Sigal

Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimin me strukturat në Përrenjas

Dua t’ju falënderoj të gjithëve ju që jeni këtu sot. Dua t’ju falënderoj edhe për punën që keni bërë gjithë këtë kohë, duke pasur parasysh që në zgjedhjet e 2017-s ishte një nga rezultatet më të mira që pati LSI jo vetëm në Qarkun e Elbasanit, por dhe në gjithë Shqipërinë. Kjo nuk është hera e parë që ne shihemi pas zgjedhjeve. Ne jemi takuar edhe më parë. Pavarësisht nga kjo vjen rezultati i organizimit të sotëm duke pasur parasysh aksionin politik të opozitës. Tashmë ju jeni të njohur me gjithë angazhimin e opozitës, ku LSI së bashku me partitë e tjera opozitare kanë krijuar frontin opozitar për të shpëtuar vendin nga kjo e keqe e madhe që ka kapur vendin. Secili nga ne pyet dhe ju vetë përballeni çdo ditë me qytetarët me votuesit e LSI-së, por edhe me ata që nuk e kanë votuar LSI-në, të cilët thonë: Ore çfarë do të bëhet me këtë vend? Çfarë do të bëhet me ne? Çfarë po bëhet me ekonominë? Thonë ne nuk kemi punë, nuk kemi mundësi. Fëmijët po largohen. Djemtë e vajzat po largohen. Çdo gjë po rrënohet çdo ditë e më shumë. E në fakt ne duhet t’i japim përgjigje këtyre pyetjeve. Misioni ynë si LSI është që jo vetëm të sqarojmë qytetarët por që pak nga pak edhe të fillojmë të artikulojmë mundësinë dhe alternativën që do tu japim këtyre njerëzve për të ndryshuar këtë realitet. E kemi filluar takimin me strukturat e partisë, pasi strukturat e LSI-së janë çelësi kryesor i funksionimit të gjithë grupit opozitar në gjithë Shqipërinë, por janë edhe një çelës i angazhimit të gjithë qytetarëve, të gjithë atyre votuesve apo edhe banorëve të Përrenjasit e kudo që janë, për të pasur një reagim sa më qytetar dhe sa më të shpejtë. Sot Shqipëria është në një moment shumë të vështirë, në një moment tragjik, për vetë faktin që ekonomia shqiptare tashmë është jo vetëm e rrënuar por është monopolizuar në duart e dy-tre vetave. Dëgjojmë me krenari se si ministri i Financave thotë që do të marrim 500 milion euro kredi me interes 3.7 për qind, ku jo më larg Maqedonia e ka marrë me interes 2.7 për qind. Pra, është një tallje që ai bën me atë pak inteligjencë ekonomike që ka ngelur në Shqipëri, sepse pjesa më e madhe po largohen. Dhe nga ana tjetër këto para që po marrim borxh, të cilat nuk do ti paguajë as ministri i Financave dhe as qeveria e Edi Ramës, por do ti paguajë personi më i varfër në fshatin më të varfër të Shqipërisë. Përdoren për t’iu dhenë koncesionarëve dhe oligarkëve. Ndërkohë kur vjen puna për t’iu thënë qytetarëve për të pasur pensione më të larta, rroga më të larta, shërbim shëndetësor e arsimor, pra arsim më cilësor për fëmijët e tyre, dëgjojmë që nga goja e kryeministrit të papërgjegjshëm del duke thënë që nuk kam para për këtë gjë. Para për të dhënë koncesione dhe për t’u dhënë oligarkëve ky i paska, i merr dhe me përqindje të larta borxh, por për t’u shërbyer qytetarëve dhe aq më shumë votuesve të tij, ky person nuk paska para. Më pas problemi vijon edhe tek kapja e shtetit dhe institucioneve të saj nga krimi i organizuar. Sot qytetarët shqiptarë për të zgjidhur një