Kryemadhi në SHBA, bashkëbisedim në universitetin ‘George Washington’ për udhëkryqet shqiptare

637
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, gjatë qëndrimit në Washington, e ftuar nga “The George Washington University”, mori pjesë në një bashkëbisedim me bordin drejtues të këtij universiteti mbi udhëkryqin në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare, papunësinë kritike të të rinjve në Shqipëri, rëndësinë e cilësisë së arsimit të lartë për përfshirjen dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Kryemadhi theksoi që në fillim të ligjëratës së saj se këto probleme të thella dhe me zgjidhje pa vizion në Shqipëri kanë ardhur për shkak të përjashtimit të botës universitare dhe akademike nga vendimarrja politike dhe ka ardhur koha që kësaj dukurie shumë negative dhe me pasoja të rënda shumëvjeçare t’i jepet fund.
Ajo nënvizoi se “Empirizmi dhe zgjidhjet e ditës vetëm riciklojnë e thellojnë krizën e zhvillimit ekonomik”.
Në ligjëratën e saj, Kryemadhi nënvizoi nevojën e integrimit më të mirë të të rinjve në tregun e punës nëpërmjet implementimit të strategjive që lidhen me inovacionin dhe me informatizimin, ku riniashqiptare ka demostruar prirje e aftësi të veçanta dhe ku tregu i punës i të ardhmes është i orientuar fort në këto drejtime.
Kryemadhi theksoi se: “Vetëm edukimi dhe integrimi i të rinjve mund ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni”. Gjithashtu, ajo nënvizoi nevojën e një politike të re në fushën fiskale për ta bërë Shqipërinë një vend më atraktiv për investimet e huaja direkte që janë jetike për rritjen e ekonomisë shqiptare dhe që sot paraqiten më shumë munguese se asnjëherë mëparë.
Sigal