim si skraparlli që është, që në fakt armiqtë politik do ma quajnë politike, por në fund të fundit djalë Skrapari është dhe përveç se Skrapari i ka dhënë emër atij ai e ka për detyrë ti shërbejë Skraparit dhe skraparllinjve. Sot në fakt nuk jemi thjesht në një situatë normale, nuk jemi në kushte normale, jemi në kushtet emergjencës, përsa i përket situatës në të cilën ndodhet Shqipëria. Siç ndodhet Shqipëria ndodhet dhe Skrapari, ndoshta për shkak të qëndresës dhe për shkak të pozicionimit të tyre politikisht. Sot Shqipëria ka rënë në duart e një grupi kriminal dhe oligarkësh, të cilët çdo ditë  e më shumë mendojnë sesi të vjedhin para nga buxheti i shtetit, sesi të varfërojë shqiptarët dhe sesi të pasurohen vetë ata duke çuar paratë në xhepin e Kryeministrit.

Dëgjoja Kryetarin e Bashkisë që përmendte skandale njëri pas tjetrit. Por dua të theksoj diçka. Një qeveri e cila rrit çdo ditë taksat, e cila rrit çdo ditë mundimin dhe vuajtjen për qytetarët e saj, nuk e meriton më që të jetë qeveria e popullit. Ashtu sikurse sot e pyeta Kryetarin e Bashkisë: A keni rritur ndonjë taksë lokale? Absolutisht jo tha, asnjë taksë lokale nuk kemi rritur. Por në tryezën e tij qëndron një shkresë e një prefekti, i cili nuk ka asnjë lloj detyrimi politik dhe moral ndaj popullit të Skraparit, ku kërkon që të shkrihet Bashkia e Skraparit, të mos ketë më asnjë punonjës në Bashkinë e Skraparit, sepse kështu i dashka qejfi Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij.

I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë që mos të ndalet, por të denoncojë në Prokurori këtë maskaradë administrative që kërkon të përdorë firmën e Prefektit të Beratit kundër popullit të Skraparit. Dhe i kujtoj këtij Prefekti dhe këtij drejtuesi që e drejton shpirtërisht që nga Blendi Klosi, ministri bixhozxhi, e deri tek Edi Rama, kryeministri kriminel dhe drogaxhi.

Do t’i kujtoj vetëm një histori të thjeshtë vetëm për të kuptuar se kush janë skraparllinjtë. Javës tjetër ju festoni 75 vjetorin e betejës së “Tendës së Qypit”. Ashtu si partizanët zbrapsën pushtuesit gjermanë, ashtu do të zbrapset çdo njeri që kërkon të përdorë dhunë, frikë dhe kamxhik mbi skraparllinjtë. Skraparllinjtë nuk janë as frikacakë, skraparllinjtë nuk janë as njerëz të cilët ai mund të mendojë se mund të kalojë kalimthi, sepse Skrapari është një xhep në hartën e Shqipërisë. Por ai duhet të kuptojë që skraparllinjtë janë ata që për hir të së vërtetës e ndërtuan dhe e  themeluan LSI-në dhe sollën një figurë të re politike në jetën politike shqiptare me angazhimin e tyre, me përfshirjen e tyre, për të treguar edhe njëherë se skraparllinjtë as nuk i merr peng njeri, as nuk i kërcënon dot njeri dhe as nuk i drejton dot njeri. Skraparllinjtë janë të lirë,  por mbi të gjitha në zemrën e tyre kanë një dashuri të madhe që janë shqiptarë. Ashtu siç kanë gjuhën e tyre, të pastë, të shkruar bukur, ashtu kanë edhe zemrën e tyre të pastër.

Prandaj mos u ndalni. As mos u ndalni, as mos u shqetësoni dhe as mos u frikësoni. Nuk e marrin dot mundimin të kalojnë urën për të ardhur këtu. Pse? Sepse kanë frikë nga ju. Sepse po të mos kishin frikë nga ju do të ishin sot këtu me ju. Do takoheshin dhe do bisedonin me ju. Do bisedonin me ju sesi do ndihmonit familjet e Skraparit për t’i nxjerrë nga varfëria. Dhe jo sesi do të shiste deputeti i Partisë Socialiste vendet e punë për skraparllinjtë. Do të ishin këtu me ju për t’iu ndihmuar sesi të shkollojnë fëmijët e skraparllinjve. Por jo vetëm që s’janë këtu, por largohen, shajnë, intrigojnë dhe kërcënojnë vëllezërit e tyre. Do të ishin këtu me ju nëse do ta donin dhe do të kishin pak respekt për skraparllinjtë. Për t’i ndihmuar ata dhe për të zhvilluar këtë mrekulli kaq të madhe. Do të ishin këtu me ju për të pasur një shëndetësi të barabartë për ju. Do të ishin këtu me ju për të pasur një arsim të barabartë me ju. Do të ishin këtu me ju për të pasur mësuar të cilët nuk kërcënohen çdo ditë për t’i hequr nga puna. Por do të ishin këtu me ju për të ndihmuar bujqësinë , për të ndihmuar turizmin, për ta zhvilluar këtë qytet të mrekullueshëm të cilin nuk ka ngelur njeri në botë pa ardhur dhe pa e vizituar, për të parë Kanionet e mrekullueshme të Osumit.