hall duhet tu drejtohen bandave dhe kryetarëve të tyre për të kapur dhe ndërmjetësuar në zyrat e shtetit shqiptar. Ashtu sikurse edhe rasti i fundit i viktimës së Niklës, të asaj vajze e cila ishte dhunuar, e cila kishte tentuar tre herë të denonconte në polici, kishte denoncuar edhe në Prokurori dhe në fund, pasi ky u zbulua dhe denoncua nga një ish-komisar qeveria dhe kryeministri nga goja e tij e kërcënuan duke i thënë që do të ndjekim këmba – këmbës mor horr. Që jo vetëm përbën një vepër penale por kemi të bëjmë me një kryeministër i cili i kanoset një punonjësi të policisë pasi ky i fundit denoncon një krim. Nëse kjo vajza do kishte gënjyer, nëse shefi i komisariatit të policisë do kishte gënjyer, pse djali i deputetit sot është në burg? Atëherë kjo do të thotë që kjo paska qenë e vërtetë. Pse ndodh i gjithë ky shantazh ndaj atyre që denoncojmë krimin? Pse ndodh gjithë ky shantazh nga goja e kryeministrit ndaj atyre personave që denoncojnë korrupsionin? Ndodh sepse kryeministri është i qetë kur krimi korrupsioni dhe fatkeqësitë e shqiptarëve mbulohen dhe shqetësohet dhe revoltohet kur këto gjëra denoncohen. Ajo që dua të them është që ne nuk kemi më kohë të presim që ky kryeministër të ndryshojë, sepse nuk mund të ndryshojë, sepse është i zhytur aq thellë në problemet e krimit të organizuar saqë e ka shumë të vështirë për të dalë. Ose është një model, siç thanë dhe disa nga kolegët tanë, që nuk është gjë tjetër veçse koka e meduzës së krimit të organizuar, e cila drejtohet dhe ka sot pamjen e Edi Ramës. Dëgjuam nga goja e djalit të deputetit: do të shihemi me Lulzim Bashën në zgjedhje. Dëgjojmë një dhunues që kërcënon një punonjës policie, dëgjojmë edhe një kryeministër që kërcënon të njëjtin punonjës policie. Këta njerëz kanë të njëjtin mentalitet, të njëjtën psikologji, të njëjtën gjuhë, vetëm në gjatësi ndryshojnë se njëri është më i shkurtër e tjetri më i gjatë, por ky është koncepti dhe logjika që ky kryeministër ka ndërtuar dhe ka implementuar në funksion të krimit të organizuar. Pavarësisht nga kjo Rama lidhjen me krimin e organizuar dhe me bandat e ka menduar se nëpërmjet tyre do të frikësonte njerëzit, opozitën, qytetarët dhe deri diku i ka ecur, sepse si rasti i Xhisiela Malokut ka edhe qindra të tjera. Raste të cilat janë të padenoncuara, të mbuluara. Ka krime në familje apo krime edhe në rrugët e Shqipërisë, që sot kanë vetëm një pikëpyetje dhe nuk kanë autorë pas tyre. Të flasësh më pas për gjithë historikun e këtij viti, të kësaj qeverisjeje të dështuar të Edi Ramës, do duhen ditë e javë të tëra, por ju e keni bërë analizën e kësaj qeverisjeje më mirë se ne, sepse ju jeni vala e parë që përplaseni me terrorin, varfërinë dhe problemet e zonës. Probleme në këtë rast ka Miranda si kryetare bashkie, e cila ka me qindra projekte që nuk janë miratuar por janë akoma në zyrat e qeverisë së Edi Ramës. Për shkak të bindjes dhe të siglës së saj politike nuk kalojnë. Nuk është vetëm kjo. Ka edhe një problem tjetër. Ai nuk ka para për të investuar për bashki, për të investuar për qytetarët, sepse paratë e buxhetit të shtetit kanë vajtur të gjitha në