Kryemadhi: Meta Shtetar, unë do ta kisha firmosur dekretin për Gent Cakaj. Reagimi në PS do të ishte kundërshtues

553
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në televizionin ‘Ora News’

Kemi hyrë tashmë në një klimë shumë të ashpër replikash mes kryeministrit dhe Presidentit, në fakt ajo mes Ramës dhe Metës ka qenë gjithmonë një marrëdhënie dashurie dhe urrejtjeje, që nga darka e famshme e ngjalave e deri tek komentet e ashpra të ditëve të fundit. Si e keni parë këtë përplasje të fundit?

As nuk e shoh fare me thënë të drejtën, nuk kam as kuriozitet, por as nuk më bën përshtypje, mendoj që debati, është debat midis institucionesh, që në një farë mënyre i shikoj si institucione që në radhë të parë duhet të ballafaqohen me opinionin publik, për sa i përket asaj që ata përfaqësojnë të dyja institucionet, në radhë të parë, Kryeministrinë dhe në radhë të dytë Presidencën. Debati i të dyja këtyre institucioneve është i përkthyer në përkrahjen e opinionit publik që i bëjnë qoftë njërës palë, qoftë palës tjetër, nuk kisha ndonjë dilemë, për sa i përket reagimit të Kryeministrisë, nuk më lejohet të shprehem për sa i përket institucionit të Presidencës, por mund të them këtë që unë po të kisha qenë në pozicionin e Metës po themi dhe për të bërë ndryshimin midis Ilir Metës dhe Monikës, unë do ta kisha firmosur Gent Cakajn, Ministër të Jashtëm dhe më pas do të shikonim se si qoftë nga Kryeministri dhe qeveria e tij do të tërhiqeshin zvarrë, jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga shumë faktorë tjerë, qofshin këto ndërkombëtarë apo edhe vetë populli i Kosovës. Por mesa duket Presidentit ju dhimbs Kryeministri prandaj dhe bëri një veprim të tillë për të ruajtur sa më mirë institucionit dhe fytyrën e shteti shqiptar.

Në fakt, ju ma dogjët pyetjen, sepse unë do t’ju kisha pyetur se çfarë do të bënit ju nëse do të ishit Kryetare e Shtetit?

Unë do ta kisha firmosur me thënë të drejtën, dhe mund të them që në një farë mënyre do të shikojë se si vetë Partia Socialiste do të reagonte dhe se si vetë Partia Socialiste do të ishte ajo që do ta kishte kundërshtuar me votën e saj në Parlament, Ministrin e Jashtëm.

Mendoni se ka deputetë të PS që do të dilnin nga rreshti për të votuar kundër Cakajt?

Kryesia e Partisë Socialiste nuk e lejoji z. Rama ta ripropozonte në një dekret të ri z. Cakajt, do të thotë që vetë Partia Socialiste e ka detyruar atë, për të mos bërë një ripropozim të tij.

Megjithatë, është një debat që i ka kaluar kufijtë e etikës, shkëmbimet e replikave ndërmjet rrjeteve sociale. Ajo që më ka bërë përshtypje nga reagimet e Kryeministrit është se ka sulmuar Presidentin shpesh duke përmendur emrin tuaj, po citoj kryeministrin Rama i cili thotë për Presidentin: “është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shekncave, vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet”. Më tej thotë: Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktoresha e Shkencave passwordin etj, etj”. Pra, të sulmosh Presidentin ndërmjet bashkëshortes, pavarësisht se ju jeni pjesë e politikës