Pra këta njerëz të cilët mundohen për të shfrytëzuar sadopak inatin e tyre personal ndaj jush. E kanë gabim. Inati ndaj LSI-së nuk është në Skrapar. Inati ndaj LSI-së nuk është me popullin e Skraparit. Në qoftë se kanë inat me LSI-në të ulin taksat, të rrisin rrogat, të hapin vende të reja pune, të ulin çmimin e energjisë elektrike, të ulin çmimin e ujit të pijshëm, të ulin çmimin dhe TVSH-në e ushqimeve të shportës. Të bëjnë atë që është e domosdoshme dhe që kanë nevojë sot shqiptarët. Nëse kanë inat me LSI-në, kjo mazhorancë e cila sot është në pushtet duke blerë mandatet, duke grabitur mandatin qeverisës, të kthejë sytë nga populli dhe të bëjë diçka për ta. Por nuk mund të bësh gjë për popullin kur vidhen mbi 118 miliardë lekë me skemën e TVSH-së. Dhe në bankën e të akuzuarve shkojnë viktimat, por nuk shkon truri i atyre që e ka organizuar këtë skemë vjedhjeje dhe grabitjeje ndaj shqiptarëve. Kjo skemë vjedhjeje dhe grabitjeje që i bëhet taksave të shqiptarëve është bërë nga oligarkët që hanë dhe pinë me Edi Ramën nga mëngjesi deri në darkë.

Kjo skemë grabitjeje e TVSH-së, që besoj ju e keni dëgjuar disa ditë më parë që rreth 20 e ca veta janë të arrestuar. Aq para sa i janë grabitur buxhetit të shtetit me TVSH-në do mjaftonin për të shlyer të gjithë detyrimin që kanë sot studentët, që vazhdojnë dhe janë të ngujuar në universitetet e tyre. Kjo skemë grabitjeje TVSH-je, e cila është vjedhur në mënyrë permanente nga këta oligarkë të cilët dihen dhe janë shumë të qartë jo vetëm për administratën tatimore, jo vetëm për zyrtarë të Prokurorisë, por edhe për ne të tjerët të cilët çdo ditë e më shumë duke ardhur e duke u afruar kohë do t’i nxjerrim emrat dhe grabitjen që u bëjnë taksave të shqiptarëve. Sepse ato janë paratë jo të të pasurve të Edi Ramës. Ato janë paratë e fukarenjve shqiptarë, të cilët robtohen çdo ditë dhe më shumë për të qenë korrekt me shtetin e tyre dhe për të qenë prindër të dashur me familjarët  e tyre dhe me fëmijët e tyre. Në fakt kur vjen në Skrapar gjithmonë ke emocion, për shkak të lidhjes por mbi të gjitha për shkak të historisë së partisë sonë. LSI këtë vit bën 15 vjet dhe në fakt është një parti e re. Dhe pse është 15 vjeçare është adoleshente. Ka entuziazëm, ka rini, ka forcë. Dhe një parti politike që nuk ka entuziazëm, nuk ka forcë, nuk ka rininë brenda saj, e ka të pamundur për të ecur përpara dhe për të ndryshuar realitetin. Keni dëgjuar fjalimin në Konventën Kombëtare, kemi miratuar rezolutën, kemi bërë një takim më pas me të gjitha partitë politike që janë pjesë e tryezës së opozitës së bashkuar dhe kështu me radhë. Në fakt kemi një datë të zgjedhjeve lokale të dekretuara. Nuk do të jenë vetëm zgjedhje lokale. Do të jenë zgjedhje lokale dhe zgjedhje të përgjithshme. Sepse shqiptarët nuk mund të pranojnë që të qeverisen nga një qeveri qe ka grabitur mandatet politike të saj në Parlament dhe nga një qeveri e cila mandatet e saj i ka të blera me paratë e drogës dhe të krimit të organizuar. Para disa ditësh dëgjuam dhe lexuam deklaratën e Komisionerit Hahn. Mbas kaq kohësh nga Brukseli dëgjojmë një rrufe në qiell të kaltër, dëgjojmë sesi Komisioneri Hahn akuzon haptas Kryeministrin e Shqipërisë, ideatorin e Rilindjes së krimit në Shqipëri, për mbajtjen peng të të gjitha reformave. Deri më sot dëgjonim nga media e paguar e Edi Ramës se ishte opozita fajtore e mbajtjes peng të reformave. Po pse opozita garanton shitblerjen e votës? Apo policia e shtetit e cila në zgjedhjet e 2019, makinat e saj u kthyen si makinat e bankave që shpërndajnë para nëpër distributor?