funksion të koncesionarëve, të cilët i pasuron çdo ditë e më shumë. Këto të fundit këto para që ky ja jep nga buxheti i shtetit i çojnë te banka e Edi Ramës dhe më pas kalojnë tek xhepi i Edi Ramës. Pra, ka bërë një skemë për të rrjepur jo vetëm shqiptarët, por edhe buxhetin e shtetit. Nuk po merrem fare me problemet që kanë të bëjnë me vetë Partinë Socialiste, sepse socialistët janë ata që janë më të zhgënjyer se ne, sepse ne nuk kemi asnjë lloj dyshimi, kjo ishte edhe arsyeja që ne vendosëm për të dalë në opozitë, për shkak të sjelljes, arrogancës së tij, për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe kanabizmit që i bëri vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një urë të trafikimit të drogave të rënda nga Azia drejt Evropës. Socialistët janë më të zhgënjyer sepse janë ata që janë viktimat e dhunës së parë që Edi Rama ushtron ndaj tyre. Sot jo vetëm që nuk po mbahet asnjë premtim, por po kthehen goxha mbrapa. Prandaj edhe ne si struktura të LSI-së duhet të jemi shumë fleksibël tashmë. T’i hapim dyert tona për gjithë këto njerëz që janë të pakënaqur, që vijnë drejt LSI-së. Duhet t’i krijojmë edhe hapësirën dhe t’i suportojmë edhe për problematikat që ata kanë. Në mënyrë që jo vetëm t’i zgjerojmë spektrin dhe angazhimin e strukturave të LSI-së në strukturën e Përrenjasit, por edhe më tej për t’i përfshirë në hartimin e programit dhe shumë aktiviteteve të tjera, duke pasur parasysh që vitin tjetër do të kemi zgjedhjet lokale. Strukturat tona duhet të jenë të përgatitura jo vetëm për hartimin e listave për këshilltarë, sepse do të jenë ata që do të jenë përfaqësuesit politik, më dinjitozë të LSI-së, por nga ana tjetër do të kemi edhe një ballafaqim jo vetëm të premtimeve tona të Mirandës dhe këshilltarëve, por edhe një ballafaqim të angazhimeve të LSI-së me qytetarët. Sigurisht që ne nuk kemi qenë aq realizues në të tëra premtimet tona, por kjo sigurisht që nuk ka ardhur prej mosdëshirës sonë apo mosangazhimit të Mirandës, por edhe si rezultat i sabotimit që bëhet nga deputetët e mazhorancës dhe rilindjes për të mos implementuar dhe zhvilluar projektet e zhvillimit të Përrenjasit vetëm e vetëm se mendojnë se këto projekte janë për LSI-në, por në fakt nuk i shërbejnë Mirandës, sepse Miranda nuk do marrë në krah as stadiumin, as pallatin e Kulturës dhe as sheshet por do t’i ngelen qytetit të Përrenjasit. Pra, ligësia shpirtërore e tyre arrin deri këtu saqë për bindjet e tyre politike janë gati të lënë pa bukë, pa ujë, pa drita, pa rrugë çdo qytetar të Përrenjasit, si e si të mos ketë po themi një sigël apo një firmë të kryetares së bashkisë, të Miranda Rirës. Pavarësisht nga kjo, unë mendoj që vjen dhe si rezultat i mendjes së shkurtër të tyre dhe do kenë një përgjigje, një përgjigje shumë të shpejtë, jo nga ne po do ta kenë nga qytetarët. Më pas, dua të vazhdoj për sa i përket aksionit politik. Aksioni politik është një aksion tashmë që ne e kemi bashkërisht me gjithë frontin opozitar, ku janë përfshirë të gjitha partitë politike opozitare. Sot, partia socialiste është e grabitur nga një tufë rilindësish me emrin ‘Rilindja”, nga një