Mua nuk më kanë sulmuar si bashkëshorten e Ilir Metës, mua më sulmon si Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe unë jam e lumtur që ai më sulmon se do të thotë që më konsideron, kështu që nuk më shqetëson kjo fare. Nuk është problemi tek sulmet që bën, kjo do të thotë se ku ka degraduar institucioni i Kryeministrit, institucioni i Kryeministrit që është një institucion serioz për hir të së vërtetës, Kemi përfunduar me një kryeministër qe merret me meme, kemi me një kryeministër që merret me batuta, kemi me një kryeministër që nuk merr seriozisht qoftë me gazetarët apo qoftë me opinionin publik apo me opozitën në mënyrë serioze, por me një kryeministër që gjen momentin për t’u shpjeguar apo për t’u shfajësuar në edicione humoristike apo edhe nëpërmjet batutave qesharake. Unë mendoj që tashmë ka ardhur koha që vetë Partia Socialiste të kërkojë një reflektim dhe të kërkojë një prezantim serioz të saj në institucionet e shtetit shqiptar. Besoj se mbaroi koha e batutave, mbaroi koha e humorit. Sot shqiptarët nuk janë në fazën e humorit dhe as të batutës. Sot shqiptarët janë në gradën e fundit të varfërisë, diskutojnë kafshatën e bukës së gojës, diskutojnë mbijetesën në familjen e tyre, diskutojnë faturat e larta të energjisë elektrike, të ujit apo të taksave lokale për të paguar dhe mungesën e parasë në xhep të tyre për shkak të rrogave të papaguara apo dhe për shkak të një pune të konsiderueshme që bëjnë dhe e kanë të papaguar, si dhe shqiptarët ndihen jashtëzakonisht shumë të lodhur nga propaganda që tashmë i ka dalë komplet edhe e gjithë ajo fasadë, deri diku ka qenë një cover shumë i mirë, por tashmë fillon çdo ditë edhe më shumë po i del.

E cilësoi kazan dhe Zërin e Amerikës.

Atë punë ka ai. Jua kam thënë, në fakt asnjëherë nuk më kanë dëgjuar kur i kam thënë gjërat. Të gjitha deklaratat që bëj, të gjitha idetë që hedh, qofshin ide personale të miat apo ne kuadër të një ndjesie personale në marrëdhënie me dikë, vjen si rezultat i kontaktit që kam me njerëzit që kam në terren. Kam thënë që nesër mos u çudisni kur të dëgjojmë që Edi Rama të thotë që fajin e ka populli. Sot tha fajin e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesi Edi Rama kishte bërë listë me 1350 socialistë që i kishte mashtruar dhe u kishte thënë do t’iu fusë në punë dhe ndërkohë nga 1350 socialistët përzgjidheshin 200 socialistët në thonjëza që mund të mos kenë asnjë lidhje me këtë.

Megjithatë jeni shprehur se Meta është i Ramës sepse ai u bë President natyrisht edhe me bekimin e Ramës edhe me votat e socialistëve.

S’kam thënë që Meta është i Ramës, kam thënë që Meta ka përgjegjësi për këtë situatë që ka për shkakun për suportin që i ka dhënë Edi Ramës duke e zgjedhur kryeministër në vitin 2013 dhe duka ia krijuar mundësitë që të fuqizohej ekonomikisht, politikisht dhe institucionalisht. Dhe sot ne çfarë kemi? Sot ne kemi një Kryeministër që është i fuqishëm nëpërmjet kapjes së segmenteve të shtetit. Me një reformë në drejtësi e cila ka dështuar dhe ka vdekur për shkak të Kryeministrit dhe kemi një situatë po themi një anarki totale gjithë sistemin e drejtësisë. Kemi një mungesë të funksionimit të institucioneve të shtetit. Dhe pas këtij lajmi të Zërit të Amerikës, ky është vetëm fillimi, është maja e ajsbergut, por të jeni të bindur që kjo është një gjë shumë e vogël, është diçka elementare në gjithë skemën e manipulimit të administratës publike. Sot shikoja në një televizion drejtoreshën e Përgjithshme të Administratës Publike, që ishte qesharake e që thoshte që kemi 803 vende pune, të cilat do jua japim studentëve të ekselencës. Po me ligjin e shërbimit civil çfarë do bëjë kjo zonja? Do t’i prishë kriteret? Atëherë duhet të vijnë në Parlament të ndryshojnë ligjin e Shërbimit Civil. Kemi portalet e famshme, deklaro tepsia, tenxherja, kazani, të gjitha gjërat dolën që ishin thjesht fasada, sepse për hir të së vërtetës, njerëzit kur janë të varfër dhe të pailuminuar e kanë shumë të kollajshme për të besuar njeriun e pushtetshëm. Por, nga ana tjetër ka edhe një gjë tjetër, që kjo varfëri e madhe e njerëzve të kthehet më pas në një të kundërt të madhe dhe është shumë më ndryshe sesa pushteti që ke kur nënshtron të varfrit dhe pastaj revolta e të varfrit kundër atij që e ka nënshtruar.

