Kryemadhi: Ne, opozita shqiptare, që do ngremë zërin për çdo shqetësim

146
Një ditë pasi u propozua për të drejtuar partinë e themeluar nga bashkëshorti i saj, Monika Kryemadhi, i drejtohet qytetarëve duke iu kujtuar, se problemet e tyre do të ngrihen nga opozita e vërtetë
Ashtu sikundër edhe pati deklaruar para disa ditësh, nënkryetarja e Partisë lëvizja Socialiste për Integrim, deputetja Monika Kryemadhi, e cila që nga dita e enjte garon për postin e kryetares së në këtë parti, ka një mesazh për gjithë mbështetësit e saj. Ajo thotë se LSI është opozita shqiptare, e fortë dhe plot energji për të kuptuar dhe ngritur zërin në maksimum për çdo shqetësim të qytetarëve. Këtë deklaratë të cilën e ka bërë në rrjetin social facebook, Kryemadhi duket se ka nisur opozitën e menjëhershme. Teksa u uron gjithë qytetarëve një ditë të mbarë, ajo përmend edhe disa nga problematikat me të cilat përballen ata çdo ditë. Thotë se qytetarët në këto ditë janë duke u përballur me të nxehtin që ka pushtuar vendin, me mungesën e ujitim, të energjisë elektrike e për këtë arsye, sipas saj, është LSI. “Mirëmëngjesi miq! Moti ndryshe nga politika që po ftohet duket se do i nxehë dy ditët në vazhdim. Ndaj kujdes në orët e nxehta të vapës, edhe pse uji dhe dritat mungojnë në shumë zona. Politikanët i harrojmë ndonjëherë problemet tuaja të përditshme, por ka një zë të fortë që tund dhe shkund apatinë e atyre që kanë marrë përsipër të kujdesen dhe zgjidhin hallet tuaja. Ajo është opozita shqiptare, opozita jonë, e fortë dhe plot me energji për të kuptuar dhe ngritur zërin në maksimum për çdo shqetësim tuajin. Ne jemi me ju, LSI do të jetë pranë problemeve tuaja në çdo ditë apo natë, pavarësisht kushteve të motit apo intrigave të pushtetit”, shkruan Kryemadhi në statusin e saj. Kryemadhi u propozua nga Petrit Vasili në mbledhjen e Kryesisë për të qenë në postin e kryetares. Një ditë më pas ajo reagoi në mënyrë të menjëhershme, duke kujtuar disa nga problemet kryesore të qytetarëve që më së shumti dalin në pah në këto ditë të nxehta vera. Kryemadhi fitoi mandatin e deputetes në Qarkun e Elbasanit. LSI mori dy mandate në këtë qark, ndërsa në shkallë vendi 19 mandate. Menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave, kryetari ende në detyrë, Petrit Vasili deklaroi se forca që ai përfaqëson do të bëjë opozitën e munguar në këto vite.