grup mafioz, është e vetme dhe ka ngelur e vetme në këtë bashkëqeverisje që e nisi me shqiptarët, por vetëm bashkëqeverisje me shqiptarët që nuk ka. Shohim që takim e Edi Ramës në kuadër të bashkëqeverisjes, i ka me administratën e vetë publike, këshilltarët, të çilet ka rreth 1100 punonjës në zyrën e tij të kryeministrisë, ku në historikun e të gjithë periudhën transitore, Shqipëria kurrë nuk ka pasur më shumë se 127 punonjës. Pra, bën një bashkëqeverisje me kukullat e vetë, dhe vetëm bashkëqeverisje me shqiptarët nuk ka. Po të kishte bashkëqeverisje me qytetarët shqiptarë, vetëm në Bashkinë e Tiranës janë mbyllur 2000 biznese. Vetëm për muajin shtator. Kjo është bashkëqeverisja? Unë nuk di të ketë ndonjë bashkëqytetarë që të mbyllë biznesin apo të rris numrin e të papunëve në biznesin e tij. Nga ana tjetër, për shkak të zgjerimit dhe të spektrit sot të frontit opozitar, me angazhimin e PDIU-së, ne jemi sot mazhorancë numerike përballë rilindjes. Pra, në çdo moment, daç të marrin numrat e zgjedhjes lokale, apo zgjedhjes së përgjithshme, apo të tre viteve apo tre palë zgjedhjeve të fundit, mazhoranca numerike është në krah të frontit opozitar, për shkak të sjelljes arrogante e kriminale të Edi Ramës ndaj qytetarëve shqiptarë. Shteti ka rënë. Ka rënë për shkak të funksionimit që gjithë segmentet e shtetit shqiptar, janë kthyer në shërbim të krimit të organizuar, po kështu dhe policia, ata pak individë të ndershëm që kanë mbetur, e ka të vështirë për të penetruar në një ambient, i cili është i minuar dhe është i kontrolluar nga krimi i organizuar, nuk po merrem me krimin e gjykatat se tani është e kotë të bësh moral sa i përket reformës në Drejtësi, sepse janë institucionet e kapura drejtpërsëdrejti nga Kryeministri. Pra ne nuk kemi një prokurore të përkohshme të përgjithshme, por një zëdhënëse të Kryeministrit të Shqipërisë. Ne nuk kemi gjyqtarë në Gjykata, por kemi zëdhënës ose shërbëtore jeniçerë të Kryeministrit të Shqipërisë, që s’janë gjë tjetër veçse marioneta që lëvizin në duart e Edi Ramës. Nga ana tjetër, dua të theksoj që është dhe shumë e rëndësishme dhe që ne do fillojmë shumë shpejt, përveç daljes së strukturave, ne do dalim jashtë strukturave tona. Shumë shpejt ne do vijmë në takime në Përrenjas me qytetarët. Pra, duam të dalim po themi jashtë takimeve me strukturat e partisë. Të dalim me qytetarët sepse ne duam t`i përfshijmë në gjithë këtë aksion opozitar për të shpëtuar Shqipërinë. Mendoj se secili nga ne, po themi pa dallim drejtimi politik, gjinie e angazhimi apo dhe feje, sot të gjithë duhet të kontribuojmë për ta nxjerrë Shqipërinë nga ky moment shumë i vështirë, nga kjo situatë tragjike në mënyrë të tillë për t`i krijuar shanse dhe mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve. Sepse duhet ta ketë shansin e barabartë çdo qytetar njësoj si çdo deputet. Duhet ta ketë shansin e barabartë si çdo ministër apo fëmijë deputeti të parlamentin shqiptar. Dhe unë e them këtë me bindje vetën takimi me njerëzit, kontakti me ta, biseda me ta, mosndalimi dhe në përballje me problematikat, ne nuk mund të themi që jemi perfektë. Nuk jemi perfekt