Megjithatë znj. Kryemadhi nuk mund të themi se Presidenti nuk i ka bërë rezistencë Kryeministrit. Kemi të paktën 8 dekrete që ia ka kthyer vitin e kaluar, kujtojmë ligjin për taksat, dy herë ligjin për teatrin dhe ndërkohë pritet që vitin e ardhshëm të kthejë edhe ligjin për kadastrën dhe atë për noterinë. Pra, po shohim që institucioni i Presidentit nuk është thjesht formal ashtu sikurse kemi pretenduar dhe kujtuar gjer më tani edhe me krerët e tjerë të shtetit…

Unë mendoj që Presidenti i Republikës ka shumë mënyra të tjera për të funksionuar dhe për orientuar opinionin publik. Tashmë ai është një njeri i depolitizuar, ka një eksperiencë shumë të madhe në jetën politike dhe di të bëjë dallimin se ku ndryshon njëra apo tjetra. Unë e thashë edhe pak më përpara që ku do ishte ndryshimi mes meje dhe tij, sepse kjo tregon edhe përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e madhe që ka pasur. Sepse të qenurit qoftë Kryetar Parlamenti apo edhe Kryeministër, ka kuptuar që institucionet që ai ka drejtuar, roli i të qenurit fair i standardeve dhe i respektimit të Kushtetutës së vendit është shumë më e rëndësishme sesa emocionet politike që mund të kalojë secili nga ne, si sot që është në opozitë, apo edhe nesër në pushtet. Unë për hir të së vërtetës nuk kam qenë asnjëherë në pushtet dhe nuk e di se çfarë është administrata publike. Unë kam punuar në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit kështu që nuk e kuptoj se si mund të jetë por di të them që pozicionimi i dikujt që ka për detyrë të respektojë Kushtetutën besoj se z. Meta i erdhi rasti dhe e tregoi këtë gjë.

Megjithatë pikërisht Kryeministri ka akuzuar Presidentin Meta se ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin duke mos e ç’dekretuar Bushatin, kur nga ana tjetër kemi precedentët Lleshi, Cakaj, etj…

Unë nuk jam konstitucionaliste por kur ta ngrejë Gjykatën Kushtetuese le t’ia çojë asaj.

“Meta do i shlyejë gabimin shqiptarëve që solli Ramën, Meta është bashkëfajtor se e fuqizoi Ramën”, deklaratat tuaja të pak kohëve më parë dhe që sapo i përmendët. Cili është plani konkret i LSI-së për ta larguar Ramën nga pushteti?

