Kryemadhi mesazh për ndërkombëtarët: Regjimi kriminalo-oligark i Ramës u kthye në rrezik dhe për Kosovën

528
Sigal

Nga Konventa Kombëtare, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dhënë një mesazh edhe për faktorin ndërkombëtar. Duke ju referuar zhvillimeve në rajon, Kryemadhi tha se regjimi kriminalo-oligark është kthyer dhe në rrezik për Kosovën. Kryemadhi tha se ky regjim ka në themel pazaret dhe jo transparencën, ndërsa nënvizoi se kryeministri Rama po e ka zëvendësuar trëndafilin e Partisë Socialiste me oturakun e qarqeve antishqiptare. Kryetarja e LSI-së tha se Samiti i Berlinit i dha një JO të madhe pazarxhinjve të trojeve shqiptare. “Dhe meqë jemi te frika e të bërit të precedentit rajonal po ju drejtohem më shumë të huajve sesa shqiptarëve në këtë konventë. Dëmin e parë të këtij regjimi kriminalo-oligarkë që ka instaluar Edi Rama në Shqipëri desh e pësuan vëllezërit tanë në Kosovë. Pikërisht prej këtij regjimi që në themel të tij ka pazare dhe jo transparencën. Pikërisht se formati i pazareve të oligarkisë dhe krimit e ka të shndërruar në skemë dhe format politik dhe diplomatik. Pikërisht se trëndafilin e Partisë Socialiste e ka zëvendësuar me oturakun e qarqeve antishqiptare. Pikërisht sepse dhe në politikë dhe në diplomaci flasin me gjuhën e PPP-ve, guxuan deri aty sa të hedhin në treg për turpin e tyre dhe ndarjen e Kosovës. Aq sa u desh një Samit i madh evropian për ti thënë një JO të madhe pazarxhinjve të trojeve shqiptare. Sa më shpejt të shembet ky regjim, aq më shpejt Shqipëria do të kthehet në shtëpinë e shqiptarëve. Por jo vetëm kaq. Edhe Kosovës dhe vëllezërve tanë do tu largohen retë e zeza që u rrinë mbi kokë prej autokratëve dhe atyre që i konsiderojnë shqiptarët si tregun e gjësë së gjallë. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Shqipërinë. Ne sot Shqipëria na ka caktuar një detyre, shkurt dhe shqip. Të mbrojmë demokracinë. Ne nuk kthehemi më prapa”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.