Po pse opozita garanton procesin e zgjedhjeve, apo është qeveria ajo që e garanton luftën kundër krimit dhe korrupsionit? Pse opozita e ndalon luftën kundër krimit dhe korrupsionit? A e zgjidhi Edi Rama Prokuroren me 69 vota në Parlament? E ka Prokurori, Gjykata çdo gjë.  A ka kunatin e një prej deputeteve të PS që drejton KLP? Le ta drejtojnë, lë ta bëjnë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Por i bie që të arrestojnë të parin Edi Ramën nëse këta janë të pakapur nga politika. Kemi përballë një sfidë të madhe. Sfida është shumë e thjeshtë. Të rrëzojmë dhe të largojmë Edi Ramën. Dje kam qenë në Selenicë, në Fier në Kavajë. Kudo që shkel, nuk dëgjoj qoftë dhe një njeri të vetëm, nuk po merrem me anëtarët e LSI apo me demokratë, por dhe socialistë të ndershëm të cilët nuk janë të zemëruar me qeverinë e tyre, të cilët nuk janë të zemëruar me Rilindjen që u ka grabitur dhe u ka zaptuar partinë e tyre. Kur nuk ka socialistë të ndershëm që e suporton këtë njeri, atëherë ta dini që kushtet janë pjekur. Kushtet janë pjekur dhe ne do të dalim në rrugë. Do të dalim në rrugë për ta rrëzuar njëherë e përgjithmonë, jo Edi Ramën si njeri, por Edi Ramën si simbol të çdo njeriu, që në politikë kërkon të zaptojë shtetin dhe popullin e tij për interesat e tij. Shqiptarët me rrëzimin dhe tërheqjen zvarrë të këtij simboli të politikës së krimit, duhet ti japin mësim klasës politike që nuk ka më njeri në histori që të vijë dhe të bëjë të njëjtën gjë që bëri ai, që largoi të rinjtë dhe të rejat, që i largoi nga shtëpitë e tyre për të mos u kthyer më. Duhet ti japim mësim politikës shqiptare që të mos guxojë më njeri të gënjejë shqiptarët, por ai që premton ta mbajë premtimin. Ti japim një mësim politikës shqiptare për ti thënë kujtdo që politika është në shërbim të qytetarëve. Në të kundërt, qytetarët të rrëzojnë dhe të tërheqin zvarrë ashtu siç e meriton çdo mashtrues dhe tradhtar i idealeve të vendit të tij. Prandaj unë ju bëj thirrje, mos ndaloni. Mos ndaloni duke kontaktuar vëllezërit, motrat, komshinjtë tuaj, familjarët dhe miqtë. Nuk është problemi për të bërë rotacion politik. Nuk ka nevojë që të bëjmë rotacion politik, sepse janë qytetarët më të mençur se ne politikanët për të vendosur se kush do ta drejtojë Shqipërinë. Por duhet të organizohemi për të mos lejuar më, jo vetëm blerjen e varfërisë së shqiptarëve, sepse blerja e varfërisë së shqiptarëve do të na çojë në blerjen e shpirtit dhe duke na blerë shpirtin do të na blenë të ardhmen e fëmijëve tanë, do ta na blenë çdo gjë që ka vlerë dhe që ka rëndësi për familjet e shqiptarëve. Unë mendoj se më shumë se kurrë sot, të gjithë së bashku, duhet ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë tonë. Ta bëjmë Shqipërinë si shtëpinë tonë. Ashtu siç kujdesemi për familjet tona, ashtu të kujdesemi edhe për Shqipërinë. Dhe që të kujdesesh për Shqipërinë do të thotë të reagosh, do të thotë të reagosh, do të thotë të lëvizësh, do të thotë që të veprosh. Të veprosh duke rrëzuar këtë klikë kriminale, këtë grup kriminal që ka zaptuar jetën e shqiptarëve dhe po shkatërron të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Unë ju u uroj gjithë të mirat. Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja. Qofshim të gjithë bashkë, kështu siç jemi sot dhe jam e bindur që sot jemi kaq këtu, sepse fëmijët tuaj janë në emigracion, por duhet të luftojmë që nga unë e para, Nasipi, Silva e të gjithë me rradhë të kthehen fëmijët e skrapallinjëve në Skrapar, sepse Skrapari është aq i bukur, Skrapari është aq i mirë, saqë meriton të lulëzojë nga të rinjtë dhe të rejat.