Është shumë e thjeshtë. Nuk e di a e mbani mend për një hotel privat të një deputeti, kur ka qenë në opozitë Partia Socialiste që ishte e kundërligjshme. Pra, u ngrit një hotel midis hapësirës së dy pallateve dhe për këtë ishin ngritur banorët sepse hoteli pengonte rrugën mes pallateve, mbrapa Hotel ‘Tiranës’ dhe u ngrit gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe vajti bëri protestë atje kundër lejes etj, etj. Sot ne kemi historinë e Teatrit Kombëtar që është një histori i pastër korruptive, ndërkohë kemi edhe Unazën e Re, një aferë edhe kjo e hapur dhe korruptive. Kemi parë se si ka dalë ritenderimi i Unazës së Re, por akoma nuk kemi parë se kush janë fajtorët dhe nuk kemi parë në bankën e të akuzuarve shkaktarët e vjedhjes shkaktarët e vjedhjes së 18 milion eurove, nuk kemi parë sesi bëhet një tender kur nuk ka projekt dhe ndërkohë shikojmë prapë sot një proces rintenderimi, në një kohë kur qeveria ka thënë që kompanitë që do të marrin pjesë apo që do të mund të fitojnë tenderin duhet të kenë mbaruar 70 për qind të një projekti tjetër që e kanë marrë me ritenderim. 3 apo 4 nga kompanitë që kanë hyrë sot në ritenderim për Unazën e Re janë që kanë marrë koncesione nga Edi Rama dhe akoma nuk kanë bërë 10 për qind të atyre koncesioneve që kanë marrë e jo më të kenë bërë 70 për qind të punëve. Por, duke qenë se asnjëra prej tyre nuk e realizon, kanë shfuqizuar një VKM të famshme. Pra, zullumi dhe përfshirja e këtij njeriu dhe e këtij segmenti kriminal është aq e madhe saqë tashmë po na duken si përrallat e Andersenit apo libri ‘1001 net’ kështu po na duken edhe historitë e korrupsionit të Edi Ramës saqë për hir të së vërtetës janë bërë tepër problematike. Megjithatë pasoja më e madhe është për vitet e ardhshme për gjithë shqiptarët, duke përfshirë shtresën e mesme dhe të varfër dhe më pas të gjithë ato biznese të vogla e të mesme që do të shkojnë drejt falimentimit. Dhe kjo është pasoja ose krimi më i madh që i bëhet sot vendit dhe krimi më i madh pastaj nga politika dhe opozita do të jetë nëse nuk reagojnë. Ne kaluam Konventën tonë Kombëtare dhe miratuam 7 pika me një rezolutë, të cilat kanë të bëjnë me negociatat. Ne besojmë që hapja e negociatave është shumë e rëndësishme për Shqipërinë edhe pse treçereku i klasës politike është skeptik sepse nuk mund të hapen negociatat nëse në krye të vendit do të kesh një Kryeministër, i cili akuzohet si i lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një Kryeministër që çdo ditë e më shumë po deklarohet dhe etiketohet nga shërbimet e huaja dhe nga institucionet ndërkombëtare si një qeveri që shërben në formën e një lavatriçeje të pastrmit të parave të krimit të organizuar të grupeve kriminale, qofshin këto edhe terroriste. Kemi ndërkohë edhe një mungesë të integritet të territorit por edhe gjithë segmenteve të tjera të Ushtrisë dhe të Policisë sikurse ishte dhe rasti i fundit për vjedhjen e disa armëve amerikane, gjë që tregon që ti jo vetëm si anëtar i NATO-s nuk arrin dot të ruash integritetin dhe kufirin e vendit tënd, por nga ana tjetër përfshin edhe segmente të policisë dhe ushtrisë që janë shërbyes të grupeve kriminale. Të mos dalim pastaj tek Drejtoria e famshme DSIK-ja që është një nga skandalet e radhës, që në momentin që do të hapen letrat e këtij lakrori do të dalin skandale pa fund sepse do të shohim sesi njerëz të inkriminuar, të lidhur me krimin e organizuar me grupe kriminale e terroriste kanë marrë cerfitikatën e DSIK-së, cerfitikatë kjo e cila i ul në tryezën jo vetëm të Ministerialit të NATO-s dhe institucioneve të tjera të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe njerëz të cilët në duart e tyre kalojnë edhe dokumente të klasifikuara. Prandaj, që në këtë moment siguria e vendit është shumë në diskutim dhe asnjë vend i BE-së nuk do të pranonte që në tryezën e tij do të kishte përpara një vend që vendos në diskutim sigurinë e rajonit dhe Ballkanit.

Opozita është treguar e gatshme për të vijuar bojkotin në janar… A do ta vazhdoni?

Jemi në diskutime. Ne jemi një front opozitar që përmbledh disa parti politike. Gjithmonë mediat kanë qenë të etura ose të uritura për të marrë vesh nga axhenda e opozitës, e cila është shumë e qartë, diku me tryeza programore, diku me aktivitete organizative apo edhe në formën e protestave. Por dua të them që të gjithë ishin skeptikë për 2018-n por të mos harrojmë që kishim një lëvizje të opozitës që sot ne kemi ministër të Brendshëm të larguar dhe 7 ministra të tjerë të shkarkuar, por edhe një ministër të Jashtëm që është Kryeministër. Është një luftë shumë e egër kur kemi përballë një grup opozitar, i cili është modest përballë një segmenti të krimit të organizuar që është ndërkombëtar e jo vetëm kombëtar.

Me interes është parë edhe përmendja e emrit tuaj si kandidate e mundshme për Bashkinë e Tiranës… A do ta bëni këtë lëvizje nëse merrni edhe mbështetjen e PD-së?

Së pari, ne nuk e kemi diskutuar fare këtë gjë. Ne po diskutojmë për vendosjen e disa kritereve. Mendojmë që Bashkia e Tiranës është shumë e rëndësishme për të pasur shërbim për qytetarët, për të pasur qytetarët një prezantim normal të një kandidati që është përballë kandidatit të mazhorancës. Ajo që mendoj unë, nuk ka rëndësi emri kush do të jetë në Bashkinë e Tiranës, sesa do ketë rëndësi ajo çka Kryetari i Bashkisë së Tiranës apo Kryetarja e Bashkisë së Tiranës do të bëjë.