sepse jemi njerëzor, hyjnorët nuk bëjnë gabime. Ne jemi njerëzor dhe bëjmë dhe gabime, por është e rëndësishme që ne nga ana jonë dimë të kërkojmë falje dhe dimë të përmirësohemi. Ne për shkak të disa gabimeve por dhe një momenti që kishte nevojë LSI të fliste për të krijuar një lloj analize të punës së saj, morëm dhe u pozicionuam në opozitë. Jo vetëm për t`i bërë një analizë vetes sonë, por edhe për tu distancuar nga ajo situatë për hir të së vërtetës, që ishte shumë problematike, jo vetëm e lidhur me krimin e organizuar dhe kanabizimin e Shqipërisë, por dhe shumë problematika të tjera që ju i keni dëgjuar dhe Edi Rama çfarë ka bërë? Ia ka faturuar LSI-së. Dhe në një mënyrë të tillë, vetëm një ndarje nga ta do ndante shapin nga sheqeri. Sot, Edi Rama tepsinë e ka të vetën dhe po mbytet në llumin e tepsisë dhe kazanit të tij. Mendoj që ne nuk duhet të merremi më me Edi Ramën, Edi Rama është e shkuara e Shqipërisë. Ne duhet të fillojmë të mendojmë dhe ndërtojmë të ardhmen e Shqipërisë sepse ky është momenti kritik, ku duhet t`i japim shqiptarëve një shpresë dhe shpresa jepet duke krijuar një alternativë, që alternativa jonë fillon me dekriminalizimin e politikës, që në Kuvendin e Shqipërisë mos të ketë më kriminelë të cilët kanë të kaluar kriminale, që ekonomia shqiptare të çlirohet nga krimi i organizuar, sepse krimi ka kapur politikën dhe politika më pas e çon vendin në krim të organizuar. Këto janë dy pikat kyçë, që sot jo vetëm klasa politike shqiptare, e cila është përgjegjëse me të mirat dhe të këqijat e saj, sepse kur flasim për politikën gjithmonë njerëzit ndjejnë lodhje dhe neveri, ka ardhur koha që të gjithë, edhe ne politikanët që e ndjejmë veten të përgjegjshëm për të bërë diçka për vendin, të bëhemi njësh me qytetarët për ta ndryshuar këtë realitet. Nuk është se s’ka njerëz, njerëz ka sa të duash, ka djem dhe vajza shumë të mirë të shkolluar jashtë shtetit dhe në Shqipëri, që dinë të bëjnë, të ndryshojnë këtë vend. U lodhëm me njerëzit e vjetër, që sjellin propagandat të cilat bëjnë demagogji dhe faktikisht vazhdojmë të jemi në tranzicion. Këtë situatë e ndryshojnë qytetarët, prandaj dhe ne si struktura të LSI, nga ky takim i sotshëm do shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë, ju në çdo cep të Përrenjasit. Më pas, ne do jemi në rrethe të tjera e kështu me radhë, do shkojmë në çdo cep të Shqipërisë, për të sensibilizuar strukturat tona në mënyrë të tillë që të fillojnë ristrukturimin e tyre dhe rifreskimin e evidentimin dhe nga ana tjetër, për të kontaktuar më qytetarët segment pas segmenti, qytet më qytet, fshat më fshat në mënyrë të tillë për t`i sensibilizuar, zgjuar dhe për t`iu dhënë besim dhe forcë. Duhet të dini një gjë. ata që bëjnë të fortët me kamxhikun e shtetit, janë frikacakët më të mëdhenj. Kriminelet janë frikacakët më të mëdhenj sepse krimineli vret dhe fshihet. Kush është burrë, thotë e vrava unë, merr përgjegjësinë dhe shkon përballet me ligjin. Prandaj, po ju them ne jemi shumicë, qytetarët dhe opozita janë shumicë. Edi Rama me kriminelët e tij është pakicë. Të gjithë bashkë ne e mundin atë. Faleminderit!