Do ta pranonit kandidimin në emër të opozitës së bashkuar

Me thënë të drejtën nuk e kam menduar ndonjëherë, po mos u çudisni se historikisht kur kemi qenë me PS-në, kur kemi qenë me PD-në emri Monika Kryemadhit ka dalë si një lloj “kërcënimi” mund të themi apo se si një lloj opinioni

Po sikur ky kërcënim të ishte real dhe ju të jeni emri i mundshëm për Bashkinë e Tiranës, kujtoj këtu që e keni vlerësuar Veliajn.

E vlerësoj për punën që ka bërë.

A do të ishit e gatshme të dilnit përballë tij?

Se kam frikë fare unë Erionin për atë punë, por nuk është problemi se kush do të jetë. Ashtu siç e kam vlerësuar për atë punë që ka bërë, ashtu si e vlerësoj për atë që ka bërë, ashtu them dhe nga ana tjetër që është përgjegjësi kryesor për teatrin, qoftë edhe për projektin e Unazës së Re, për urdhrin e prishjes së banesave në Unazën e Re. Sfidat unë nuk i kam problem, por nuk mendoj që sfida e Tiranës i përket Monikës si individ. Mendoj që sfida e Tiranës i përket qytetarëve të Tiranës përballë një sekti kriminal, i cili dashje pa dashje ka uzurpuar pak nga pak rrugës, shtëpitë e tyre, hapësirat e tyre dhe nuk mendoj që kjo është sfidë qoftë e LSI apo qoftë e PD, mendoj që është sfidë e qytetarëve të Tiranës përballë një kapje të shtetit dhe përballë të kapjes së jetës së përditshme të qytetarëve të Tiranës.

Jeni rreshtuar përkrah Partisë Demokratike, megjithatë keni bërë pazare dhe me Socialistët përsa i përket Këshillave Bashkiakë në Lushnjë, në Durrës, në Elbasan.

Nuk është i vërtetë pazari. Mund t’iu sqarojë përsa i përket këshilltarëve të Bashkisë së Durrësit, 2 këshilltarë të LSI-së që kanë qenë, kanë qenë kushërinjtë e Spartak Brahos. Ky ka qenë problemi. E para në Lushnjë nuk ka vajtur asnjë këshilltar i LSI-së, ndërsa në Elbasan kanë vajtur të gjithë këshilltarët e LSI-së sepse për hir të së vërtetës, Bashkia e Elbasanit, të gjitha kërkesat që kishte Grupi i Këshilltarëve të LSI-së, qofshin këto për ndihmën ekonomike, qofshin për disa rregullime shkollash që ishin në komuna të caktuara, ishin marrë parasysh dhe për hir të së vërtetës dhe këshilltarët e Partisë Demokratike në të gjitha komisionet që janë bërë kanë votuar pro. Tani në qoftë se ne do të bëjmë fjalë për të shkuar në një mbledhje të Këshillit Bashkiak për të bllokuar ndihmën ekonomike kur ti ndërkohë ke qenë dakord në komision, nuk mendoj që është morale dhe korrekte politikisht. Pastaj përsa i përket qëndrimeve të tjera, ne po themi për këshilltarët e Korçës, dhe këshilltarët e Korçës votuan për buxhetin, por e morën e futën në burg atë gocën. I morën votën doli tha ajo ne jemi kundër LSI-së se ka ndikim rus edhe mbas një muaji e morën e futën në burg me gjithë burrin. Dhe sot e kësaj dite është në burg, ke burgu i grave. Se ky është fenomeni që funksionojnë. Pra marrin njerëz, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë elementë sepse ishte ai vendimi i famshëm i Kryesisë së LSI-së në atë kohë që kush është drejtues i Partisë nuk do të jetë anëtar i Këshillit Bashkiak, por do të jenë njerëz të ardhur. Për shembull ne kemi kushërirën e Lorenc Vangjelit këshilltare në Korçë, tani se është edhe ky raporti që në zonat rurale apo edhe në zonat e larta është shumë e vështirë për të gjetur, një burrë një grua në listë, tani kushërira e Lorenc Vangjelit mos prisni të jetë me LSI-në.

E kuptoj, znj. Kryemadhi t’ju pyes edhe pak për komunikimin me Lulzim Bashën, muajt e fundit ju kemi parë shpesh të shkoni tek selia e Partisë Demokratike, një gjë që nuk e kemi parë të ndodhë së paku mediatikisht në javët e fundit, vazhdoni komunikimin me Bashën?

Sigurisht që vazhdojmë në komunikim në telefon, madje të tregoj edhe telefonatat thirrëse, kemi folur nga 3-4 herë në ditë, por për hir të së vërtetës unë kam qenë në lëvizje në të gjithë Shqipërinë, nga mëngjesi deri në darkë, dje kam qenë nga mëngjesi në darkë në Berat, nesër po ashtu jam, pasnesër edhe kështu me radhë. Pra, edhe z. Basha është në procesin e strukturave të veta të Partisë Demokratike që kanë këto zgjedhjet e tyre, por nuk është kjo, unë mendoj që humori i opozitës nuk varet nga takimet dhe kafet që bën Monika me z. Basha, humori i opozitës varet nga lëvizja në terren e të gjithë deputetëve të opozitës sepse atje tek Unaza e Re shikojmë vetëm dy deputetë, kur opozita ka mbi 17 deputetë në Tiranë, pra 12 i ka PD dhe 5 i ka LSI-ja dhe ne shikojmë vetëm Klevis Balliun dhe Endrit Braimllarin, ndërkohë që janë edhe shumë deputetë të tjerë që duhet të shkojnë në suport të banorëve të Unazës. Kemi shumë deputetë, qoftë Opozita, qoftë Partia Demokratike, qoftë LSI-ja të cilët do të shkojnë në zonat e tyre, e dinë shumë mirë që ata nuk kanë se çfarë tu thonë, por është gjëja më e mirë që deputetët e Opozitës të shpërndahen, të takohen të lëvizin dhe të sqarojnë opinionin publik.

Megjithatë bashkimi i Opozitës, është një bashkim që do të ketë kosto, më lejoni t’ju citoj një mosbesim i dyanshëm, në Konventën e 2017 kujtoj fjalët e z. Meta ku ka thënë se koalicioni me PD nuk ka qenë i lehtë, do të duheshin vite për pabesinë, por nga ana tjetër ka dhe shumë deputetë të PD që ndihen të tradhtuar kur kujtojnë darkën e ngjalave, mund të kenë frikë që pabesia tjetër nga ana e LSI mund të ndodhë përsëri.

E para, unë nuk jam për të siguruar demokratët këtu, unë jam për të siguruar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe votuesit e LSI-së. Unë për hir të së vërtetës, edhe partitë politike ekzistojnë si familje, unë nuk kam parë ndonjë familjar që thotë unë do të lë pa bukë dhe pa shpi fëmijën tim dhe do strehoj fëmijët e komshiut, por ama di të them që banorët e një shkalle, të gjithë paguajnë haraçin e tyre, për ta mirëmbajtur shkallën, për ta pastruar, për të paguar ashensorin, për të paguar lyerjen e shkallës, etj. Kështu është edhe opozita, opozita është një si një shkallë, ku secili nga banorët ka apartamentin e tij, kujdeset për apartamentin e tij, por ama apartamenti i tij mbaron aty ky fillon apartamenti i tjetrit dhe marrëdhënia jonë me Partinë Demokratike është e njëjtë. Unë mendoj që marrëveshjet duhet të jetë transparente, për sa i përket transparencës së LSI-së, LSI-ja ka qenë gjithmonë transparente, ka qenë e drejtpërdrejtë dhe e hapu. Di të them këtë gjë, mos pretendoni që unë të dal të luftoj për programin e Partisë Demokratike, ne kemi axhenda të veçanta. PD ka programin e saj, axhendën e saj, ne kemi tonën, republikanët etj, por kur vjen puna kemi një konvergim të përbashkët që është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër varfërisë dhe për ta çliruar këtë vend nga kjo kapje që i ka bërë Edi Rama.

Dhe një parullë që ju e thatë në Konventën e LSI-së, Shqipëria është shtëpia jonë, një parullë e cila u bë virale në rrjet.

Secili nga ne lufton siç lufton për familjen ashtu duhet të luftojmë edhe për Shqipërinë.